Lulzim Basha zbulon kush e informoi për “Toyota Yarisin”, mardhëniet me vendet...

Lulzim Basha zbulon kush e informoi për “Toyota Yarisin”, mardhëniet me vendet partnere

138
0
Shares

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një intervistë për Zërin e Amerikës pyetet se kush ia dha informacionet se në Shqipëri do të mbërrinin miliona euro me Toyota Yaris. Ashtu sikurse e ka thënë më parë, Basha tha se ishin vendet aleate ata që kishin dhënë informacione, pasi siç thekson ai, “kanë gjetur dhe gjejnë te opozita një partner të besueshëm për të shërbyer si një instrument më shumë presioni, në mënyrë që lufta ndaj krimit të organizuar, lufta kundër trafikut të drogës apo pastrimit të parave të drogës të intensifikohet e jo të dobësohet“.

-Zoti Basha, pak javë më parë bëri përshtypje deklarata juaj në parlament që i parapriu një aksioni të policisë për zbulimin e 3.4 milionë eurove në makina që vinin nga jashtë. Cili ishte burimi juaj i informacionit? Dhe a mendoni se ishte gjëja e duhur për ta nxjerrë këtë të dhënë në publik?

Basha: Partia Demokratike ka një bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, për të cilët lufta ndaj krimit të organizuar, trafiqeve të drogës dhe korrupsionit është një prioritet absolut…

-Pra, ishin partnerët ndërkombëtarë, që iu njoftuan juve për këtë?

Basha: … Këtë prioritet absolut e kam diskutar edhe këtu në Washington. Në konferencë ku mora pjesë, kam patur takime me përfaqësues të administratës amerikane dhe natyrisht përfaqësues të Kongresit dhe të Senatit amerikan. Problemi është i mprehtë, akut dhe një shqetësim i madh për partnerët tanë.

Natyrisht, këta partnerë, të cilët veprojnë në forma dhe në mënyra të ndryshme, kur shohin që nuk ka përgjigje, apo kur shohin që nuk ka veprim sa u përket çështjeve të veçanta të luftës kundër krimit, qoftë edhe çështje të strategjisë apo edhe të operacioneve kundër krimit, kanë gjetur dhe gjejnë te opozita një partner të besueshëm për të shërbyer si një instrument më shumë presioni, në mënyrë që lufta ndaj krimit të organizuar, lufta kundër trafikut të drogës apo pastrimit të parave të drogës të intensifikohet e jo të dobësohet.

Padyshim, ne kemi qenë dhe jemi partnerë të devotshëm e të besueshëm të partnerëve tanë strategjikë, SHBA-ve dhe vendeve europiane, për të cilët, siç e thashë, krimi i organizuar, pastrimi i parave të pista të krimit, trafiku i drogave të forta si heroina e kokaina, përbëjnë probleme kryesore sa i përket qeverisjes aktuale.

-Kjo përgjigje mund të jetë për çdolloj pyetje. Por, pyetja ime ishte konkrete: Cili ishte burimi juaj i informacionit? A ishin partnerët e huaj apo ishte nga brenda vendit?

Basha: Burimi i informacionit nuk mund të jetë subjekt i një zbulimi mediatik. Ajo që iu them është se ne kemi një bashkëpunim shumë të fortë me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe opozita ka kryer detyrën e saj, unë kam kryer detyrën time si kryetar i opozitës, pikërisht për të pamundësuar që një qeveri që ka humbur besimin e partnerëve në luftën kundër krimit të mos abortojë operacione të rëndësishme, siç ka qenë rasti me Maminasin apo me Toyta Yaris-in dhe paratë e drogës, që po futeshin përmes tyre.

-Ju akuzuat se me këto automjete Toyta ishte i lidhur një deputet i Partisë Socialiste. Ai u kthye me akuza kundër jush për një fotografi, që ju keni bërë me vëllain e njërit prej të arrestuarve me ju në zyrën tuaj. Në ç’rrethana është bërë ajo foto?

Basha: Nuk kam asnjë kujtesë për rrethanat e fotos, sepse unë kam fotografi me mijëra qytetarë. E rëndësishme është të kuptojmë dy gjëra: e para të kuptojmë hipokrizinë e pretendimit, sepse nëse ky person, që nuk e njoh, është i dyshuar, kanë kaluar më shumë se tre javë dhe ky person mund të ishte arrestuar, mund të ishte marrë në pyetje. Por kjo nuk ka ndodhur dhe ka një hipokrizi këtu dhe një përdorim të qartë politik të një fotoje, për të cilën nuk kam asnjë informacion përtej asaj që kam bërë publike.

E dyta është standardi moral. Unë akuzohem se paskam dalë në foto me dikë, i cili dyshohet se është vëllai i disave që dyshohen se janë prapa këtyre parave. Ndërkohë që informacioni im është fare i qartë: këto para janë para të drogës të një klani të fuqishëm kriminal me qendër në Elbasan dhe numri dy i Partisë Socialiste, jo një deputet çfarëdo, është garanti i marrëveshjes për kalimin e këtyre parave përmes këtij instrumenti, makinave të sjella në Tiranë. Po kështu, për të qëndruar te standardi moral; kryeministri, vet ky person dhe shumë të tjerë janë ditë për ditë në krah të vëllait të një krimineli të dënuar droge, siç është ministri aktual i brendshëm Fatmir Xhafa.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY