RRËFIMI/”Para dhe seks nëse bëhesh spiun i sigurimit”

RRËFIMI/”Para dhe seks nëse bëhesh spiun i sigurimit”

139
0
Shares

Në prill të vitit 1991 në Shqipëri ndodhi një ngjarje që konfirmoi plotësisht rrëzimin e sistemit komunist. Me dekret të Presidentit Ramiz Alia u liruan të gjithë të burgosurit politikë. Njëri prej tyre ishte Bedri Blloshmi, i cili në vitin 1976 u dënua me vdekje për agjitacion e propagandë. Por ndërsa të vëllanë Vilsonin e pushkatuan, atij ia konvertuan dënimin në 25 vjet burg nga të cilat bëri 16 vjet. 27 vjet më pas ai rrëfen për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One” momentin e lirimit, kalvarin në burgje, por edhe arsyen e madhe përse e arrestuan, pasi nuk pranoi të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Për lirimin e të burgosurve
“Më 27 mars të vitit 1991 ndodhesha në burgun e Burrelit. Më thanë që do lirohesha me kusht. Kjo ishte absurde. Unë bashkë me të burgosurit e tjerë kishim dëgjuar që në Shqipëri kishin ardhur përfaqësues të Komitetit të Helsinkit dhe ata kishin kërkuar lirimin e të burgosurve politikë, por në fakt nuk besonim te ky lirim. Kur më thanë që do lirohesha me kusht, nuk pranova. U habitën të gjithë. Më thanë që të ikja, të shkoja në shtëpi. Por si mund të pranoja unë lirimin me kusht. Kisha bërë 16 vjet burg pa bërë asgjë dhe më kishin pushkatuar vëllanë. Por një i burgosur që u lirua atë ditë, përpara se të shkonte në shtëpinë e vet, shkoi në Tiranë dhe u dorëzoi përfaqësuesve të Helsinkit një letër që ne kishim shkruar se ndodheshim ende në burg. U bë rrëmijë e madhe.

Përfaqësues të Komitetit të Helsinkit ditën tjetër u nisën për në burgun e Burrelit, ndërsa ne që ishim në burg për gjithë natën na transferuan në Qafën e Barit. Kështu që kur ata kontrolluan qelitë nuk gjetën asnjë të bursgosur politik. Më 29 mars më liruan mua. Njeriu i parë që mendova ishte nëna. Ajo ishte njeriu që kishte vuajtur më shumë. Unë 16 vjet në burg dhe Vilsoni u pushkatua pa llogaritur babanë, xhaxhanë e të tjerë. Udhëtova deri në fshatin tim Bërzeshtë të Librazhdit. Në orën 01:00 të natës mbërrita në shtëpi. Ishte një moment prekës. Rastësisht, edhe pse ishte vonë, dera ishte gjysmë hapur sepse babai dhe vëllai priteshin të ktheheshin nga ara ku punonin. Kur nëna më pa, shtangu dhe menjëherë i ra të fiktë. Thirra me të madhe të më ndihmonin. Erdhën dy nuset e kushërinjve dhe e përmendëm nënën. Ajo vetëm më puthte dhe më merrte erë. Të dy qamë si fëmijë. Ishte moment prekës. Në fund tha: Ah sikur të ishte edhe Vilsoni! Pak më vonë ika në Greqi. Kur u ktheva ne të burgosurit bëmë disa greva. Mbaj mend se zumë me forcë godinën e shkollës së Partisë këtu në Laprakë. Qeveria e Ylli Bufit na pajisi me viza greke ne nja 100 të dënuar politikë dhe të gjithë bëmë pushime 1 mujore në Greqi, falas.

30185362_2159143280998464_1207961798_n
Për ofertën për të qenë bashkëpunëtor i Sigurimit
Xhaxhai im i mërzitur më tha se më kërkonin në Degën Ushtarake, por sipas tij kjo nuk ishte shenjë e mirë. Unë isha në Berzeshtë dhe sipas fletëthirrjes duhet të paraqitesha për të verifikuar ditët e zborit që bënim në atë kohë. Por sipas xhaxhait kjo ishte shenjë e keqe. Më porositi të qendroja si burrë. Shkova në degën ushtarake dhe prej andej më dërguan në degën e Punëve të Brendshme. Oficeri që më priti më tha shkoqur. Je i ri, 25 vjeç, e ke jetën përpara. Çdo bësh ti në kooperativë. Që të dalim në temë: Ti do bëhesh bashkëpuëntor i Sigurimit dhe do jetosh mes të mirave në qytetin e Librazhdit. Do kesh para sa të duash, do kesh vajza sa të duash, por vetëm me zor jo. Vetëm ama do na shërbesh ne. Do na tregosh armiqtë e popullit në Berzeshtë dhe më tej. Do t’i zbulosh cilët janë. Unë nuk pranova. Ai më tha dy rrugë ke: Ose me Sigurimin, ose në burg. Unë ia ktheva kurrën e kurrës nuk bashkëpunoj. Nuk mund ta bëja këtë gjë, ishte një ofertë e ndyrë që unë t’u bëja keq njerëzve. Më lanë 24 orë kohë të mendohesha. Më dërguan në hotel turizmin e Librazhdit. Ishte vatër e Sigurimit atje. Atje bëheshin të gjitha. Nuk më zuri gjumi tërë natën. Në mëngjes erdhën dhe më morën. Përsëri nuk pranova të bashkëpunoja. Pra mua që më kishin arrestuar dhe dënuar pothuajse të gjithë paraardhësit të bëhesha bashkëpunëtor i tyre?! Ishte e papranueshme. Më futën në burg me akuzën agjitacion propagandë dhe përpjekje për rrëzimin e pushtetit popullor. Më pas arrestuan edhe vëllanë Vilsonin. Sipas atyre që kam zbuluar im vëlla Vilsoni ndiqej nga 11 bashkëpunëtorë, ndërsa unë nga 3. Në jetë të jetëve nuk do t’i fal kurrë ata që më dënuan. Nuk jam hakmarrë, por nuk do t’i lë kurrë. I kam kërkuar instancave që ata të dënohen por nuk e kanë bërë. Më kanë marrë jetën. Nuk i fal.

Për lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës
11 prilli 1985 ishte dita më e lumtur e jetës sime. Enveri nuk merrte më frymë. Ndodhesha në Spaç. Lajmi mori dhenë dhe vërtet ne u gëzuam. Na pikasën. Ne festonim, ata më arrestuan sepse kuptuan që ne ishim të gëzuar. Më futën në izolim në qeli dhe atje torturat ishin çnjerëzore. Më lidhën kokë e këmbë dhe më varën në një hekur. Në kokë me vendosën hekura. Unë i rashë murit me kokë dhe me doli gjak. Ky ishte shpëtimi im. Erdhën më zgjidhën dhe më lanë të lidhur në dysheme. Në fakt ata thurrën një plan për të më eleminuar. Futën një të dënuar politik për të më vrarë në burg. Por ai më tregoi dhe kështu plani nuk u realizua. Qelitë ishin mizerabël. As nevojat personale nuk na linim t’i kryenim. I kryenim në qeli. Një i burgosur mbante një batanije për të mos u parë dhe jashtëqitjen e bënim në një qeskë dhe e flaknim kur na lejonin. Spaçi dhe Qafa e Barit ishin një tmerr.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY