Politikani kristiandemokrat, (CDU) Stephan Albani *, në bisedë me DW thekson se imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore.
Stephan Albani: Mund të kuptoj njerëz të veçantë, por jo vende të tëra. Por kuptoj ndjesinë e shumë shqiptarëve që duan të ecin përpara, që ndjejnë se nuk po bëjmë progres. Kisha edhe ambasadorin shqiptar këtu e folëm gjatë. Më duhet të them, se kriteret për fillimin e negociatave dihen, ato duhet vetëm të zbatohen, e këtu bën pjesë veçanërisht vullneti politik që siguron që korrupsioni dhe kriminaliteti i organizuar të luftohen me mjetet e shtetit ligjor.
Prandaj nuk arrij ta kuptoj dot për shembull që ish-ministrit të Brendshëm nuk i hiqet imuniteti. Ne e kemi bërë këtë kushedi sa herë në Bundestag. Imuniteti i parlamentarit është një e mirë e rëndësishme, por nga ana tjetër ai nuk është mbrojtje para një procedure ligjore që synon zbardhjen e një çështjeje. Kjo është shumë e rëndësishme për të siguruar besueshmërinë e Shqipërisë në shkallë ndërkombëtare.
Shqipëria shpreson në hapjen e negociatave këtë vit. Mendoni se kjo do mund të bëhet realitet?
Stephan Albani: Jemi në fillim të vitit, kemi raportet e progresit që do të publikohen në shkurt, e një proces që zgjat deri aty nga mesi i vitit. Nuk është pak por as shumë kohë. Si fizikant dhe politikan për mua vlejnë faktet, ia kam thënë në bisedë edhe ambasadorit shqiptar. Faktet jo vetëm në letër, por në zbatim konkret të tyre. Në letër shikoj disa gjëra, por në zbatim jo kushedi sa shumë. E kam siguruar se do ta formuloj rekomandimin tim për negociatat mbi bazën e fakteve nga mesi i vitit. Po qe se faktet janë të tilla që në këtë pikë nuk është bërë progres, atëherë faktet janë kaq të pakëndshme, saqë nuk mund ta përfytyroj se gatishmëria do të jetë shumë e madhe.
Opozita akuzon qeverinë Rama si “qeveri të krimit”. Madje kryeministri shihet si e vetmja pengesë për integrimin europian. Si mund një vend të ecë përpara me një klimë të tillë politike, ku rregullisht të dyja palët i drejtohen njëra-tjetrës me akuzat më të rënda?
Stephan Albani: Thjesht ndaloni me këto. Po qe se kërkohet një perspektivë në BE duhet që qeveria dhe opozita të sillen si ju takon. Po qe se kjo nuk është e siguruar, atëherë mungon çdo kriter, prandaj shpresoj që të dyja palët ta kuptojnë këtë. Palët duhet nxjerrin mësimet e tyre dhe të ndryshojnë qartësisht sjelljen ndaj njëri-tjetrit dhe të veprojnë me arsye.
Reforma në drejtësi ishte një vendim i vitit të shkuar, me shumë vështirësi, megjithatë ajo u vendos. Por palët politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën. Opozita- kryeministrin se do të vërë institucionet e drejtësisë nën kontroll, qeveria opozitën se ka frikë nga kjo reformë-Keni besim se kjo reformë do të funksionojë vërtet?
Stephan Albani: Mund të them vetëm se ka shumë gjëra në letër që duhet të bëhen realitet. Po ashtu nuk duhet humbur kohë. Sipas mendimit tim këtu nuk po punohet me fuqinë e duhur, BE duhet të bëjë presion për këtë, e në fund të fundit edhe ata politikanë shqiptarë që e kanë kuptuar këtë duhet ta marrin stafetën e veprimit në dorë. Ndryshe nuk bëhet dot.
Në vend ekziston një lloj mungese e perspektivës. Shqiptarët që kërkonin azil ishin në 2016-n në renditje të parët pas sirianëve në Gjermani, në 2017-n në Francë. Një vend që pret hapjen e negociatave nuk duhet të kishte këtë mungesë shprese…
Stephan Albani: Këto janë probleme që duhet të zgjidhen në Shqipëri. Nëse kjo nuk bëhet negocitatat për anëtarësim largohen më shumë e jo të afrohen. Prandaj duhet që palët të sundohen nga arsyeja që këto probleme t’i zgjidhin bashkë. Kriteret bazë janë përcaktuar, reforma në drejtësi, luftimi i korrupsionit, kriminalitetit të organizuar duhet të vendosen në fokus. E kjo duhet të ndjehet qartë, që nga mesi i vitit të merret një vendim, që i hap perspektiva edhe popullsisë në Shqipëri.
* Stephan Albani është parlamentar gjerman i partisë CDU dhe drejtues i grupit parlamentar për Europën Juglindore në Bundestag.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/