Llalla i përgjigjet Ramës: Prokurorët zotë të çështjes, trafiku i drogës me...

Llalla i përgjigjet Ramës: Prokurorët zotë të çështjes, trafiku i drogës me mbështetjen e atyre që duhet ta luftojnë

273
0
Shares

Kryeprokurori Adriatik Llalla ka deklaruar se institucionet duhet të vijojnë luftën kundër kanabisit, ndërsa disa prej nuk e kanë kryer si duhet detyrën e tyre.
“Do të bashkëpunojmë me Italinë për të luftuar grupet kriminale, por kjo është e pamjaftueshme. Hetimet e anti-mafias kanë zbuluar se janë trafikuar sasi droge të mëdha në Itali. Situata nuk është më e mira e mundshme. Institucionet duhet të jenë më efikase për mbledhjen e informacionit dhe referimet.
Të sigurohet kontroll më i rreptë i vijës kufitare. Këto institucione nuk kanë përmbushur korrekte detyrat e tyre. Qeveria ka hartuar një strategji, që është duke u përmirësuar është shtuar edhe forca me autoritetet franceze.
Në Shqipëri është miratuar reforma në drejtësi. Prokurorët janë zotët të çështjes, por hetimet duhet t’i zhvillojë i pandikuar edhe kur në hetim janë zyrtarë të lartë. Ne besojmë që do të punojmë që këto standarde të arrihen”, deklaroi Llalla sot, në një aktivitet të organizuar ë Tiranë nga ambasada franceze, si një formë përgjigje ndaj reagimit të djeshëm të kryeministrit Edi Rama.
Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla duke iu referuar hetimeve të antimafias italiane tha se trafiku i drogës drejt Italisë është bërë me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi të rëndë.
“Hetimet e antimafies italiane së fundmi kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë, tonelata lëndë narkotike kanabis dhe në shumë raste kjo është realizuar me mbështetjen e individëve që kanë për detyrë goditjen e këtij krimi të rëndë.
Kjo është gjendja aktuale dhe situata nuk është më e mira e mundshme. Institucionet shqiptare sipas detyrave të përcaktuara nga kompetenca e tyre ligjore duhet të jenë më efikas në veprimet në terren. Këtu e kam fjalën edhe për ato institucione e kanë për detyrë parandalimin, mbledhjen e informacionit, identifikimin dhe referimin e tyre në organin procedues të çdo rasti, si të individëve edhe të grupeve kriminale që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike.
Gjithashtu është e rëndësishme të sigurohet një kontroll më i rreptë i vijës kufitare me mjete që ka në përdorim me qëllim zbulimin në kohë të rasteve të trafikut të lëndëve narkotike. Faktet tregojnë se këto institucione më se paku nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre”, u shpreh Llalla.

Fjala e plotë e Kryeprokurorit Adriatik Llalla
Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë falënderon autoritetet Franceze dhe, në rastin konkret, Ministrinë e Drejtësisë së Francës, për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë ofruar institucionit tonë.
Një vend si Shqipëria, i cili duhet të përballojë sfida të mëdha për integrimin në Bashkimin Europian, e ka të domosdoshme të ketë në krah një shtet të madh, me demokraci të konsoliduar prej shekujsh, si Franca.
Tema e sotme e diskutimit është lufta kundër narkotikëve, teme e cila është çështje kryesore e diskutimeve në ambientin publik dhe politik shqiptar. Vendi ynë po bën përpjekje të vazhdueshme për luftën kundër narkotikëve, por gjithsesi ka ende nevojë për shumë punë, që të arrihen rezultatet e kërkuara.
Pak ditë më parë, Drejtori i Antimafias Italiane, zotit Franko Roberti, në një konferencë gjyqësore në Itali prezantoi idenë se Parlamenti Italian duhet të legalizojë drogat e lehta, për faktin se struktura që ai drejton ka vështirësi të mëdha në përballimin e hetimeve të shumta mbi trafikun e kanabisit nga disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë.
Në fakt, shqetësimi i tij nuk është i ri për Prokurorinë Shqiptare. Zoti Roberti e ka prezantuar atë edhe gjatë takimeve tona zyrtare. Prokuroria Shqiptare i ka dhënë garanci të plota Drejtorisë së Antimafias Italiane se do të bashkëpunojmë fuqimisht për të luftuar grupet kriminale që trafikojnë lëndë narkotike.
Por, përtej garancisë së shprehur nga ana jone, e cila edhe është faktuar në shumë raste, kjo është e pamjaftueshme për të arritur rezultatet e pritshme. Hetimet e Antimafias Italiane, së fundmi, kanë siguruar të dhëna se grupe kriminale shqiptare kanë trafikuar drejt Italisë tonelata lënde narkotike kanabis ne shume raste kjo është realizuar dhe me mbështetjen e individëve qe kane për detyre goditjen e këtij krimi.
Pra, kjo është gjendja aktuale, e cila më detyron të shprehem në këtë takim se situata nuk është më e mira e mundshme.
Institucionet Shqiptare sipas detyrave e detyrimeve te përcaktuara ne kompetencat e tyre ligjore duhet të jenë më efikase në veprimet në terren, si institucionet qe kane për detyre parandalimin, mbledhjen e informacionit, identifikimin dhe referimin ne organin procedues te çdo rasti si te individëve dhe grupeve kriminale që kultivojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike. Gjithashtu, është e rëndësishme që të sigurohet një kontroll më i rreptë i vijës kufitare me mjetet qe kane ne përdorim, me qëllim zbulimin në kohë të rasteve të trafikut të lëndëve narkotike. Faktet tregojnë se këto institucione me se paku nuk kane përmbushur detyrën e tyre.
Lufta kundër kanabisit është prioritet mbi prioritetet për shtetin Shqiptar. Disa muaj më parë, Qeveria Shqiptare ne bashkëpunim me partneret ndërkombëtar ka hartuar një strategji kombëtare në luftën kundër kanabisit, strategji e cila aktualisht është duke u përmirësuar.
Nga ana tjetër, është shtuar dhe forcuar ndjeshëm bashkëpunimi me autoritetet gjyqësore ndërkombëtare, përfshirë edhe autoritetet Franceze. Unë shpreh kënaqësinë që bashkëpunimi ndërmjet Prokurorisë Shqiptare dhe autoriteteve hetimore Franceze ka njohur rritje të ndjeshme, me rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.
Madje, edhe gjatë punimeve të këtij takimi, ne kemi vendosur të avancojmë me tej në drejtim të bashkëpunimit. Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë dhe Drejtoria për Çështjet Penale në Ministrinë e Drejtësisë së Francës do të nënshkruajnë Protokollin për krijimin e Ekipeve të Përbashkëta Hetimore. Qëllimi është forcimi i bashkëpunimit në çdo fushë, por sigurisht lufta kundër narkotikëve ka një fokus të veçantë.
Prokuroria Shqiptare, prej vitit 2014, ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me DNA-në e Italisë. Kjo Marrëveshje është shoqëruar me kryerjen e veprimeve të përbashkëta hetimore, të finalizuara me arrestimin e personave dhe sekuestrimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike.
Gjithashtu, Prokuroria Shqiptare shpreh vlerësimet e saj pozitive për bashkëpunimin me autoritetet hetimore të Malit të Zi dhe të Maqedonisë. Sot kemi nderin që të kemi në këtë takim Prokurorin e Përgjithshëm të Malit të Zi, zotin Veselin Vuçkoviç, si edhe zyrtarë të lartë të Prokurorisë së Maqedonisë.
Pjesëmarrja në këtë aktivitet do të shërbejë për forcimin dhe efikasitetin e bashkëpunimit mes vendeve të rajonit tonë, sidomos në shkëmbimin e drejtpërdrejtë dhe pa vonesë të të dhënave ndërmjet zyrave tona.
Kjo është ana teknike e diskutimit. Por, ka edhe një anë tjetër, e cila është shumë e nevojshme për t’u përmendur në rastet e vendeve me demokraci në zhvillim, si në rastin e Shqipërisë. Është ajo që lidhet me ndarjen e pushteteve.
Vendet e zhvilluara, me demokraci e institucione të konsoliduara, e kanë pranuar dhe perfeksionuar ndarjen dhe rolin e pushteteve në mënyrë të pavarur me njëri-tjetrin. Pushtetet bashkohen vetëm në një pikë, në forcimin e bashkëpunimit për të mirën e përgjithshme të qytetarëve. Çdo gjë tjetër funksionon në mënyrë të pavarur dhe secili ka përgjegjësitë e tij para qytetarëve dhe taksapaguesve.
Këto janë standartet e demokracisë perëndimore, të cilat në Shqipëri deklarohet se duam t’i afrohemi, por jo gjithnjë veprojmë në rrugën e duhur.
Në Shqipëri, së fundmi, është miratuar Reforma në Drejtësi. Një prej risive kryesore të saj është krijimi i kushteve për një pavarësi të plotë të prokurorëve gjatë hetimeve të tyre. Pra, ata janë zotër të çështjes. Por, kjo pavarësi e plotë e tyre nuk duhet dhe nuk mund të shërbejë si një mundësi për këdo faktor, të anatemojnë dhe godasin hetimet e prokurorëve. Është shumë e rëndësishme që prokurori, në çdo rast, të zhvillojë hetimet i pandikuar dhe i pa frikësuar, edhe në ato raste kur subjekte të hetimit janë zyrtarë apo ish-zyrtarë të lartë publikë.
Në fund të fundit, ky është standardi ndërkombëtar që Shqipëria synon t’i përafrohet. Dhe ne besojmë se, të gjithë bashkë, do të punojmë që këto standarde të arrihen në një kohë sa më të shpejtë. Kjo është një sfidë, të cilën shumë vende të tjera e kanë kaluar para Shqipërisë dhe ia kanë dalë me sukses. Edhe Shqipëria, natyrisht dhe me ndihmën dhe mbështetjen e partnerëve të rëndësishëm, si Franca, do t’ia dalë me sukses.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY