Kryeministri Edi Rama ka deklaruar përjashtimin e Saimir Tahirit nga grupi parlamentar i PS-së, deri në përfundimin e procesit të nisur ndaj tij. Tahiri u “shkurorëzua” edhe nga të gjitha funksionet politike në parti.
Këtë komunikim Rama e bëri në mbledhjen e sotshme të grupit parlamentar socialist, ku deklaroi hapur se e refuzon kërkesën e Prokurorisë për arrestimin e Saimir Tahirit sepse është arbitrare.
Por, Rama pohoi se pranon hetimin e Tahirit, ndalimin e daljes jashtë vendit dhe gjithë ndalesat e tjera ligjore, duke vërejtur se pafajësia e tij duhet vërtetuar, por jo me “letra bakalli”.
“Tahiri nuk mund të linçohet me burgosje, por të hetohet dhe ne do të vëzhgojmë procesin, provat dhe nuk do të përzihemi në proces i mbrojtës të Saimir Tahirit. Tahiri do të jetë një deputet i lirë. Ne jemi këtu. Nëse Prokuroria sjell prova, jo gazeta, që hapin rrugën për arrestimin, Komisioni i Mandateve mund të mblidhet menjëherë. Ne do ta ngremë dorën arrestit të mërkurën”.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste ditën e sotme, kryeministri Edi Rama ka sulmuar Prokurorinë për akuzat që ka ngritur ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Sipas Ramës, Prokuroria e cila nuk ka lëvizur asnjë gisht e nuk ka bërë asnjë punë që kur ka lindur, kujtohet një ditë të çojë prapa hekurave një deputet, për të cilin nuk kanë as prova.
“Të arrestojnë një deputet me burg, pa e marrë në pyetje, le pastaj pa prova. Ku u gjet ky zell i panjohur, i një prokurorie që s’ka lëvizur një gisht që kur ka lindur. As për prova e fakte që shihen ashiqare si të dyshimta nuk kanë lëvizur, le më për përgjime. Kurrë. Asnjëherë. Hiç. Asnjë gisht nuk lëvizi kjo prokurori me një bilanc memec. Me 4 fletë bakalli duan të fusnin në burg një deputet”, tha Rama.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/