PËRGJIMET/ Minat me celularë, dytë arrestuarit: Mos ta ngatërrojmë atë elbasanlliun…

PËRGJIMET/ Minat me celularë, dytë arrestuarit: Mos ta ngatërrojmë atë elbasanlliun…

164
0
Shares

Dy të rinjtë që u kapën duke transportuar 3 mina me celular në Tiranë, janë lënë në burg paraditen e djeshme nga Gjykata e Tiranës.
Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj Eraldo Kataroshit dhe Jurgen Muhos. Ndonëse vetë të arrestuarit nuk pranuan të japin shpjegime, një përgjim ambiental teksa ata bisedonin me njëri-tjetrin në qeli, është përdorur si provë e fortë nga organi i akuzës.
“Të mos e ngatërrojmë atë elbasanlliun në këtë histori. S’kemi pse t’ia përmendim emrin”.
Kjo ka qenë arma e fortë e organit të akuzës që kërkoi “arrest me burg” për dy të rinjtë, me akuzën e “mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Kjo bisedë mes Eraldo Kataroshit e Jurgen Muhos është bërë në momentin që ata qëndronin në të njëjtën qeli paraburgimi, pasi ishin arrestuar gjatë operacionit të koduar “Explosion” të Komisariatit nr. 6.
Aktualisht grupi hetimor po vazhdon veprimet për identifikimin e një personi të dyshuar për prodhimin e minave me celular, që dyshohet se ndodhet në Vlorë. Gjithashtu edhe të “elbasanlliut”, që përmendet nga dy të dyshuarit gjatë përgjimit ambiental. Burimet thanë se nga hetimet e kryera dyshohet se minat me celular do të shiteshin për një çmim rreth 1500 euro copa.

Masa e sigurisë
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, prokurori tha se në komunikimin e përgjuar, shtetasi Jurgen Muho pranon se është porositur nga Eraldo Katroshi për transportin e minave nga Elbasani në Tiranë.
Në vijim ata shprehen se duhet të mbronin personin e tretë, që sipas prokurorit është një person ende i paidentifikuar në qytetin e Elbasanit. Ky dyshohet të jetë personi tek i cili janë marrë tri minat që u sekuestruan nga Policia në rrugën “Teodor Keko”, në Tiranë.
Avokatët mbrojtës të dy të rinjve kërkuan masa më të buta sigurie duke pretenduar se përgjimi ishte i paligjshëm. Megjithatë, ky pretendim i mbrojtësve nuk u mor parasysh nga gjyqtari, i cili saktësoi se veprimi i Prokurorisë ishte miratuar nga Gjykata sipas ligjit. Avokati i Jurgen Muhos ofroi edhe një garanci pasurore prej një milion lekësh në këmbim të lirimit të klientit, por as kjo nuk u pranua.
Ashtu si edhe në deklarimet paraprake, as në sallën e gjyqit dy të rinjtë nuk pranuan të japin shpjegime në lidhje me përfshirjen e tyre në transportimin e minave me celular. Ndërsa më herët, njëri prej tyre ishte shprehur para oficerëve të Policisë se nuk kishte dijeni se çfarë kishte në pakon që ai do të transportonte me makinë, pasi nuk e kishte hapur.

Njoftimi i plotë i Policisë

Në vijim të punës për rritjen e parametrave të sigurisë kontrolleve të ushtruara për kapjen e personave me rrezikshmëri kriminale, të atyre që qarkullojnë me armë apo lëndë eksplozive, si dhe mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, është finalizuar operacioni policor i koduar “Explosion”.
Në kuadër të këtij operacioni shërbimet e policisë të Komisariatit Nr. 6, në bashkepunim me forcën e posaçme të operacioneve speciale kanë arrestuar shtetasit:
– Jurgen Muho, 24 vjeç, banues në Qesarak Tiranë.
– Eraldo Katroshi, 19 vjeç, i dënuar më parë për veprat penale të “Vjedhjes”, “Moskallzimit të krimit” dhe “Largimi nga vendi i vuajtjes së dënimit”.
Arrestimi i shtetasve të mësipërm është kryer, pasi në sajë të punës së mirëorganizuar hetimore, në rrugën “Teodor Keko”, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Volkswagen Polo”, i cili drejtohej nga shtetasi Jurgen Muho, shërbimet e policisë kanë konstatuar një çantë brenda të cilës ndodheshin 3 mina të pajisura me telekomandë.
Nga puna e mirëfilltë hetimore ka rezultuar se shtetasi Jurgen Muho, bashkëpunonte me shtetasin Eraldo Katroshi, në lidhje me veprimet që kryente.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale :
– 3 mina të pajisura me aparat të markës celular “Nokia” (me qëllim shpërthimin e tyre ne distancë dhe të pajisura me manjet).
– mjeti tip “Volkswagen Polo”.
Materialet ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprën penale ” Mbajtja pa leje e armëve, i bombave apo minave ose lëndëve plasëse në automjete apo në çdo mjet tjetër të motorizuar, në mjedise publike ose në mjedise të hapura për publikun, e kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 278/4 dhe 25 të Kodit Penal.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY