Nga Blerina Gjoka *
Prej të paktën 2 vitesh kisha planifikuar të shkoja në Theth, e bombarduar gjithandej nga imazhe të bukura si të dala nga përrallat.
Isha bërë ndjekëse e disa faqeve të bujtinave në Theth dhe shpesh më dilnin para syve foto të bukura të miqve që vizitonin këtë vend ose artikuj në media duke ma bërë edhe më ethshme dëshirën për të shkuar atje.
Të paktën 2 vite duke i thënë vetes çdo verë: Kur do shkoj në Theth? Ai duhet të jetë vendi më i bukur në botë. (…dhe në fakt është!)
Tentova të shkoj fundjavën e datës 26 gusht pasi ishte dhe një koncert me Elina Dunin, Shpat Dedën,etj., po nuk bëhej fjalë të gjeje dhomë, edhe pse telefonova një javë përpara.
Të premten e javës që shkoi vendosa ta provoj dhe një herë.
Telefonova disa bujtina, të cilat i njihja virtualisht. Nuk ka vende më thanë të gjitha. Epo, kjo tregon se ky vend është kaq i kërkuar nga turistët sa duhet të jesh me fat të gjesh vend!
Në darkë vonë më telefonojnë nga njëra prej bujtinave: “U kancelua një prenotim nga booking, nëse doni ejani”.
Lumturi e madhe! E pyes zotërinë: “Ne kemi makinë të ulët, a kalon dot?”
Përgjigja: “Rruga është e pashtruar 15 km që të sjellin në fshat, por kalohet me kujdes”.
Gabim! Fjala e tij dhe mungesa e informacionit nga ana ime më la 4 orë në mes të maleve, pasi u shpua goma në rrugën me gurë gjithë cepa dhe pse ecëm me shpejtësi më pak se 10 km në orë.
Ja këshillat e mia për ata që nuk kanë vajtur akoma në Theth
1 – E para gjë që do të duhet të dini kur shkoni në Theth është; Rruga nuk kalohet me asnjë makinë tjetër përveçse makinë e tipit fuoristradë, pra të jetë e lartë, të jetë 4×4, e kontrolluar më parë te tekniku që është në kushte optimale. Mos harroni kriko, gomë rezervë dhe të gjitha mjetet teknike. Mund të shkoni dhe me furgon ose kamion, por jo me Benz B-class, siç bëra unë, ose me makina të tjera të ulëta, të vogla.
Gjëja më vogël që mund t’ju ndodhë është shpuarja e gomës, se mund t’ju çahet edhe serbatori apo t’ju prishet motori. Një karrotec që t’ju marrë atje kërkon të paktën 30 mijë lekë të reja. Historitë për familje që kishin mbetur në mes të natës në mal, ose për makina që ishin lënë me javë parkuar në Qafë Thore tregonin plot në Theth. Mos rrezikoni të bëheni pjesë e një historie të tillë, në fund të fundit keni shkuar për qejf.
2 – Mos hezitoni të kërkoni ndihmë! Banorët e zonës janë shumë të gjendur ndaj turistëve kur u ndodhin avari në rrugë. Të mos ishte Mondi, (mbiemrin nuk ia mësova dot) që ndaloi, nxori mjetet e punës dhe na ndihmoi të vinim gomën rezervë, e më pas na bleu një gomë të përdorur në Shkodër e na e dërgoi me miqtë e tij, makina jonë do të ishte sot akoma në Theth. Në fshat ndodhet dhe një djalë që nxjerr jetesën duke bërë mekanikun me turistët që u mbetet makina në male. Quhet Ylber dhe të gjithë ia kanë numrin e telefonit, por nëse ai nuk është atje, do të kërkoni ndihmë banorëve të zonës që e bëjnë atë rrugë shpesh.
3 – Që mos të rrezikoni, parkoni makinën në fshatin Bogë që është para rrugës së prishur të Thethit dhe merrni një taksi që ju çon atje. Taksia kushton 60 euro vajtje-ardhje brenda ditës dhe Gjeloshi, i zoti i Fuoristradës, thotë se ju bën edhe guidë në pikat turistike të natyrës në Theth. Nëse 60 euro ju duken shumë, do ta kuptoni se do ju dalë më shumë amortizimi i makinës tuaj kur të ktheheni, edhe nëse jeni me fat e nuk ju shpohet goma.
4 – Nëse jeni tip nazeli dhe u pëlqen rehati ose jeni mësuar vetëm në hotele me 5 yje, mos e merrni mundimin të shkoni atje; nuk është për ju!
Në Theth ka vetëm Bujtina, që do të thotë “krevat dhe mëngjes” me 15 euro personi. Shumica nuk kane banjo personale në dhomë. Preferohet të jesh grup shoqëror, pasi dhomat kanë 4 ose 5 krevatë. Megjithatë nuk mungojnë as bujtinat me banjë dhe dush në dhomë dhe me krevat dopio. I vetmi hotel në Theth është Bjeshkët e Namuna, ish-kampi i punëtorëve, i privatizuar. Aty mund të keni banjon tuaj në dhomë, por mos prisni kushedi se çfarë nga kushtet. Një hotel që vihet në funksion vetëm 3 muaj verë, pasi në dimër mbyllet dhe rrënohet, dhe pronarëve u duhet të investojnë çdo vit përsëri në të.
5 – Mos kërkoni fruta deti në Theth, as karbonara ose lloje të tjera makaronash. (Dy çifte nga Tirana e bënë këtë). Ej, njerëz jeni në mes të Alpeve, jeni në fshatin më të thellë. Atje hahet mish derri, qengji ose viçi, hahet mazë (gatim tradicional me djathë, gjalpë e miell misri. Super!), hahet buka e bërë vetë, djathi, patate furre, byrek dhe kos, por mos kërkoni gjë tjetër.
6 – Nuk ka fashion-party në Theth. Duhet të marrësh atletet më të vjetra që ke, që t’i prishësh atje. Ose mundësisht këpucë kambale, të gjithë turistët e huaj vishnin të tilla. Rroba pambuku, tuta, bluzë me mëngë të shkurtra dhe një me mëngë të gjata. Disa palë çorape dhe një kapele.
7 – Ecni në këmbë! Nga fshati tek Ujëvara ose Syri i Kaltër, dy atraksionet më të bukura të natyrës, por jo të vetmet, ishte të paktën 1 orë me makinë. Kujdes, ishte rrugë për zetor, jo për makinë, pra më e mira ishte ta bëje në këmbë. Nëse je tip që nuk të pëlqen ecja, ke probleme me zemrën, ose nuk je fare tip sportiv, më mirë lërë fare këtë gjë, nuk është sport për ty. Shqiptarët ishin turistët më të llastuar, shkonin me makinë deri afër dhe pastaj mezi ngjiteshin 20-30 minuta në këmbë. Të huajt e bridhnin gjithë zonën në këmbë.
8 – Koha më e bukur për ta vizituar. Shumica e turistëve vërshojnë në verë aty, por banorët e zonës të thonë se periudha më e bukur për t’a vizituar është maji- qershori, që atje përkon me ardhjen e pranverës, ku fushat e fshatit janë të mbushura me lule ose 2-javëshi i fundit i shtatorit, ku ka nisur vjeshta dhe pylli me ahe merr ngjyrat më të bukura, e gjelbër, e kuqe, e nuancat e së verdhës.
9 – Vetëm apo me agjenci?! Agjencitë turistike kanë paketat 79-euroshe për një natë dhe një ditë në Theth, por duhet të dini se kaq nuk mjaftojnë për ta shijuar atë vend. Duhet të rrini të paktën 2 net dhe 3 ditë ose 5 ditë që të shëtisni dhe të përjetoni gjithë atë bukuri. Ndryshe do të ikësh i pangopur që aty me dëshirën që të kthehesh prapë një ditë…edhe hajt të bëhesh mbarë. Agjencitë kanë dhe një gjë tjetër që të ngre nervat, duhet të bëheni 20 veta në një mendje. Grupi që ndodhej aty kur ishim ne nuk arritën të shkonin tek Syri i Kaltër sepse binte shi paradite dhe një grua rreth të 50-ve që kishin në grup i bindi që nuk shkohet në shi se ka baltë e rrëshqet. Por shiu në Theth nuk të krijon asnjë pengesë. Rrugët dhe shtigjet janë me shumë gurë dhe nuk krijojnë baltë. Mjaft të presësh të hapet pak koha.
10 – E fundit! Nëse do të shijosh natyrën me të vërtetë shko në ditë jave kur s’ka shumë popullim, merr bukë me vete dhe bëje një piknik ose pranë ujëvarës ose te Syri i Kaltër. Ujë dhe pije nuk të duhen te Syri i Kaltër, pasi Shukja, një banore e zonës që ka shtëpinë aty ngjitur, ka menduar për këtë. Me një kovë të madhe mbushur me birra dhe pije të ndryshme të futura në ujin e akullt, me çmimin 200 lekë të reja për pije, ajo ka ngritur një biznes veror, jo pak fitimprurës. Bashkëshorti i saj ka sajuar disa tavolina prej druri që shkojnë në harmoni me natyrën, nga ku mund të shijosh për 1 orë ose më shumë një pikturë të gjallë të natyrës që do të mbetet në mendje shumë gjatë.
Mos harroni të merrni qeset dhe plehrat tuaja kudo që shkoni dhe t’i hidhni në kosh! Rreziku më i madh që i kanoset atij vendi është NJERIU! Njeriu është i aftë ta prishë atë që ka krijuar natyra…por ju lutem mos e bëni ju këtë gjë!
* E pangopur me bukurinë e Thethit dhe me dëshirën që t’i dija këto 10 gjëra para se të nisesha.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/