Të vërtetat e dy akuzave mbi Kadarenë…

Të vërtetat e dy akuzave mbi Kadarenë…

225
0
Shares

Ismail Kadare një prej shkrimtarëve më të njohur sot në botë, vitet e fundit në shtypin shqiptar ka qenë më shumë I pranishëm për raportin e tij me regjimin, sesa me letërsinë. Gazetarja dhe studiuesja e letërsisë Alda Bardhyli në një analizë të botuar sot në gazetën Mapo, analizon dy nga akuzat që I bëhen më shpesh Kadaresë këto vite, që janë deklarata e tij mbi emigrantët shqiptarë, duke I quajtur jashtëqitja e kombit, dhe nacionalizmi I theksuar sidomos ndaj gjuhës dhe kulturës serbe. Kjo e fundit ka qënë një akuzë e ritheksuar shpesh në shtyp dhe nga analisti Fatos Lubonja, I cili e ka akuzuar drejtpërdrejtë Kadarenë për fyerje të gjuhës serbe. Në analizën e saj Bardhyli, kritikon studiuesit shqiptarë që përgjatë këtyre dy dekadave që këto akuza vijojnë të riciklohen në shtyp, nuk kanë dënjuar të hulumtojnë të vërtetën e tyre. Në një rilexim që ajo na sjell nga libri ‘Ftesë në studio’ ku sipas Lubonjës, Kadare e quan gjuhën serbe ‘jevgë’, ndërsa shqipen ‘zonjë të rëndë’, del që kjo shprehje ka dalë jashtë kontekstit në të cilën e ka thënë shkrimtari.
Ja çfarë shkruan Bardhyli…

Alda Bardhyli

“Mjafton një rilexim i librit ‘Ftesë në studio’ ku sipas Lubonjës, ‘Kadare e quan gjuhën serbe jevgë’, për të parë një nga rastet flagrante të mungesës së kritikës shqiptare, e cila përgjatë gjithë këtyre viteve që përsëriten këto akuza, nuk ka denjuar qoftë edhe njëherë të hapë librin, për të lexuar se çfarë vërtet Kadare ka shkruar aty. Teksa flet për Ballkanasit, Kadare me të drejtë thotë se ‘shqiptarët kanë patur qejf të mburren. Por, ndërsa njerëzit e thjeshtë janë mburrur kryesisht me trimërinë dhe nderin, intelektualët, veç të tjerash janë mburrur për racën dhe sidomos për gjuhën shqipe. Për ta, ajo ishte hyjnore’.
Megjithatë, thotë Kadare më tej, ‘shqiptarët s’kanë pse të përndizen nga gjuha e vet, e aq më pak ta quajnë atë ‘gjuhë perëndie’ siç ka ndodhur shpesh…’. Teksa ‘kritikon shqiptarët për mburrjen e drejtë’, Kadare ndalet dhe te sulmet që ka pasur ndër vite gjuha dhe kultura shqipe. Për të ilustruar këto sulme, ai merr dhe analizon një nga librat më të keq shkruar ndonjëherë për shqiptarët që është libri ‘Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha’ i ish-kryeministrit serb Vladan Gjeorgjeviçit, një nga librat më antishqiptar. Libri u përkthye në vitet ‘30 me një guxim nga Mustafa Kruja, çka bëri që të lexohej masivisht nga kasta intelektuale shqiptare e kohës, që nuk denjoi të shprehte indinjimin, ndaj mënyrës sesi ishin trajtuar nga Gjeorgjeviç. Kadare pohon, se përgjigjet ndaj Gjeorgjeviçit në shtypin shqiptar ishin të tmerrshme, por ai kishte fyer disa gjëra për të cilat shqiptarët s’të falin kurrë: racën, virtytet, dhe gjuhën e tyre. Fyerja ndaj gjuhës shqipe do të sillte zemërim te gjuhëtarët.
Teksa përshkruan mënyrën sesi u prit ky libër në shqip, Kadare shkruan tekstualisht: ‘Ata që diçka dinin për gjuhësinë e për ndarjen e gjuhëve, nuk e patën të vështirë të gjenin se gjuhët, ashtu si racat, madje më bindshëm se racat, ndaheshin në gjuhë të zhvillimit të lartë, të mesme dhe të ulët. Për fatin e shqiptarëve, gjuha shqipe (gjithmonë sipas të bekuarve gjermanë), hynte në gjuhët më të larta, flektive, në kohën që dëshpërimin e serbëve gjuha e tyre cilësohej si gjysmë aglutinative (e varfër, pa prapashtesa), pra një gjuhë e shkallës së dytë, që më shumë i afrohej gjuhëve turanike (turke), se sa europiane. Kaq u mjaftonte shqiptarëve dhe ata shpejtuan t’i mbyllin prapë librat. Madje, shumica as që i kishin hapur, sepse kishin aq shumë zjarrmi në shpirt saqë mund të bënin edhe pa to. Ashtu siç pritej, gjuha e moçme shqipe u krahasua me një zonjë të rëndë, përbri së cilës serbishtja, s’qe veç një shërbëtore jevgë, një kosh plehrash i mbushur përgjysmë me mbeturina të sllavishtes dhe përgjysmë me fjalë arixhinj. Pasi u duk se i lujtën përjetë llogaritë me serbishten, gazetarët e poetët iu kthyen prapë gjuhës shqipe, si ata që kërkojnë të qetësojnë zonjën e madhe të fyer keq. Asaj iu bënë lavde e lajkatime të reja, duke e quajtur më të bukurën, më të mençurën, e më parajsoren mbi dhe. E krahasuan me zërin e bilbilit, me shushurimën e flatrave të engjëjve, me puhizën e buzëmbrëmjes etj., krahasime jo fort të besueshme për një gjuhë e aq më pak për shqipen e rreptë’.
Siç shihet fjala ‘jevgë’ është vërtet në tekst, por konteksti në të cilën ajo është përdorur nuk shpreh pikëpamjet e shkrimtarit ndaj një gjuhe e një kulture, për të cilën ashtu siç shkruan më tej te ‘Ftesë në studio’, janë ‘prova e madhe e qytetërimit të shqiptarëve’.
Nëse në gjuhën serbe mund të gjesh libra kundër shqiptarëve është e vështirë të pikasësh një të tillë për kulturën serbe në gjuhën shqipe. Përkundrazi në këtë rrëfim Kadare është në pozitat e një shkrimtari bashkëkohor, me një vizion europian, teksa pranon që pavarësisht raporteve historike që shqiptarët kanë pasur me serbët, prova e tij e madhe me ndërgjegjen është të shkruajë për ta. Ashtu si pas përfundimit të Eskilit, kuptoi se i ardhur nga një qytet kufitar siç ishte Gjirokastra me Greqinë, kishte mundur të superonte të gjitha rezervat që mund të kishte pasur ndaj popullit grek, të njëjtën gjë do donte ta bënte dhe me një vepër mbi një popull tjetër të rëndësishëm fqinj, siç janë serbët.
‘Prova me serbët mendohet të jetë pa dyshim më e madhja e të gjithave. Duke ëndërruar për të, më pëlqen të mendoj se edhe ajo do të kalojë’, shkruan Kadare. Në një intervistë të dhënë pas daljes së librit për Eskilin, ka thënë se në qoftë se do të shkruante diçka të tillë, domethënë me kaq dashuri, edhe për kulturën ose letërsinë e kombit serb, do ta quante këtë si një proces përkryerje të ndërgjegjes së tij. E Kadare, vazhdon t’i përmbahet këtij mendimi. Gjithmonë e më me bindje”.
Ndërsa për sa I përket deklaratës ku Kadare I quan emigrantët shqiptarë jashtëqitje e kombit, Bardhyli shpjegon…
“Kjo deklaratë mendohet të jetë thënë nga Kadareja në mitingun e organizuar në vitet ‘90, me rastin e largimit të emigrantëve, një miting ku shkrimtari refuzoi të shkonte.
Në një miting ku morën pjesë gati 100 mijë veta, askush nuk është ngritur ta përgënjeshtrojë këtë deklaratë, dhe pse shkrimtari nuk ka qenë i pranishëm. Duke njohur mekanizmin e komunizmit, mënyrës sesi kërkonte të nxiste urrejtje ndaj figurave kryesore përmes sajesave apo trillimeve, Kadare është shprehur se e ka lënë në heshtje këtë deklaratë që i është vendosur pas si një damkë, e që shpesh nuk mungon as në shtypin e huaj, pavarësisht se nuk ka asnjë zë apo figurë që ta faktojë atë. Shkrimet e para të Kadaresë në shtypin francez pas ikjes nga Shqipëria kanë qenë në mbrojtje të emigrantëve shqiptarë, por këto shkrime kanë qenë pothuajse të padukshme përballë shpejtësisë me të cilën u përhap kjo deklaratë.
Në një intervistë të dhënë në Panorama ish-sekretari i PPSH-së Xhelil Gjoni, duke folur për ngjarjen e 2 korrikut 1990, jep edhe një detaj që hedh dritë mbi këtë deklaratë: ‘Por unë jam dëshmitar i një fakti që nuk e luan topi: në një moment, Ramiz Alia, unë në atë kohë isha ndihmës i tij, më ka thënë: ‘Ore më kanë thënë që Kadare paska thënë për këta të ambasadave se janë jashtëqitje e kombit. Nuk i thua që të bëjë një poezi për këta?’. Duket se Ramizit i pëlqeu kjo figurë. Unë e gjej Kadarenë në sallën e Kuvendit Popullor dhe i them se shoku Ramiz ka dëgjuar se ti ke thënë që qytetarët e ambasadave që ikën janë jashtëqitje e kombit. Ramizi më porositi të them se ai sugjeron të bësh një poezi për këtë çështje. Ismaili më tha se këto fjalë nuk i kishte thënë. Kjo është e vërteta. Se nga e dinte Ramizi, është punë e tij’.
Në ato ditë të trazuara për vendin dhe shkrimtarin, siç ishte rënia e regjimit komunist, kjo shprehje, jehona e së cilës vazhdon të eci ndër vite, nuk duhet të ketë qenë gjë tjetër veçse një nga grahmat e fundit të hakmarrjes së pushtetit, ndaj një prej personaliteteve që kishte pasur më shumë rezistencë ndaj tij”.
Në anaizën e saj Bardhyli evidenton dhe praninë për herë të parë në letrat shqipe pas viteve 90-të temën e homoseksualizmit, te dy librat e Kadaresë, ‘Aksidenti’ dhe ‘Vjedhja e gjumit mbretëror’.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY