Aksidentoi për vdekje policin, djali i ish-deputetit socialist nuk pranon të kryejë...

Aksidentoi për vdekje policin, djali i ish-deputetit socialist nuk pranon të kryejë dënimin

1494
0
Shares

Vitin që kaloi djali i ish-deputetit të PS-së, Ndue Kola, Arnold Kola aksidentoi për vdekje një oficer policie në bulevardin e Kamzës, dhe është dënuar me dy vjet burg.

Gjykata e Tiranës e ka shpallur fajtor Arnoldin për kryerjen e veprës penale “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe e ka dënuar atë me 2 vjet e 6 muaj burg. Po ashtu, 23-vjeçari është gjetur fajtor edhe për veprën penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, duke u dënuar për këtë vepër me 1 vit burg. Në bashkim të dënimeve, Kola u dënua përfundimisht me dy vjet burg, për shkak se ai është gjykuar me gjykim të shkurtuar. Vendimi i gjykatës është dhënë më 19 korrik 2017. Por, ky vendim nuk është pranuar nga i pandehuri Arnold Kola, i cili e ka apeluar vendimin e Shkallës së Parë.

 

Ngjarja

Ngjarja për të cilën ai akuzohet, ka ndodhur më datë 25.09.2016 rreth orës 21:15. Mjeti tip “Lexus” me drejtues të pandehurin Arnold Kola ka qenë duke qarkulluar në bulevardin në Kamëz me drejtim lëvizje “Kamëz-Institut”, me shpejtësi tej normave të lejuara. Kur mjeti është afruar përpara shkollës së mesme Kamëz, përpara tij po qarkullonte një automjet tjetër në të njëjtën korsi dhe në të njëjtin drejtim dhe për të parakaluar këtë automjet për shkak të shpejtësisë që kishte, i pandehuri ka tentuar që këtë parakalim ta bënte në krahun e djathtë të lëvizjes së tij. Pikërisht në vendin e sipërtreguar, ka qenë e planizuar një patrullë policie nga ora 14:00-22:00. Pjesë e patrullës ishin oficerët e policisë Ervin Haxhia, Besmir Voji dhe Ismail Hoxha.

Si pasojë e shpejtësisë me të cilën po qarkullonte i pandehuri me automjetin e tij si edhe në kushtet e përdorimit të alkoolit, ai ka përplasur në pjesën e pasme automjetin e Policisë, ku nga kjo përplasje automjeti i të pandehurit është rrotulluar në 180 gradë, duke përplasur më pas një makinë tjetër të parkuar. Pas përplasjes automjeti i Arnold Kolës është përplasur edhe me trafikndarësin duke u përmbysur dhe zhvendosur për 40 metra nga vendi i ngjarjes.Rezulton nga aktet se nga ky aksident ka gjetur vdekjen punonjësi i policisë shtetasi Ervin Haxhia, si edhe janë dëmtuar punonjësit e policisë Besmir Voji dhe Ismail Hoxha, të cilët ndodheshin nëautomjetin e Policisë tip “Furgon”. Nga ana e drejtuesit të mjetit të Policisë nuk janë konstatuar shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor mbi ekzaminimin e kufomës së shtetasit Ervin Haxhia është konkluduar se shkaku i vdekjes ka qenë dëmtimi i trurit si pasojë e traumës së kokës, dëmtim i cili është shkaktuar me mjet të fortë, jo të mprehtë. Sipas verifikimeve të bëra lidhur me këtë ngjarje, në vendimin e gjykatës thuhet se ka ndodhur nën konsumimin e pijeve alkoolike në masën 0.57mg/l.

 

Dëshmitë

Nga ana e tij, i pandehuri Arnold Kola rreth ngjarjes ka pohuar se ditën e ngjarjes ai ka qene tek disa të njohur ku edhe ka konsumuar alkool. Më pas ai është nisur në drejtim të Tiranës me automjetin e tij, i cili ka qenë vetëm në të. Pasi është futur në Kamëz dhe ka hyrë në rrugëtë drejtë duke ecur me shpejtësi të madhe mbi 80 km/orë në korsinë e shpejtësisë pranë bordurës ndarëse me anën tjetër. Duke ecur, ai ka vënë re para dy makina që po ecnin po në korsinë e tij po që nuk i ka dalluar mirë se çfarë ishin se po ecte me shpejtësi. Më pas ka hyrë në parakalim në krahun e kundërt të automjeteve që kishte përpara dhe në këtë moment automjeti i ka dalë nga kontrolli duke goditur një makinë të parkuar si edhe mjetin që i ka hyrë në parakalim në krah të kundërt. Ngjarja ka ndodhur në shumë pak sekonda dhe nuk i kujtohet sesi e ka goditur pasi ka dalë nga rruga duke përfunduar me mjetin të përmbysur. Më pas ka dalë nga makina dhe ka vënë re një punonjës policie të shtrirë në rrugë që po i dilte gjak dhe ka parë furgonin e policisë të dëmtuar dhe aty ka kuptuar se kishte goditur furgonin e policisë. Më pas ai është shoqëruar për në komisariatin e policisë. Në këtë gjykim, i pandehuri si edhe nëpërmjet avokatit të tij mbrojtës, ai duke pranuar dhe njohur njëkohësisht vlerën e akteve, i kërkoi gjykatës procedimin e tij me gjykim të shkurtuar, kërkesë të cilëngjykata me vendim të ndërmjetëm e pranoi.

 

Policët e plagosur

Punonjësit e policisë që mbetën të plagosur si pasojë e këtij ak sidenti të ndodhur në shtator të – vitit të shkuar, treguan para gjykatës se më datë 25.09.2016 ka qenë me shërbim patrulle të përgjithshme nga ora 14:00 – 22:00 dhe rreth orës 21:00 janë nisur me mjetin e policisënga qendra e Kamzës në drejtim të Bathores bashkë me punonjësit e tjerëduke patrulluar për ngjarje të ndryshme. Sipas tyre, kur ata janë afruar afër shkollës së mesme të Kamzës kanë dëgjuar një krismë nga prapa mjetit të policisë dhe pastaj kanë parë veten në asfalt. Në momentin e goditjes mjeti i tyre ka qenë në korsinë e krahut të djathtë dhe ka qenë duke ecur me shpejtësi rreth 30-40 km/ore. Ndërkohë, një dëshmitar okular është shprehur se ai ka qenë ndodhur në një lokal kur ka parë që ka kaluar me shpejtësi një makinë që i ka tërhequr vëmendjen dhe menjëherë ka dëgjuar një zhurmë si ajo e frenimit të gomave dhe një zhurmë të fort përplasjeje. Pasi ka dale jashtë, ai ka parë tym të madh dhe duke uafruar nga vendi ku vinte tymi ka parë se ai mjet ishte përplasur me një furgon policie targat nuk ja ka fiksuar, si edhe një punonjës policie i shtrirë në tokë i gjakosur.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY