Lulzim Basha, deklarata e parë pas zgjedhjes: Një premtim i fortë për...

Lulzim Basha, deklarata e parë pas zgjedhjes: Një premtim i fortë për demokratët

95
0
Shares

Kreu i sapozgjedhur i PD-së, Lulzim Basha falenderoi sot të gjithë votuesit për mbështetjen që i dhanë duke thënë se PD humbi zgjedhjet por jo besimin tek Partia e tyre. Ai theksoi se pjesemarrja e madhe ne votime konfirmoi interesin e demokrateve per te vazhduar perpara ndersa tha se akti i djeshme nuk eshte dere e mbyllur per askend.

“Falenderoj të gjithë demokratë që u përfshinë në fushatën zgjedhore, numëruesit dhe vëzhguesit, komisionertë si dhe Eduard Selamin që vlerësoi demokratë dhe shkoi përpara tyre me një projekt.

Unë jam i prekur dhe mirënjohes ndaj të gjithë demokratëve. Ndjehem thellësisht i përulur, i di vërejtjet dhe pritshmëritë tuaja ndaj meje. Vota juaj për mua një borxh i madh dhe detyrim shpirti ndaj cdo demokrati. Ky borxh mund të shlyhet vetëm duke e kthyer PD në drejtimin e vendit”, tha Basha.

Në vijim Basha tha se misioni i PD është mision kombëtar. “Ne duhet të shohim përpara. Dua të garantoj të gjithë se PD do të jetë më demokratike duke i dhënë pushtet asaj. Vendimarrja do të jetë në duart e anëtarëve, ata do të zgjedhin të zgjedhurit e tyre. Do pyeten e do të shprehen dhe cdokush që do të marrë pushte nga demokratët duhet ta dinë mirë këtë”, tha ai.

Vota dhe bashkimi i djeshëm është detyrë dhe kontratë e re për vendin për ta bërë Shqipërinë një vend për të jetuar, të sigurtë, të lirë, ku paratë e shtetit janë instrumenta për njerëzit dhe jo këta për shtetin, deklaroi kryetari i sapozgjedhur i PD.

Basha nuk përmendi në këtë deklaratë ata që kundërshtuan kandidimin e tij dhe bojkotuan dje votimet në PD.

Deklarata e plote:

Partia Demokratike tregoi dje se është forca politike më vitale në vend, me afro 60 mijë anëtarë të cilët dolën dhe votuan duke shënuar me pjesemarrjen më të madhe deri më sot në Shqipëri, në zgjedhjet një anëtar një votë.

Kjo pjesmarrje masive në zgjedhjen e kryetarit, është dëshmia e besimit të demokratëve tek partia jonë dhe vlerat e demokracisë.

 

Është shenjë se ata janë të fortë, se ata janë bashkë. Por është edhe tregues se demokratët janë të vendosur të punojnë për forcimin e Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë. Është mesazhi se e ardhmja e Partisë Demokratike është e sigurtë.

Dua të falenderoj të gjithë anëtarët dhe drejtuesit e Partisë Demokratike që morën pjesë masivisht dhe aktivisht në bashkëbisedimin dhe debatin e fushatës për zgjedhjen e kryetarit të Partisë Demokratike në të 68-të degët e saj anembanë vendit.

Dua të falenderoj komisionerët, numëruesit, vëzhguesit dhe të gjithë anëtarët e familjes tonë politike që kontribuan me përkushtim dhe integritet në administrimin e procesit zgjedhor.

Dua të falenderoj Eduard Selamin që i vlerësoi demokratët dhe shkoi para tyre me një projekt, me një alternativë, dhe ju bëri atyre thirrje të marrin pjesë e ta votojnë.

Sot jam i prekur dhe thellësisht mirënjohës ndaj të gjithë ju demokratëve për besimin që më dhatë. Vota juaj më bën të ndihem thellësisht i përunjur. Sepse unë i njoh shqetësimet tuaja për gjendjen ku jemi, i di brengat tuaja, i di vërejtjet dhe pritshmëritë tuaja ndaj meje, sikurse i njoh shpresat dhe dëshirat tuaja.

Ndaj dua t’ju them se vota juaj është për mua një borxh i madh, një detyrim shpirti ndaj çdo demokrati, borxh që do j’ua kthej duke punuar çdo çast, me përkushtim dhe vendosmëri, me ndershmëri dhe dinjitet, borxh që mund të shlyhet vetëm duke e kthyer Partinë Demokratike në drejtim të fateve të vendit.

Vota e 60 mijë demokratëve konfirmoi dje se kauza jonë e zgjedhjeve të lira, e çlirimit të vendit nga korrupsioni e droga, e kthimit të politikës tek qytetari, është kauza e drejtë e kohës, është kauza me më shumë mbështetës të lirë e të vendosur sot, dhe një kauze që do të shkojë përpara pa u ndalur.

Gara dhe mënyra qytetare dhe europiane e votimit për kryetarin e Partisë Demokratike treguan para të gjithëve se Partia Demokratike është parti e madhe, parti perëndimore, parti europiane.

Ne demokratët vërtet humbëm zgjedhjet por nuk humbëm besimin tek partia jonë dhe tek vetja. Ne nuk kemi humbur vlerat, nuk kemi humbur dinjitetin, nuk kemi humbur forcën dhe kurajon, nuk kemi humbur qytetarinë, nuk kemi humbur shpirtin tonë  europian.

Me vlerat tona, me vendosmërinë dhe punën tonë, ne do të rifitojmë besimin e shqiptarëve dhe do të japim kontributin tonë të pazëvendësueshëm për të ardhmen e Shqipërisë.

Misioni ynë është mision kombëtar, dhe Partia Demokratike është garancia për përparimin e Shqipërisë, është forca që do ta çojë përpara vendin.

 

Që të përmbushim aspirat dhe pritshmëritë që ne kemi për veten, dhe që gjithë shqiptarët kanë ndaj nesh, ne duhet të shohim përpara, duke u përmirësuar, duke u demokratizuar, duke u modernizuar.

Sot dua të garantoj të gjithë se:

 

Partia Demokratike do të jetë më demokratike, duke i dhënë pushtet anëtarëve të saj dhe duke e kaluar vendim-marrjen për çështjet kryesore tek anëtarët.

Dua të siguroj të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike se vendimmarrja do të jetë në duart tuaja se ju do të shpreheni, ju do të vendosni siç bëtë dje, çdo ditë në vijim, se kush do jenë përfaqësuesit tuaj, të zgjedhurit tuaj.

Ju garantoj se asnjë prej jush nuk do të nëpërkëmbet, por do të pyetet e do të shprehet, dhe çdokush që do marrë pushtet nga demokratët do ta dijë mirë këtë, e nuk do ta harrojë për asnjë çast.

 

Por po ashtu, akti i djeshëm, nuk është aspak një derë e mbyllur.

 

Përkundrazi tregon se çdokush që vendos Partinë Demokratike të parën, që zgjedh kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që zgjedh qytetarin e jo rehatinë personale, që vendos të luftojë drogën, krimin e korrupsionin, është i mirëpritur, është pjesë e jona, dhe jemi të gezuar ta kemi mes nesh edhe nëse për një moment ka humbur rrugën.

 

Vota dhe bashkimi i djeshëm është edhe një detyrë dhe kontratë e re, jo vetëm për demokratët, por për vendin, që na angazhon, e më angazhon mua shumëfish, me pergjegjësinë për ta bërë Shqipërinë një vend të mirë për të jetuar.

Një vend të sigurtë, të lirë, një vend ku sundon ligji, ku vendos qytetari, ku qeveria nuk shkel me këmbë por shërben, ku paratë dhe instrumentat e shtetit janë për njerëzit, e jo njerëzit instrumenta të pushtetarëve.

Për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, siç kumton thirrja që lindi Partinë Demokratike.

 

Ky projekt u konfirmua dje dhe do të vazhdojë me çdo kusht.

Zoti e bekoftë Partinë Demokratike!

Zoti i bekoftë  demokratët!Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY