Meraku i fundit i Dritëroit ishte fati i dorëshkrimeve, të cilat ai nuk arriti dot t’i botonte. Bashkëshorten e Dritëroit, Sadije Agollin, e gjejmë në ballkonin e spitalit, duke u ngushëlluar si pa kuptuar me cigaren e saj, ndërsa vështrimin e kishte ngulur thellë në errësirë.
“Çfarë do bëhet me dorëshkrimet dhe gjithë ato dosje që kemi në shtëpi, Sadije?’, ky ishte shqetësimi i ditëve të fundit të Dritëroit”. Sadija me qetësinë që e shoqëron vazhdimisht, i ishte përgjigjur se të gjitha do të sistemohen, vetëm t’i bëhu mirë.
Bashkëshortja e tij prej 53 vjetësh tregon se gjendja e Dritëroit u përkeqësua të mërkurën e kaluar, 10 ditë më parë, në 3:30 të mëngjesit, duke e sjellë me urgjencë në Sanatorium për ndjekje më të specializuar, dhe pse mjeku që e ndjek prej kohësh është nëndrejtori i këtij spitali, Arian Mezini. Dritëroi që prej dy vitesh nuk ka qenë në gjendje të mirë shëndetësore, veçanërisht në rrugët e frymëmarrjes, por pa i rënë asnjëherë dëshira për të qenë i angazhuar në publik dhe për të pritur njerëz në shtëpi.Edhe më parë familjarët kishin kërkuar që ai të shtrohej në spital, por ai nuk kishte pranuar.
Madje, biseda për t’u shtruar në spital e bënte atë shumë nervoz. Sadija tregon se shtrimi në spital nuk i jepte aspak gjendje të mirë shpirtërore.“Më thoshte se mjeku më duket si polic, edhe pse mjekët ishin shumë të përkushtuar me të. Dua të jem në shtëpi me ty”, shprehet Sadija për ditët e shtrimit të tij në spital. Në korridor Artani, djali, është i përlotur, ndërsa vajza, Elona, ndodhet me mjekët dhe personelin e spitalit në sallën e reanimacionit.
Telefoni i Sadijes nuk pushon.“Më kanë marrë nga Kosova, nga Italia dhe nga Franca dhe më ngushëllojnë, duan të ndajnë hidhërimin me mua”, shprehet Sadija. Edhe pse kishte ditë që gjendja shëndetësore e shkrimtarit të madh ishte përkeqësuar, Sadija shprehet se iku papritur.
“Dy ditë më parë e shkëputën nga pajisjet e frymëmarrjes dhe nisi të merrte frymë vetë, duke e ndihmuar me oksigjen. Pashë se u bë më mirë dhe kjo na bëri pak optimistë. Na iku si papritur! Parametrat e organeve të tij u përkeqësuan menjëherë dhe nuk po e përballonin dot më rëndimin që sëmundja kishte shkaktuar”, tha për “Panoramën” Sadija.
E pyesim nëse Ana, mbesa që studion në Paris, ka mundur të vijë këto ditë, Sadija më thotë se ajo është nisur. “Kërkuam një ilaç që do t’i parandalonte hemorragjinë cerebrale dhe nuk e gjetëm, e porositëm në Francë dhe e gjeti Ana dhe, me qejfin e madh se gjeti ilaçin për gjyshin, i cili e kishte pikë të dobët, po fluturonte të vinte. Por nuk e arriti dot”, shprehet Sadija në momentet më të vështira të jetës së saj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/