Një ‘Brexit’ i ri edhe në Itali?!

Një ‘Brexit’ i ri edhe në Itali?!

44
0
Shares

Italianët do të votojnë më 4 dhjetor në një referendum, i cili mund të testojë ndjenjën anti-BE në vend. Votimi, i cili pason referendumin e qershorit në Britani për dalje nga blloku evropian dhe zgjedhjen e Donald Trumpit president i SHBA-së, prapë thekson rritjen e forcave populiste.

Në referendum, italianët do të miratojnë ose jo një propozim të kryeministrit pro-evropian, Matteo Renzi, për të rritur pushtetin e tij, në mënyrë që të mund të ecë përpara me reformat ekonomike.

Partitë anti-BE u bëjnë thirrje italianëve që të votojnë me “Jo”, me shpresë për të shkarkuar Renzin nga posti dhe për t’i hapur rrugën daljes së Italisë nga Eurozona apo edhe Bashkimi Evropian.

Por, sa është i mundshëm një Brexit i stilit italian dhe cilat do të ishin pasojat?

Referendumi i 4 dhjetorit nuk është drejtpërdrejt për BE-në. Ai ka të bëjë me rritjen e fuqive ekzekutive të kryeministrit, duke i kufizuar fuqinë Senatit, ku Renzi ka hasur në rezistencë për reformat që shpreson se do ta forconin ekonominë italiane.

Por, pasi Renzi është zotuar publikisht se do të japë dorëheqje nëse votuesit nuk e miratojnë propozimin e tij, forcat anti-BE po e shfrytëzojnë referendumin si shans për ta rrëzuar atë.

Dorëheqja e Renzit do të kërkonte formimin e qeverisë së re. Kjo pastaj do të ishte përsëri mundësi për partitë anti-BE të hyjnë në qeverinë kalimtare ose të garojnë në zgjedhjet e parakohshme.

“Duhet ta marrim seriozisht atë që ka thënë Renzi; nëse ai humb referendumin, ai me siguri se do të japë dorëheqje. Nëse kampi ‘Jo’ mbizotëron, fitorja më e madhe do të jetë e kampit populist anti-BE”, tha Giovanni Orsina, profesor i historisë politike në Universitetin Luiss në Romë, duke treguar edhe pasojat eventuale.

“Në rastin e Italisë, dalja nga Bashkimi Evropian nuk do të thotë vetëm dalje nga BE-ja, por dalje edhe nga Eurozona, ndryshim i monedhës dhe rikthim te lira. Ballafaqimi me këto pasoja është një hap gjigant në errësirë”, theksoi Orsina.

Sondazhi i fundit i opinionit, i kryer përpara një moratoriumi të detyrueshëm, tri javë para datës së referendumit, ka treguar se kampi “Jo” udhëheq me një mesatare prej 4 deri në 5 për qind, çfarë e bën të vështirë të parashikohet rezultati me siguri.

Vëzhguesit thonë se partitë populiste – Lëvizja Pesë Yjet dhe Liga Veriore – janë duke goditur te pakënaqësitë e italianëve.

“Shanset e Italisë që qëllimisht të zgjedhë të largohet nga BE-ja janë mjaft të vogla, por shanset që Italia të largohet nga zona euro dhe të sjellë gati kolapsin e monedhës janë të mira dhe ndoshta po forcohen”, tha Steve Davies, ekonomist në Institutin për Çështje Ekonomike në Londër.

Ai tha se prejse Italia i është bashkuar Eurozonës, ekonomia italiane “nuk është rritur për më shumë se një për qind në një vit”, duke shkaktuar zemërim të madh të publikut edhe me Brukselin, edhe me joefikasitetin e perceptuar në ekonominë italiane.

Pjesa më e madhe e zemërimit është e fokusuar te euro, sepse të qenët pjesë e kësaj monedhe e parandalon Italinë nga stimulimi i ekonomisë së eksportit, duke zhvlerësuar paranë e saj – gjë të cilën e ka bërë shpesh derisa ka pasur lirën.

Vetë lëvizja anti-BE e Italisë është e ndarë. Lëvizja Pesë Yjet, me rreth 30 për qind të mbështetjes popullore, ofron italianë edhe me prirje të djathta, edhe me të majta, pasi kërkon referendum për euron, por jo për largimin nga Bashkimi Evropian. Liga Veriore, parti e ekstremit të djathtë, me rreth 12 për qind mbështetje, është nacionaliste e ashpër, anti-mgrante dhe zotohet se do ta nxjerrë Italinë nga BE-ja. Dy partitë, deri më tash, nuk kanë dhënë indikacione se do të punojnë së bashku.

Italia është ekonomia e tretë më e madhe e BE-së, pas Gjermanisë dhe Francës, andaj shumë ekonomistë thonë se largimi eventual i Italisë, qoftë nga euro, qoftë nga BE-ja, do të ishte goditje vdekjeprurëse për unionin.
Nga Valona Tela

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY