Prej dy javësh numri i qytetarëve që kanë kërkuar ndihmën e mjekëve pneumologë në Korçë është rritur ndjeshëm. Rreth 40 persona në ditë, kryesisht të moshuar, u janë drejtuar bluzave të bardha për mjekim apo shtrim në spital.
Sipas mjekëve të Spitalit Rajonal Korcë , tymi i çliruar nga djegia e druve të zjarrit por edhe mjegulla e dendur e cila mbuloi Korçën për shumë ditë para mbërritjes së dëborës, ka shkaktuar shqetësime shëndetësore tek qytetarët.
“Temperaturat me minus, mjegulla dhe koha e ftohtë janë ndër shkaqet kryesore që shkaktojnë kataret stinore, që manifestohen me kollë, me gëlbazë, teshtima, temperaturë, dhimbje në gjoks e ankesa të tjera thotë mjeku pneumolog, Thoma Nini.
Mjekët këshillojnë masa paraprake në këtë periudhë, vaksinën anti-grip për ata që vuajnë nga sëmundjet pulmonare, kardiake, apo diabeti. Kujdes duhet bërë edhe për fëmijët.
“Të kenë kujdes ata që kanë reaksion nga mishi i pulës dhe veza që të mos e përdorin këtë vaksinë, sepse ka pasoja për jetën e tyre. Në këtë periudhë nga smogu e mjegulla janë shumë të zhvilluara infeksionet pulmonare, sidomos ato që shkaktohen nga mikrobet që janë parazitë në fytin e njeriut si stafilokoku, streptokoku dhe pneumokoku”, nënvizon mjeku Nini.
Mjekët sugjerojnë që mjediset ku jetojnë të sëmurët pulmonarë dhe fëmijët duhet të jenë të ajrosura mirë. TCH
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/