Edhe pse prej shumë vitesh nuk ishte shfaqur në ndonjë aktivitet publik të PD, Besnik Mustafaj heziton ta quajë rikthim pjesëmarrjen në mitingun prezantues të kandidatit të djathtë për bashkinë Dibër, ku mbajti edhe një fjalim.
“Nuk është një rikthim sepse unë nuk kam munguar në politikë. Unë vërtet kam ikur nga rreshti i parë i politikës, i të bërit politikë në mënyrë aktive, por nuk kam munguar si një vlerësuesi i politikës. Kam qenë i pranishëm me shkrimet e mia dhe intervistat e mia qoftë në gjykimin e politikës kombëtare, qofte edhe me kritikat që kam pasur për mënyrën e ringritjes së PD për të qenë në shërbim të saj. Kështu që në këtë kuptim fjala rikthim nuk shkon”, sqaron Mustafaj.
Në një intervistë për Ora News, Mustafaj shprehet i bindur se me Lulzim Bashën kryetar, PD ka mundësitë për të ardhur në pushtet, Mustafaj deklaron se lideri demokrat ka filluar të piqet në detyrën që mori në vitin 2013.
“Basha po piqet si lider, po e kupton PD nga brenda dhe do të arrijë ta udhëheqë deri në zgjedhjet për një fitore”, shprehet më tej ish-deputeti dhe ish-ministri demokrat.
Për zgjedhjet në Dibër, Mustafaj sheh te Sherefedin Shehu njeriun e shpresës që ka munguar për 25 vjet.
“Unë erdha sot në Dibër të mbështetur Shehun për disa arsye që lidhen me një fenomen që unë e vura re që është kthimi i shpresës. Në këto 25 vjet kurrë nuk ka pasur një kandidat për kryetar bashkie të cilësisë së Sherefedin Shehut”.
Mustafaj nuk ka një parashikim për zgjedhjet e 2017, por shprehet se PD ka kohën e mjaftueshme për të mishëruar shpresën e shqiptarëve.
“PD ka kohë të mjaftueshme të marrë formën e duhur për të mishëruar shpresën e shqiptarëve dhe aspiratën e shqiptarëve për të ecur përpara”, shton Mustafaj.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/