Gjatë një operacioni antidrogë policia e Tiranës dje në mbrëmje ka kapur një sasi rekord heroine prej 5.1 kilogramësh dhe arrestimin e dy personave që e mbanin lëndën narkotike. Fadil Bami, 64 vjeç, lindur dhe banues në Nikel të Krujës,mesohet se është i afërm i Durim Bamit, është personazhi kryesor i arrestuar, ndërsa bashkë me të ra në pranga edhe shtetasi Eduart Gjata, 39 vjeç, banues ne Tiranë. Zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Ermal Muçaj, në një konferencë për median, tha se dy personat e dyshuar u kapën bashkë me sasinë e drogës në zonën e ishParkut të Autobusëve në kryeqytet. Operacioni i koduar “Summer 2016” u finalizua rreth orës 15:30, tha Muçaj. Burime të Policisë i thanë gazetës “Panorama” dje në mbrëmje se Fadil Bami dhe Eduart Gjata mbaheshin prej kohësh në vëzhgim.
Pak ditë pas mbërritjes së sasisë së heroinës nga jashtë Shqipërisë, ata po përgatiteshin për ta shitur e shpërndarë atë te persona të tjerë të lidhur me ta në aktivitetin kriminal. Për shkak të mbajtjes në vëzhgim të vazhdueshëm të të dy të dyshuarve, policia ka arritur dje të kapë Fadil Bamin kur ai kishte me vete çantën me drogë. “Agjentët e operacioneve speciale dhe Antidrogës, të cilët i mbanin nën vëzhgim të dyshuarit, i ndaluan në një lokal në brendësi të një kompleksi pallatesh të reja në zonën e ishParkut, në momentit që po kryenin shkëmbimin dhe shitjen e lëndës narkotike. Në kërkim janë dhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët janë të identifikuar nga ana e Policisë”, deklaroi dje zv.drejtori i Policisë së Tiranës, Ermal Muçaj. Ai bëri me dije se nga kontrolli i ushtruar në çantën që kishin me vete të dyshuarit u konstatuan 10 pako të mbështjella me natriban me ngjyrë kafe dhe qese plastmasi transparente, me lëndë narkotike, e dyshuar si heroinë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/