Janë pushuar hetimet për personat te cile dyshohen për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas prokurorisë, nuk ka prova që vërtetojnë se Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka të kenë lidhje me ngjarjen në farmacinë pranë QSUT-së. Përmes një letre Prokuroria i ka kërkuar burgut te Elbasanit lirimin e menjëhershëm të Gjutës.
Këta shtetas, së bashku me disa të tjerë, për të cilët janë pushuar hetimet më parë, kanë qenë të dyshuar si autorë të vendosjes dhe shpërthimit të tritolit të telekomanduar në biznesin ”Farmaci” të shtetasit B.T, si edhe vendosjen e lëndës plasëse pranë një stacioni autobusi në zonën pranë shkollës ”Vasil Shanto” në Tiranë, ngjarje të ndodhur duke gdhirë data 10.02.2015.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka zhvilluar hetimin ndaj personave të dyshuar, nën masën e sigurisë ”arrest në burg”, pasi, nga materialet paraprake dyshohej se mund të ishin autorët e këtyre ngjarjeve.
Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh proceduriale, përfshirë edhe ekspertiza të specializuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme.
Krahas faktit që nuk janë arritur të grumbullohen të dhëna konkrete mbi veprimet e të hetuarve për kryerjen e veprave penale, Prokuroria për Krime të Rënda nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin.
Ndërkohë, ndaj të hetuarve Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka vijon të jetë në fuqi masa e sigurimit ”arrest në burg” vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës, për vepra të tjera penale, të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Kukësit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/