Kryeministria njofton se ka ndërmarrë hartimin e kallëzimit penal ndaj deputetes Albana Vokshi për akuzën e shpifjes.
Ky njoftim, pason njoftimin e disa javëve më parë,bashkë edhe me lançimin e një web-site qeveritar, transparenca.al, nëpërmjet të cilit qeveria do u përgjigjej dhe do të përgënjeshtronte të gjitha akuzat ndaj saj e ministrave të saj. Ndërsa prej ditësh, transparenca.al ka dështuar ti përgjigjet akuzve të deputete së PD Albana Vokshi për ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, qeveria i është rikthyer kallëzimit të deputetëve të opozitës në Gjykatën e Lartë.
“Deputetja e Partisë Demokratike ka marrë përsipër sektorin e prodhimit të baltës së shpifjeve për çdo nisëm të qeverisë në fushën e shëndetësisë. Në aktivitetin e saj të vazhdueshëm prodhues ajo në mënyrë të përsëritur përfshin emrin e kryeministrit. Zyra e kryeministrit ka të gjitha arsyet e bazuara në prova e fakte, për të besuar se fatkeqësisht deputetja Albana Vokshi i përket kategorisë së shpifësve profesionistë të nivelit të lartë politik në PD, si famëkëqinjtë Paloka dhe Ristani. Këta të fundit u provuan si shpifës për përdorim partiak nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë, pasi nuk arritën të provojnë përpara trupit gjykues asgjë tjetër përveç faktit se shpifin për llogari të partisë së tyre. Ka ardhur koha që Gjykata e Lartë të kalojë në sitën e gjykimit të saj të pavarur e të paanshëm edhe akuzat e deputetes në fjalë. Njësoj si në rastet e shpifësve Paloka dhe Ristani, kryeministri Rama shpreh publikisht gatishmërinë e tij për të dhënë dorëheqjen, jo vetëm nga detyra po edhe nga aktiviteti i tij politik, nëse deputetja Vokshi do të provojë në gjykatë se shpifjet e saj ndaj kryeministrit nuk janë të tilla”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Deputetja e Partisë Demokratike, kryetare e komisionit të Shëndetësisë, akuzoi dje edhe kryeministrin Edi Rama se pengon prokurorinë për të hetuar tenderët dhe koncesionet në spitale. Një akuzë të tillë e artikuloi në fillim të javës në emisionin”Studio e hapur” e Enio Vasilit në TV “News 24”, edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/