Emergjencat Civile dhe ARRSH: Ja akset e bllokuara nga bora dhe zonat...

Emergjencat Civile dhe ARRSH: Ja akset e bllokuara nga bora dhe zonat e përmbytura nga shiu dhe pa energji elektrike

112
0
Shares

Reshjet e dendura të shiut dhe ato të dëborës, kanë shkaktuar problematika në disa rajone të vendit, si në Kukës, Korçë, Elbasan, Gjirokastër ndërkohë që për rajonet e tjera të vendit Autoriteti Rrugor Shqiptar ka apeluar drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes nga rrëshqitja e dherave e gurëve.
Sipas ARRSH aksi Elbasan- Qafë Thanë është i kalueshëm pa zinxhir, Librazhd-Fushë Studen është pastruar nga bora e rënë dhe kriposur duke u bërë e kalueshme me zinxhirë. 
Në Fushë Studen – Stëblevë  ka pasur reshje dëbore, e cila ka arritur deri ne 20 cm e cila po pastrohet, por aktualisht rruga është e pa kalueshme
Në Gjirokastër, nuk ka asnjë problem, por nga reshjet e shiut mund të ketë rënie gurësh në aksin Ura e Leklit-Përmet dhe Tepelenë-Gjirokastër (zona Shkalla e Zezë)
Në Korçë, në segmentet Boboshticë-Dardhë (30 cm dëborë, është e kalueshme me zinxhirë), Korçë-Voskopojë (30 cm dëborë)me zinxhirë, Korçë Ersekë me zinxhirë si edhe Qafa e Qarrit Pogradec-Qafë-Plloçë (20 cm dëborë), Podgorie-Liqenas-Doganë e Goricës  vazhdon te bie dëborë lëvizja e mjeteve behet me zinxhirë. Në aksin Pogradec-Qafë Thanë qarkullimi i mjeteve bëhet pa zinxhirë. Elbasan-Qafë Thanë e kalueshme pa zinxhirë.
Në Vlorë, në Qafën e Llogarasë nuk ka probleme për qarkullimin e  mjeteve, ku rruga përshkohet pa zinxhirë dhe është kriposur rruga. Si rezultat i reshjeve mund të ketë rënie gurësh të vegjël të cilët duhen pasur kujdes nga përdoruesit e autoveturave dhe automjeteve te tjera.
Në Kukës, ka pasur  reshje dëbore në aksin tuneli Thirrë-Kalimash-Morin, deri në 40 cm dhe rruga është e kalueshme me zinxhire.
Ndërkohë, sipas Emergjencave Civile, rënia e reshjeve të dëborës me intensitet të lartë kryesisht në qarqet e Kukësit, Dibrës, Shkodrës e Korçës kanë sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve si dhe mungesën e energjisë elektrike në zonat e tyre. Ndërkohë, në Qarqet e Lezhës, Elbasanit, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës kanë shkaktuar probleme në përmbytjen e disa zonave si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Ja situata në çdo Qark të vendit sipas Emergjencave Civile

rruge me bore e ngrice
Qarku Kukës
Moti në të gjithë qarkun, deri në mesnatën e kaluar, ka qenë me reshje shiu dhe dëbore, të shoqëruara me erëra të fuqishme. Temperatura e regjistruara -4 deri në 5 gradë celsius. Lartësia mesatare e dëborës është në zonat urbane rreth 20 cm, kurse rurale 30-40 cm.
 
Situata në akset rrugore
Akset kombëtare
Të gjitha akset nacionale aktualisht janë në përgjithësi të qarkullueshme pa zinxhirë, por në disa segmente të rrethit të Tropojës, për siguri përdoren zinxhirë.
 Anës Rrugës se Kombit trashësia e dëborës është 45 cm, por mbi trupin e rrugës nuk ka dëbore sepse 8 borëpastrueset janë vazhdimisht në punë.
Aksi Kolsh-Qaf Shllak, trashësia e dëborës 30 cm, po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Kukës-Draj Reç, trashësia e dëborës 25 cm, po punojnë 4 borëpastruese e 1 fadromë.
Kukës-Ura e Zapodit, trashësia e dëborës 20 cm, po punojnë 1 borëpastruese dhe 1 fadromë.
Kukës-Krumë, në Qaf të Toblit, trashësia e dëborës është 30 cm dhe punojnë 2 borëpastruese e 1 fadromë.
Krumë-Qafe Prushi-Kam, trashësia e dëborës 30 cm, po punojnë 2 borëpastruese e 1 fadromë.
Plepa-Kam-Sopot, trashësia e borës në Qafë Luzhë 40 cm, punojnë 2 borëpastruese, 2 fadroma.
Bajram Curri-Valbonë, trashësia e dëborës 35 cm, punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë. B.Curri-Qafe Morinë, trashësia e dëborës 8 cm, punojnë 2 borëpastruese e 1 fadromë.
B.Curri-Fierzë, punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë, trashësia e dëborës në zonën e Lekbibaj 35 cm.
 
Akset rrugore në administrim të bashkive
Në Bashkinë Kukës
Si pasojë e rrëshqitjes masive të dherave të skarpatës fshati Lojme është i bllokuar.
Në këtë segment rrugor për arsye sigurie nuk mund të ndërhyhet as me mjete dhe as me njerëz. Nga era e fuqishme ka grumbullime të dëborës e bllokim të rrugëve lidhëse me fshatrat Buzëmadhe e Çaj, të Njësisë Administrative Grykë-Çaj, si dhe një pjesë e fshatrave në Njësinë Administrative Zapod.

 
Situata e furnizimit me energji elektrike
Në bashkinë Kukës
Si pasojë e motit aktualisht janë pa energji: Njësitë Administrative Grykë-Çaj, Kalis, Bushtricë dhe Arrën, të cilët furnizohen nga Nënstacioni në Fushë Aliaj, Peshkopi, i cili ka një defekti në rrjetin e furnizimit.
Njësitë Administrative Bicaj, Ujmisht e Tërthore, gjithashtu janë pa energji nga rrëzimi i shtyllave dhe këputja e telave nga era e fortë.
Bashkia Tropojë
Njësia Administrative Lekbibaj.
Bashkia Has
Njësia Administrative Golaj, fshatrat Vlahën e Nikoliç.
Grupet e punës të OSHEE po punojnë për eliminimin e defekteve.

 

Qarku Dibër
Në këtë qark deri në mesnatë ka patur reshje shiu dhe në lartësitë mbi 800 m reshjet kanë qenë në formë dëbore, por jo intensive.
Akset rrugore nacionale janë të kalueshme me vështirësi në qarkullim për shkak të dëborës. Në disa segmente qarkullimi bëhet me zinxhirë.
Subjektet kontraktore janë në gatishmëri të plotë për pastrimin e rrugëve nga dëbora dhe trajtimi i tyre me kripë e skorje.

 
Lartësia e dëborës sipas njësive administrative
Njësia administrative Kala e Dodes 15 cm.
Aksi rrugor Peshkopi-Kala e Dodës qarkullohet me vështirësi me zinxhirë.
Njësia administrative Lurë rreth 35 cm, aksi rrugor Lurë-Kurbnesh-Rëshen për momentin i bllokuar.
Njësia administrative Sllovë 15 cm, rruga kombëtare e kalueshme.
Njësia administrative Selishtë 30 cm, aksi rrugor Muhurr-Selisht i bllokuar.
Njësia administrative Arras rreth 5 cm, segmenti rrugor rruga kombëtare-Arras e bllokuar sepse ka patur rrëshqitje dheu në fshatin Grykë Nokë dhe për momentin vazhdon e bllokuar. Njësia administrative po punon për hapjen e saj.
Njësia administrative Melan të bllokuara janë rrugët rurale të fshatrave Bellovë, Cerjan, Zagrad dhe Rapdisht, 20 cm.
Njësia administrative Kastriot 15 cm, janë të bllokuara 2 fshatra Vrajnt dhe Limnjan.
Njësia administrative Ostren 20 cm, rruga Ostren-Trebisht-Gollobordë-Klenjë e bllokuar. Njësia administrative Trebisht 40 cm, aksi rrugor Ura e Çerenecit-Stëbleve për momentin i bllokuar, por subjekti kontraktues po punon me mjete për hapjen e saj.
Njësia administrative Gjoricë trashësia e dëborës 8 cm, rrugët janë të bllokuara vetëm në fshatrat Lubalesh dhe Veçisht.
Njësia administrative Zerqan trashësia e dëborës 25 cm dhe rrugët janë të bllokuara. Gollobordë-Trebisht e bllokuar.
Krastë- Qafë Bualli e kalueshme me zinxhir. Njësia administrative Xibër e bllokuar. Njësia administrative Macukull e bllokuar.
Në Njësinë administrative Kala e Dodës, Shupenzë, Xibër, Macukull mungon energjia elektrike.

 

Qarku Elbasan
Në qarkun e Elbasanit ka pasur reshje mesatare shiu dhe në lartësinë mbi 600 m reshjet kanë qenë në formë dëbore.
Në rrugët kombëtare dhe rurale ka prezencë të dëborës, por jo ne rrugë.
Në aksin Elbasan-Librazhd ka vështirësi në qarkullim për shkak të rënies së inerteve. Subjekti kontraktues ka ndërhyrë me mjete duke larguar inertet dhe pastruar rrugën.
Në segmentin Prenjas-Qafë Thanë ka rreth 20 cm dëborë, por qarkullimi vazhdon pa ndërprerje duke përdorur zinxhirët.
Në aksin Librazhd- Stëblevë, ka rreth 20 cm dëborë dhe qarkullimi bëhet me vështirësi. Subjekti kontraktor ka angazhuar dy mjete për largimin e dëborës.
Për shkak të rënies së reshjeve ka pasur rritje të nivelit të ujit në lumin Devoll dhe rruga Banjë-Gramsh ka funksionuar deri në mesanatë nga pjesa e poshtme mbi liqenin e Hidrocentralit, kurse sot në mëngjes niveli i liqenit është rritur duke përmbytur rrugën e vjetër dhe qarkullimi Elbasan – Gramsh bëhet nga segmenti Llixha – Gramsh.

 

Qarku Lezhë
Në qarkun e Lezhës reshjet e shiut kanë vazhduar deri në orën 22:30 me intensitet mesatar. Në disa zona të rrethit të Mirditës reshjet kanë qenë të dobëta në formë dëbore. Të gjithë hidrovoret po punojnë me kapacitet të plotë dhe nuk ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike.
Në Rrugën e Kombit, në fshatin Skuraj, të Njësisë Administrative Milot, për riparimin e argjinaturës së dëmtuar nga prurjet e lumit Mat, deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme kanë punuar 20 mjete transporti, 6 kamionë vetëshkarkues të tonazhit të rëndë nga Forcat Ushtarake, kurse 10 kamionë të tonazhit të mesëm, 3 eskavatorë dhe 1 fadromë janë angazhuar nga subjekti kontraktues.
 

Qarku Shkodër
Në bashkinë e Shkodrës ka pasur reshje shiu mesatare, kurse në Njësitë administrative Pult, Shosh dhe Shalë ka pasur reshje të dobëta dëbore.
Në Njësinë administrative Kelmend, të bashkisë Malësi e Madhe dhe bashkinë e Pukës reshjet kanë qenë të pakta, por për shkak të uljes së madhe të temperaturës deri në -6 gradë celsius ato kanë qenë në formë akulli.
Rrugët kombëtare dhe rurale në rrethet Shkodër dhe Malësi e Madhe janë të hapura por në disa segmente qarkullimi bëhet me vështirësi për shkak të kushteve të motit dhe ngricave.
Në rrugët kombëtare dhe rurale të rrethit të Pukës, si Qafë Mali- Qafë Shllak- Fierzë, Fushë Arrzë- Bardhoc ka vështirësi kalimi për shkak të ngricave, por rrugët janë të hapura dhe subjekti kontraktor po i trajton ato vazhdimisht me kripë.
Vetëm segmenti rrugor Bardhet-Iballë vazhdon i bllokuar. Në rrethin e Pukës ka probleme të shpeshta me ndërprerje të energjisë elektrike.
Një pjesë e konsiderueshme e zonave rurale janë pa energji për shkak të këputjes së telave nga akulli.
Grupet e OSHEE po punojnë për riparimin e defekteve.

 

Qarku Korçë
Në të gjithë qarkun ka pasur reshje mesatare shiu, kurse në zonat malore reshjet kanë qënë në formë dëbore.
Të gjitha rrugët kombëtare dhe rurale janë të hapura por në disa segmente qarkullimi bëhet me vështirësi për shkak të dëborës.
Rrugët kombëtare Qafë Thanë-Qafë Plloçë, në Qafë Plloçë, Qafë Qarri dhe Qafë Bigllë, të fshatit turistik Dardhë ka prezencë të dëborës dhe vazhdojnë reshjet me intesitet mesatar.
Nuk ka bllokime të rrugëve por në disa segmente rrugore qarkullimi bëhet me zinxhirë.
Në të gjithë qarkun ka rënë dëborë në lartësinë 15 cm, kurse në fshatin turistik Dardhë trashesia e dëborës është 40cm. Rruga Boboshticë-Dardhë është e kalueshme me zinxhirë. Ka vështirësi në qarkullin e mjeteve në rrugën Korçë-Voskopojë, për shkak të dëborës së rënë dhe në Qafën e Qarrit, në segmentin rrugor Korçë–Ersekë, për shkak të ngricës.
Probleme për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike nuk ka patur.

 

Qarku Berat
Në këtë qark deri në mesnatë pati rënie të reshjeve mesatare të shiut, kryesisht në rrethin e Beratit dhe të Skraparit. Në zonat malore të Skraparit reshjet ishin intensive dëbore. Ujrat e lumenjve në këtë qark u rritën dhe lumi i Osumit doli nga shtrati në territorin e bashkisë së Urës Vajgurore, duke përmbytur 4 banesa dhe rrethuar nga uji 10 të tjera.
Strukturat e emergjencës evakuuan 4 familjet duke i strehuar tek të afërmit e tyre.
Ujërat e lumit dolën edhe në territoret e Njësive administrative Velabish dhe Otllak duke shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore.
Pas mesnate prurjet u ulën dhe tashmë niveli i tyre është normal dhe nuk ka probleme.

 

Qarku Tiranë
Në të gjithë qarkun e Tiranës ka pasur reshje mesatare shiu, në pjesën malore të bashkisë të Tiranës si Njësia administrative, Dajt, Shëngjergj, Zall Bastar, reshjet kanë qenë në formë dëbore dhe lartësia në disa vende arriti rreth 15 cm.
Gjendja e lumit të Tiranës në pjesën e poshtme të urës së Kamzës, nuk ka rritje të nivelit të prurjeve.
Përfaqësuesit e emergjencave të bashkisë po monitorojnë situatën dhe janë në gatishmëri për evakuimin e familjeve, në qoftë se do të rrezikohen nga përmbytja. Për familjet është përgatitur një strehim provizor në konviktet e Universitetit Bujqësor.
Forcat dhe mjetet e bashkisë së Tiranës janë në gatishmëri për të bërë evakuimin e tyre.

Qarku Vlorë
Gjatë ditës së djeshme në të gjithë qarkun pati reshje mesatare shiu, kurse në zonat malore reshje dëbore.
Në Qafën e Llogarasë lartësia e dëborës shkoi deri në 10 cm dhe në vendin e quajtur “Pisha Flamur”, u bllokuan disa mjete nga prezenca e dëborës në trupin e rrugës. Mjetet e subjektit kontraktues ndërhynë duke pastruar dëborën dhe trajtuar me kripë. Më pas qarkullimi u normalizua plotësisht.
Prezencë të rritur uji pati edhe në qytetin e Vlorës sidomos në vendin Pusi i Mezinit. Forcat dhe mjetet e bashkisë ndërhynë duke normalizuar situatën.

 

Qarku Gjirokastër
Në të gjithë qarkun ka reshje mesatare shiu.
Të gjitha rrugët kombëtare dhe rurale janë të qarkullueshme dhe pa probleme.
Gjatë natës Lumi i Vjosës rriti së tepërmi prurjet e tij, sidomos nga pjesa që vjen prej burimeve në tokën greke.
Në pikën hidrometrike të Memaliajt iu afrua nivelit kritik, por me ndërprerjen e natës prurjet u ulën dhe ujërat nuk rrezikuan të dilnin nga shtrati.

 

Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen probleme për shkak të kushteve të motit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY