Policia në vendngjarjen e sotme
Denis Kasa, 44-vjeçari që mbeti i vrarë në atentatin e ndodhur mbrëmjen e sotme në hyrje të qytetit të Fierit rezulton se ishte emigrant në Itali. Ai kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer në Shqipëri për të kaluar me familjen festat e fundvitit.
Informacionet paraprake bëjnë të ditur se Denis Kasa, ndryshe nga dy personat e mbetur të plagosur që po udhëtonin bashkë me të në momentin e atentatit, nuk rezulton të ketë precedent kriminal në të kaluarën. Nga informacionet paraprake mësohet se Klement Kastrati, një nga të plagosurit e atentatit të mbrëmjes së sotme në fshatin Mbrostar të Fierit është ndaluar nga policia në vitin 2008. Klement Kastrati në atë kohë 23 vjeç, u vu në pranga bashkë me një person tjetër në akuzën e “Plagosjes së lehtë me dashje”, “Kanosjes”, si dhe “Armëmbajtjes pa leje”.
Kjo ka bërë që policia të nisë verifikimet nëse shënjestër e atentatit me kallashnikov mund të kenë qenë të dy të plagosurit, Elton Margariti, 42 vjeç nga Patos dhe Klement Kastrati, 31 vjeç nga Fieri të cilët ndodheshin në makinë me të në momentin e atentatit. Denis Kasa ndodhej si pasagjer në automjetin tip “Benz”, ndërsa një prej të plagosurve ishte shofer kurse tjetri ishte ulur në sediljen e pasme.
Në vendngjarje janë gjetur dy armë kallashnikov, njëra në makinën ku udhëtonte viktima, ndërsa arma tjetër u gjet pak metra larg makinës.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/