Alarmi për specien në zhdukje, një këlysh i Rrëqebullit të Ballkanit vritet...

Alarmi për specien në zhdukje, një këlysh i Rrëqebullit të Ballkanit vritet në Malin e Munellës

570
0
Shares

Këlyshi i vrarë i Rrëqebullit të Ballkanit

Javën e shkuar në Malin e Munellës (Rajoni i Pukës)në zonën e vetme në Shqipëri ku mbijeton Rrëqebulli i Ballkanit, një këlysh rrëqebulli është gjetur i vrarë. Rasti iu raportua Shoqatës për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA). Autori është një bari i vogël i zonës, i cili e ka vrarë rrëqebullin me gurë pa e ditur se çfarë kafshe ishte.
Sipas PPNEA, kjo vrasje është një lajm tejet i keq, duke ditur së popullata totale e rrëqebullit në Malin e Munellës  llogaritet të jetë 4-6 individë të rritur.
Rrëqebulli i Ballkanit është një specie kyç për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe sidomos ekosistemit në të gjithë Ballkanin jugperëndimor. Popullata e tij totale llogaritet të jetë në me pak se 40 individë dhe humbja e një kafshe të vetme është një lajm shumë i keq për mbijetesën e species. Sipas  kritereve të Listës së Kuqe të IUCN-s, Rrëqebulli i Ballkanit konsiderohet si një specie e rrezikuar në mënyre kritike (CR). Në Shqipëri, rrëqebulli është i mbrojtur me ligj që prej vitit 1969. Së fundmi, kuadri ligjor është përmirësuar me Ligjin Nr. 10253, datë 11. 03. 2010 “Për gjuetinë” dhe Ligji Nr. 7/2014, “Për shpalljen e ndalimit të gjuetisë në Republikën e Shqipërisë”.
Rrëqebulli i Ballkanit është një specie e vetmuar dhe preferon të jetoj në zonat malore ku prezenca e njeriut është e limituar. Mbetet i pazakontë fakti që një këlysh rrëqebulli është hasur në rrethinat e zonave të banuara, duke qenë se, në këtë periudhë ata qëndrojnë tërë kohës me nënat e tyre. Prania e këlyshëve të vetmuar në këtë periudhë ndodh vetëm në raste kur nëna e tyre ngordh (nga vdekja natyrore ose nga gjuetia e paligjshme),që e kthen këtë çështje në një situatë edhe më kritike vëren PPNEA.
Gjithashtu, degradimi i habitatit është i shfrenuar në Munellë dhe kjo mund të ndikoje në shqetësimin e sjelljes së rrëqebullit ashtu siç mund të rrisë mundësitë e kontaktit njeri – rrëqebull. PPNEA e ka dëshmuar prej kohësh gjuetinë e paligjshme dhe prerjet e pyjeve në një shkallë të lartë në Munellë dhe këto nuk tregojnë asnjë shenjë ndalimi.
Pavarësisht kësaj ngjarje të rëndë, për PPNEA, zbulimi i rrëqebullit të vrarë nga pikëpamja kërkimore shkencore është shumë i rëndësishëm sepse provon edhe më shumë se Munella përmban një popullatë riprodhuese të Rrëqebullit të Ballkanit. Si e tillë, Munella është deri më sot, një nga dy zonat në te gjithë Ballkanin, bashkë me Parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoni, ku rrëqebulli riprodhohet.
Sipas PPNEA, ky incident është një thirrje për tre masa urgjente që duhen ndërmarrë në Malin e Munellës në Shqipëri, në mënyrë që të zvogëlojnë mundësitë për ndodhi të tjera negative në të ardhmen:
(i) rritja e forte e fushatës së ndërgjegjësimit me vendasit për të promovuar rëndësinë e Munellës në ruajtjen e Rrëqebullit të Ballkanit,
(ii) ndalimi i menjëhershëm i prerjes së pyjeve dhe shkatërrimit që vazhdon të bëhet në Malin e Munellës,
(iii)zonës ti jepet një status mbrojtjeje sa më shpejt të jetë e mundur duke e përfshirë Munellën në rrjetin e zonave të mbrojtura të vendit.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY