Kualifikimi i përfaqësuese shqiptare për në finalet e Euro 2016-të i hapi dritën jeshile edhe përfundimit të bisedimeve për ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, që do të jetë pikërisht në vendin ku sot ndodhet stadiumi “Qemal Stafa”.
Projekti i konsorciumit italian Serenisima, është përzgjedhur prej më shumë se një viti fitues. Ky stadium është parashikuar të jetë 22.000 vendesh dhe me të gjitha tribunat e mbuluara. Veç funksionit si stadium, kjo godinë do të përmbajë rreth 14.000 metra katrorë qendër biznesi dhe shërbime të tjera, ndërsa 4000 metra katrorë do të jetë një sipërfaqe në dispozicion të Federatës Shqiptare të Futbollit për zyra dhe nevojat e saj. Ajo që bie në sy, në anën veriore të stadiumit është një kullë e lartë, ku pjesa e sipërme do të shërbejë si restorant ekskluziv i stadiumit dhe një studio televizive transmetimi.
Për ndërtimin e tij është kërkuar gjithmonë një garanci prej 6 milionë eurosh në vitin e parë, e më pas kjo shumë do të kishte një trend progresiv deri në fundin e 35 viteve të koncesionit.
Prishja e “Qemal Stafës” mendohet të fillojë në muajin janar, një proces që do të zgjasë rreth 5 muaj, por përpara saj do të zhvillohet një ndeshje e fundit e përfaqësueses Kuqezi, që do të jetë miqësorja e 17 nëntorit, për këtë arsye ka filluar edhe përmirësimi deri në 1100 lux i ndriçimit të “Qemal Stafës” këto ditë. Por, ende nuk ka asnjë konfirmim zyrtar sa i përket kundërshtarit tonë në këtë miqësore. Kroacia është tërhequr, ashtu si edhe Polonia, e cila kishte si opsion luajtjen jashtë Shqipërisë.
(“Top Channel”)
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/