Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot në Zyrën e Tij një përfaqësi të Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë, të cilët shprehën shqetësimin dhe protestuan kundër rikthimit të simboleve të diktaturës komuniste, siç është edhe ndërtimi së fundmi i një bunkeri-simbol të diktaturës në oborrin e Ministrisë së Brendshme.
Gjatë këtij takimi pune, Presidenti Nishani u njoh me kërkesat e përfaqësisë së ish-të përndjekurve politikë, të cilët pasi falënderuan fillimisht për pritjen e rezervuar, i kërkuan Kreut të Shtetit që të ndërhyjë dhe të bëhet mbrojtës i shtresës së tyre ende të pa integruar plotësisht, duke i dorëzuar edhe Notën e tyre të Protestës.
Gjithashtu, duke shprehur shqetësimin dhe protestën e tyre të ligjshme kundër “rikthimit të simboleve të diktaturës në vendet publike dhe mos dënimin e krimeve të diktaturës”, përfaqësuesit e ish-të përndjekurve parashtruan njëkohësisht nevojën për mbështetje nga shteti në përgjithësi ndaj kauzës dhe problemeve të tyre, si dhe nga Presidenti Nishani në veçanti, si simbol i unitetit të popullit.
Presidenti i Republikës, duke vlerësuar përpjekjet konstante dhe aktive të ish-të përndjekurve politikë për rritjen e ndërgjegjësimit publik ndaj çështjes dhe problematikave të tyre, theksoi se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim tendencat e vazhdueshme për të risjellë mesazhet dhe simbolet e së kaluarës diktatoriale, të cilat mund të cenojnë ekuilibrat e shoqërisë shqiptare.
Presidenti Nishani u shpreh se do të bëjë të gjitha përpjekjet personale dhe institucionale “gjithnjë në zbatim të Kushtetutës dhe brenda të gjithë kuadrit ligjor” për t’i përcjellë shqetësimet e shtresës së ish-burgosurve politikë tek qytetarët dhe institucionet e shtetit shqiptar, në mënyrë që të mbahet gjallë reflektimi mbi të kaluarën e hidhur, duke mos lejuar që të përsëriten më përvojat fatkeqe dhe format e terrorit, qoftë edhe psikologjik, të diktaturës gjysmëshekullore, sidomos gjatë këtij viti në kuadër të 25-vjetorit të rënies zyrtare të komunizmit.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/