Ndarja nga jeta e akademikut kosovar, Berisha dhe Basha ngushëllojnë familjen e...

Ndarja nga jeta e akademikut kosovar, Berisha dhe Basha ngushëllojnë familjen e Mark Krasniqit

82
0
Shares

Ndarja nga jeta e akademikut kosovar, Berisha dhe Basha ngushëllojnë familjen e Mark Krasniqit
Është ndarë nga jeta ditën e djeshme akademiku nga Kosova Mark Krasniqi. Ai vdiq në moshën 95-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.
Akademiku, profesori dhe shkrimtari i njohur lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë afër Pejës.
I njohur nga bota akademike si një personalitet i madh i shkencës, por edhe i politikës në Kosovë, Profesor Krasniqi ka botuar mbi 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbishtja e sllovenishtja në gjuhën shqipe.
Figura të njohura politike dhe botës akademike kanë shprehur mesazhet e tyre të ngushëllimit. Midis tyre, kanë shprehur ngushëllimet e tyre, ish kreu i PD-së, Sali Berisha, kreu aktual i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe kreu i Parlamentit, Ilir Meta.  Berisha ka shkruar në rrjeti social Fb se shqiptarët kanë humbur një burrë të madh, kreshnikun e mendimit letrar dhe poltik.

Mesazhi ngushëllues i Sali Berishës

Shqiptaret ne zi! Humbem nje burre te madh!
Akademiku Mark Krasniqi u nda nga jeta!
Te dashur miq, sot çdo shqipatar eshte ne zi dhe pikellim te thelle. Sot mendimi shqiptar dhe bota e tij, letrat, etnografia, publicistika e politika, kombi yne ndjehen te pikelluar dhe te pakesuar sepse me ndarjen nga jeta te akademikut Mark Krasniqi kemi humbur nje kreshnik te vertete te mendimit te tone shkencor, letrar dhe politik, nje ikone te urtesise kombetare dhe shqiptarizmit, nje burre te madh. Me largimin e tij nga jeta, familja humbi njeriun e vet te dashur kurse ne te gjithe te tjeret qe patem fatin te njohim nga afer fuqine e urtesise, fisnikerine e shpirtit dhe te gezojme miqesine e tij, kemi humbur shumçka nga vetja e jone.
Profesor Mark Krasniqi nuk eshte me, por ai dhe vepra e tij do prehen, jetojne pergjithmone ne altarin e pavdeksise te burrave me te shquar dhe te vertetave te medha kombit tone. Vepra e tij do nderohet me mirenjohje te thelle dhe me krenari te madhe per sa kohe shqiptaret te nderojne veten, dijen, qenien e tyre.
Lamtumire profesor Mark Krasniqi!
I lehte qofte per ju dheu i tokes tone! sb

Ndërsa Basha është shprehur se me humbjen e akademikut Mark Krasniqi, shqiptarët kanë humbur një patriot të madh, një politikan të urtë e të mençur dhe plot vizion.

Mesazhi ngushëllues i Lulzim Bashës

“Me hidhërim të thellë mësova lajmin e ndarjes nga jeta të akademik Mark Krasniqi.
Jam i bindur se hidhërimi sot është mbarëkombëtar, sikundër ishte mbarëkombëtar respekti dhe vlerësimi për akademik Mark Krasniqin.
Me largimin e tij nga kjo jetë, familja humbi njeriun e dashur, shqiptarët humbën një patriot të madh, intelektual të dimensioneve globale, një politikan të urtë e të mençur dhe plot vizion.
Lutem që Zoti t’i japë paqen e përjetshme Mark Krasniqit, dhe familjes e miqve të tij forcën të mbajë peshën e dhimbjes”.

Mesazhi ngushëllues i kryetarit të Parlamentit Ilir Meta

“Në këto momente të vështira për familjen dhe të gjithë shqiptarët, shpreh ndjenjën më të fortë të solidaritetit dhe mirënjohjes për veprën e shquar të Mark Krasniqit, këtij kolosi të mendimit, humanizmit dhe patriotizmit. Vepra e tij do të mbetet një udhërrëfyes për brezat, si shembulli më i lartë i përkushtimit. I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e Mark Krasniqit.”

Deklaratë me rastin e vdekjes së akademik Mark Krasniqit

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës njofton opinionin se sot në ora 00:35 minuta të mëngjesit, në spitalin e Prishtinës, vdiq njëri nga personalitetet më të shquara në fushën e shkencës dhe të kulturës shqiptare, anëtari i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dijetari, intelektuali, profesori dhe veprimtari i spikatur i kauzës sonë kombëtare, akademik Mark Krasniqi. Është kjo një humbje e madhe për familjen, shkencën, Akademinë, për kulturën shqiptare, për kolegët dhe miqtë nga Kosova dhe e gjithë bota shqiptare.
Mark Krasniqi lindi më 19 tetor 1920 në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon) afër Pejës, ku e kreu shkollën fillore, kurse gjimnazin e mbaroi në Prizren në vitin 1941. Prej vitit 1941-1943 ka studiuar letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), ndërsa në vitet 1946-l950 gjeografinë dhe etnografinë në Universitetin e Beogradit, ku u diplomua më 1950. Në vitet 1945-1946 punoi gazetar-redaktor në gazetën “Rilindja” në Prizren, ndërsa në vitet 1947-l949 gazetar-redaktor në Radio-Beograd (Redaksia e emisioneve në gjuhën shqipe).
Në vitet 1950-1961 ka punuar fillimisht si asistent e pastaj bashkëpunëtor shkencor në Akademinë Serbe të Shkencave në Beograd. Në vitin 1960 mbrojti doktoratën në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Lubjanës. Në vitet 1961-1981 ka qenë profesor në Universitetin e Prishtinës, deri atëherë kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor. Ushtroi disa herë detyrën e prodekanit dhe të dekanit të Fakultetit Juridik-Ekonomik, ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar dhjetëra libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezisë.
Me punën e tij shkencore, para së gjithash në fushën gjeo-etnografike, të mbështetur në fuqinë e argumenteve shkencore, arriti ta studiojë dhe pasqyrojë realitetin kompleks hapësinor e shoqëror të Kosovës dhe ta gjurmojë thellë kulturën materiale dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke bërë emër përtej suazave të Kosovës dhe atyre kombëtare. Të gjitha këto angazhime të tij ishin pashmangshmërisht të lidhura me luftën për barazi, çlirim dhe afirmim kombëtar.
Për punën shkencore dhe angazhimin e tij në planin shoqëror, politik dhe kombëtar mori shumë mirënjohje dhe dekorata, ndër të cilat edhe “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” nga Presidenti historik I. Rugova në vitin 2003 dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani në vitin 2014.
Me këtë rast, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Krasniqi, miqve dhe dashamirëve të tij gjithandej Kosovës dhe mbarë botës shqiptare.

Mbledhja komemorative dhe homazhet do të mbahen në mjediset e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Për ditën e komemoracionit dhe ceremoninë e varrimit ju njoftojmë në ndërkohë.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY