BANDA E TRITOLIT/ Rrëfimi sekret i të penduarit Gjokona: Si u rekrutova...

BANDA E TRITOLIT/ Rrëfimi sekret i të penduarit Gjokona: Si u rekrutova dhe si i bënim vrasjet me pagesë

836
0
Shares

Zbardhet “dëshmia sekrete” e Ndriçim Gjokonës, një nga të penduarit e drejtësisë në procesin ndaj “bandës së tritolit” në Gjykatën për Krimet e Rënda. Gazeta “Panorama” publikon sot dëshminë e dhënë në sallën e gjyqit nga i pandehuri për bashkëpunim në disa vrasje, Ndriçim Gjokona.
Dëshmia e tij është dhënë pak javë më parë në një prej seancave të procesit që zhvillohet me dyer të mbyllura për publikun. Rrëfimi i Gjokonës është administruar nga gjykata dhe përbën një nga provat më të forta të organit të Prokurorisë kundër të pandehurve të këtij procesi. Në këtë pjesë të parë të dëshmisë, Gjokona tregon si u rekrutua në atë që më vonë u cilësua si “banda e tritolit”, njohjen e tij me të penduarin tjetër, të dyshuarin si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj dhe veprimet e kryera prej tij për llogari të vrasjes së shtetasit Sokol Veizi.
Në rrëfimin e tij, Gjokona pretendon se pasi ka mësuar nga të bashkëpandehurit e tij se po planifikonin një vrasje, është përpjekur të mos përfshihet. Të paktën këtë qëndrim shpreh ai kur tregon momentin që Andon Mëhilli i kishte kërkuar t’i siguronte një motor. Por më vonë, pasi tregon gjithë veprimet që ka kryer në kohën kur dyshohet se Julian Sinanaj ka vrarë Sokol Veizin, Gjokona shprehet se “isha i përlyer kokë e këmbë”.
Në faktet e rrëfyera prej tij në sallën e gjyqit, i penduari Gjokona u ka qëndruar besnik deklarimeve të dhëna prej tij në Prokurori gjatë fazës së hetimeve. Për shkak se është i pandehur në proces, Gjokonës i është kërkuar të shprehte pëlqim nëse do të jepte deklarime. Ai ka treguar gatishmëri t’u përgjigjej pyetjeve të palëve.

DESHMIA E GJOKONAJT NË GJYKATE

Kryesuesi i seancës gjyqësore: I pandehuri Ndriçim Gjokona, gjykata ka vendosur të merret si provë në gjykim, pyetja juaj sipas nenit 166 të Kodit të Procedurës Penale.
Kjo provë mund të merret nëse ju jepni pëlqimin për t’iu përgjigjur pyetjeve të palëve në këtë proces. Ju sot e jepni pëlqimin për t’iu përgjigjur palëve në proces. Cili është vullneti juaj?
I pandehuri Ndriçim Gjokona:  Po e jap pëlqimin. Do t’u përgjigjem të gjitha pyetjeve të palëve.


Prokurori Besnik Muçi: Mund të shpjegoni njohjen tuaj me të pandehurit në këtë proces? Në çfarë rrethanash jeni njohur me këta pandehur? Çfarë veprimesh keni kryer me këta të pandehur, veprimtarinë tuaj dhe atë të tyre?
I pandehuri Ndriçim Gjokona:  Desha të sqaroj njëherë gjykatën, se lidhur pyetjen për gjendjen time gjyqësore. Gjykata më ka pyetur nëse kam qenë i dënuar dhe kam deklaruar që nuk kam qenë i dënuar. E kam pasur fjalën për në Shqipëri, ndërsa jashtë shtetit kam qenë i dënuar më parë. Në Shqipëri jo. Atje në Itali jam dënuar për grabitje, ndërsa në Greqi për trafik klandestinësh. Për sa i përket njohjes me të pandehurit e tjerë, fillimisht jam njohur me Andon Mëhillajn, te shtëpia e vjehrrës së tij, quhet L. P. nëse nuk gaboj. Aty kemi shkëmbyer numrat e telefonave. Bëhet fjalë për vitin 2010. Kemi shkëmbyer numrat, për faktin që nëse Andoni do të kishte punë në shtëpinë e tij për sa i përket zanatit tim. Unë kam pasur një numër me 011 në fund, nëse nuk gaboj, kurse Andoni numrin 069xxxx810. Pasi shkëmbyem numrat, diku nga dhjetori 2011, më ka marrë në telefon dhe më ka kërkuar të shkojmë në shtëpinë e tij për të bërë disa riparime elektrike. Banesa e tij është pranë Shtëpisë së Oficerëve në Vlorë. Pasi kam vajtur e kam parë problemet në shtëpinë e tij, kam konstatuar se duhej të ndërrohej gjithë kuadri elektrik dhe disa çelësa takim-stakimi.

Rekrutimi nga Mëhilli
Aty, kur kam vajtur tek Andon Mëhilli, kam gjetur një person tjetër që atë kohë nuk e njihja dhe Erioni, pra Andoni, ma ka prezantuar si vëllanë e tij. Ai ishte E. L. dhe në atë periudhë kërkohej, për një vrasje bashkë me vëllanë e tij në Vlorë. Fillova të shoqërohem me to dhe dilnim nganjëherë pinim kafe.
Në prill 2012, më ka marrë sërish në telefon Erioni dhe donte të ndërronte linjën e furnizimit të energjisë elektrike nga kabina në shtëpi dhe e pashë që më afrohej sa më shumë dhe kërkonte të rrinte me mua. Gjatë kësaj kohe më ka kërkuar që, pasi ka pasur debate me xhaxhanë e tij G. M., të bëja diçka të cilën do ta shpreh, por më ka kërkuar t’i blija një bidon me acid dhe t’ia hidhnim gruas së G. M. pasi kishin pasur debate që në kohën e Enverit. Siç thoshte Erioni, ata favorizoheshin më shumë e këta ishin të persekutuar. Kjo ka vazhduar edhe pas viteve ‘90.
Unë nuk e pranova propozimin e tij. Më vonë më mori në telefon, kanë pasur një problem te gurorja e E. Shkova në shtëpi dhe i gjeta me telefon dhe një pistoletë “Bereta” ndoshta, s’e di, të lënë mbi parvazin e shkallëve dhe më tha që ka disa problem te gurorja e A. dhe do të vish me mua të më shoqërosh. I thashë mirë, por m’u duk e çuditshme, se ne nuk njiheshim mirë, nuk m’u duk e arsyeshme.
Erion Mëhilli, Andoni, nuk ishte në gjendje, ishte i nervozuar si mund të them dhe pistoletën e mbajta unë. Për këtë arsye, që të mos bënte ndonjë gjë nga gjaknxehtësia me pistoletën shkuam në Drashovicë, u sqaruam dhe kaq.

Përfshirja e Sinanajt
Disa kohë më vonë më mori në telefon dhe shkuam te Plazhi i Vjetër në Vlorë dhe më ka kërkuar të hiqja telefonat e çdo gjë që kisha në xhep dhe i hodha në ujë. Aty jemi futur në ujë deri në gjunjë dhe më tha do të them diçka, por ta mbash sekret. Unë i thashë mirë, duke menduar se ishte ndonjë budallallëk.
Më ka deklaruar se “kam vendosur të vras Sokol Veizin”. Kur dëgjova mbiemrin e ngatërrova me një mjek dhe e pyeta: “Pse, ça ka bërë doktori?” Ai më tha jo doktori, por është Sokol Veizi nga Orikumi, më tha “kam njohur një person që bën vrasje me pagesë, por nuk e di është i saktë ai vrasës me pagesë, apo punonjës shteti”.
Më kërkoi të shkoja të shikoja dhe të jepja një opinion për të. Atë pasdite që kemi bërë këtë bisedë jemi nisur nga Plazhi i Vjetër dhe kemi shkuar në Skelë. Në një rrugicë, por emrin nuk e përcaktoj dot, unë kam qëndruar në makinë. Erioni u drejtua drejt një dyqani peshku dhe vetëm pas gjysmë ore u paraqit një person me emrin Julian Sinanaj dhe unë i kisha thënë Erionit “nëse është ai që njoh unë, do të bëj shenjë me drita”, për ta siguruar.
Janë takuar bashkë. I kam bërë shenjë me drita që personi është në rregull, siç e kishim lënë. Jemi nisur me makinë, të tre bashkë, drejt Fushës së Aviacioni. Nuk e kujtoj nëse kemi pirë kafe, apo jo. Te rruga Transballkanike kemi bërë një bisedë shumë të shkurtër dhe kemi hipur në makinë dhe jemi kthyer drejt Skelës.
Më kanë ndaluar mua dhe kanë vazhduar për në shtëpi, ndërsa unë nuk e di ku kam ikur. Më pas më mori Erioni në celular dhe ai më pyeti çfarë mendimi kisha dhe e sqarova se personi në fjalë nuk është i SHIKU-t, as i Policisë dhe e thashë e njoh, se e kam takuar më parë nga një kushëri i veti L. P., ose G. I. dhe jemi takuar dy-tre herë.
Nga kjo anë të rrish i qetë dhe ai më tha ti e di ça do të bësh. Unë vazhdova për në shtëpinë time dhe pas tri ditësh, kjo periudhë bëhet fjalë në fillim të gushtit, deri ditën e vrasjes së Sokol Veizit, më ka marrë prapë në celular pas tri ditësh dhe shkova.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY