Policia spanjolle ka shkatërruar të mërkurën një grup që kalonte ilegalisht shqiptarë në Britaninë e Madhe. Grupi duke përdorur dokumente identiteti false dërgonte shqiptarë në Britani nëpërmjet udhëtimeve me avion. Policia ka ndaluar 12 persona dhe 85 emigrantë me dokumente false.
Anëtarët e këtij rrjeti kontaktonin njerëz nga Shqipëria që kërkonin të largoheshin nga vendi i tyre me premtimin për t’u gjetur një punë në Britani apo Irlandë. Të interesuarit duhet të udhëtonin vetë deri në Spanjë, ku zakonisht ndiqej rruga përmes Italisë dhe Turqisë.
“Anëtarët e grupit në Barcelona kujdeseshin për rezervimin e hotelit, biletës së avionit dhe instruksionet për procesin e hipjes në avion duke shmangur kapjen nga kontrolli i policisë”, bëjnë të ditur autoritetet spanjolle.
Grupi pajiste emigrantët me pasaportë false, leje banimi, leje drejtimi dhe kartë shëndeti me identitet rumun, italian apo grek, raporton agjencia e lajmeve AFP.
Arrestimet janë bërë në aeroportin “El Prat” në Barcelona, në “Bajaras” Madrid dhe në aeroportin e ishullit të Majorkës që është një nga desitionacionet kryesore turistike në Mesdhe.
Policia nisi hetimet për këtë grup që prej nëntorit të vitit 2014 pasi zbuloi se një numër i madh pasagjerësh udhëtonte për në Britani dhe Irlandë përmes këtyre aeroporteve.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/