Një debat më së shumti mediatik është përhapur pas 21 qershorit lidhur me koalicione të mundshme majtas e djathtas në spektrin politik. Në një prononcim për ABC News, nënkryetari demokrat Edi Paloka, mohoi çdo mundësi bashkëpunimi me Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke e akuzuar si autore të shitblerjes së votave.
LSI-në, siç thotë Edi Paloka, nuk e shohin dot me sy e jo më të bëjnë koalicion me të.
Ka diçka të vërtetë?
“Debatet janë vetëm në media”.
Kështu nëse dikush është duke besuar apo pritur me padurim rikthimin e një koalicioni të mundshëm mes demokratëve dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, asnjë mundësi për një të tillë nuk ekziston, pohoi për ABC News nënkryetari demokrat, Edi Paloka.
“LSI, absolutisht është partia që më shumë se kushdo tjetër ka dëmtuar votën e lirë dhe demokracinë shqiptare. Kështu që nuk besoj se dikush duhet të ketë iluzionin që PD do të bashkëpunojë me LSI-në, si një parti që është damkosur tashmë si armike e votës së lirë”.
Natyrshëm lind pyetja: po Basha e Rama a mund të udhëheqin një koalicion bashkë?
Paloka sjell në vëmendje deklaratën e kryetarit të partisë së tij tek i konsideron dy krerët e mazhorancës aktuale si dy pjesët e një molle të kalbur.
“Kemi bërë të qartë që janë pjesë e një të keqeje të madhe…”.
Sidoqoftë bie në sy se pas 21 qershorit në peshoren e tyre e keqja nuk është në baraspeshë.
“Gjithçka ka ndodhur ka qenë në bashkëveprim të plotë, shkelje kushtetuese, shkelje të ligjeve, kriminalizim i Parlamentit. LSI është gjithnjë aktive në këto akte negative”.
Në planin e përfitimit politik dhe pragmatizmit, keqqeverisja është në favor të opozitës që pret rikthimin sa më shpejt në pushtet, çka nuk mund të ndodhë në kushtet kur në rezultat ndikon shit-blerja e votës. Ndaj sulmin kryesor, veçanërisht që nga zgjedhjet e 21 qershorit demokratët e rezervojnë veçanërisht për ish-aleatin e tyre qeverisës.
“Shit-blerja e votës mban për autor LSI-në”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/