DOSJA ARBEN NDOKA/ Deputeti i PS-së detyroi të prostituonte të fejuarën e...

DOSJA ARBEN NDOKA/ Deputeti i PS-së detyroi të prostituonte të fejuarën e vëllait

85
0
Shares

Zbardhet dosja voluminoze e Gjykatës së Romës për deputetin e Edi Ramës, Arben Ndoka, i dënuar për prostitucion dhe pengmarrje. Dosja jep detaje rrëqethëse rreth aktivitetit kriminal të Ndokës në Itali dhe lidhjes së tij me prostitucionin dhe pengmarrjen. Më datën 1 shkurt 1995 shtetësja shqiptare, Suela Gj. siç është deklaruar nga ajo, në moshën 20-vjeçare ka ikur në Itali, ku ndodhej i fejuari i saj, shtetasi Kujtim Ndoka, i cili është vëllai i shtetasit Arben Ndoka, aktualisht i dënuar dhe objekt i këtij vendimi, me shpresën e gjetjes së ndonjë pune. I dënuari Arben Ndoka dhe vëllai i tij, Kujtim e çuan shtetasen Suela Gj. të prostituonte

 

Kartela personale e të dënuarit Arben Ndoka me 7 vjet e 5 muaj burg në Itali

Republika e Shqipërisë Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Lezhë

Vëren
Se kërkuesi i dënuar, Arben Ndoka me kërkesë drejtuar Gjykatës ka kërkuar vendosjen në afat të kërkesës ankimore ndaj vendimit penal Nr. 11, datë 14. 04. 2003 të Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë.
Nga hetimi gjyqësor rezulton se:
Me vendimin penal italian Nr. 6358, datë 18. 12. 1996, shtetasi Arben Ndoka është dënuar me 3 vjet e gjashtë muaj burgim për veprën penale të favorizimit e të shfrytëzimit të prostitucionit.
Ndërsa me vendimin penal italian Nr. 5476, datë 03. 01. 1999 është vendosur që shtetasi Arben Ndoka të dënohet me 4 (katër) vjet burgim për veprën penale të rrëmbimit të personit në rrethana rënduese.
Prokuroria pranë Gjykatës së Romës, Zyra e Ekzekutimit për të huajt ka bërë bashkimin e dënimeve dhe përfundimisht të dënuarit Arben Ndoka i është dhënë dënimi kryesor 7 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim.
I dënuari Arben Ndoka ka shprehur dëshirën e tij që dënimin e dhënë ta vuajë në burgjet e vendit të origjinës, Shqipëri. Për këtë është kërkuar njohja e vendimit penal të huaj.
Në seancën gjyqësore, prokurori i seancës ka kërkuar njohjen e vendimit penal të huaj Nr. 6358, datë 18. 12. 1996 të Gjykatës italiane për shtetasin Arben Ndoka, i dënuar për veprën penale të favorizimit e shfrytëzimit të prostitucionit me 7 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim, i cili ka marrë formë të prerë. Mbi bazën e kërkesës së organit të Prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Lezhë me vendimin e saj Nr. 11, datë 14. 04. 2003 ka vendosur.
1. Njohjen e vendimit penal të formës së prerë Nr. 6358, datë 18. 12. 1996 të dhënë nga Gjykata Penale në Itali ndaj shtetasit shqiptar, Arben Ndoka, i cili është dënuar me këtë vendim me 7 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim si më poshtë.
a. Për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese në bazë të nenit 114/5 të Kodit Penal i dënuar shtetasi Arben Ndoka me 7 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim.
b. Për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë së parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 vjet e 6 muaj burgim.
c. Përfundimisht bazuar në kërkesat e nenit 55 të K Penal dënimin e shtetasit Arben Ndoka me 7 vjet e 27 ditë burgim.
– Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Apelit Shkodër.
– Të njoftohet për këtë vendim i dënuari Arben Ndoka.
Pra, sipas vendimit Nr. 11, datë 14. 04. 2003 i dënuari ka pasur detyrimin ligjor të njihet me vendimin e mësipërm.
Vendimi i mësipërm ka marrë formë të prerë më datë 24. 04. 2003 dhe në dosjen administrative penale Nr. 11, datë 11. 04. 2003 nuk ka asnjë lloj komunikimi të këtij vendimi për të dënuarin Arben Ndoka, ku ai të ketë marrë dijeni dhe konfirmuar pra, duke qenë se vendimi është bërë në mungesë të të dënuarit sipas nenit 147/2 i Kodit Penal, sipas të cilit në qoftë se është dhënë vendimi në mungesë i pandehuri mund të kërkojë dosjen në afat për të bërë ankim, kur paditësi mund të marrë dijeni për vendimin. Pra, vendimi është dhënë në mungesë dhe i dënuari nuk ka marrë dijeni nga asnjë nga format e kërkuara nga ligji.
Përfaqësuesit e të dënuarit shpjeguan para Gjykatës se njoftimi dhe realizimi i të drejtave të të përfaqësuarit në kushtet e deklarimit fajtor e dënimin e tij, është dhe një detyrim kushtetues që përcaktohet në nenin 28 të Kushtetutës dhe të drejtat e tij. Ai nuk ka pasur mundësi të realizojë, sepse nuk i është dhënë mundësia e njohjes me vendimin.
E drejta e ankimit ndaj një vendimi Gjykate është një e drejtë kushtetuese caktuar në nenin 28 të Kushtetutës, por që sanksionohet si esencial në nenin 43 të Kushtetutës, ku thuhet: “Kushdo ka të drejtë të ankohet kundër një vendimi gjyqësor në një Gjykatë më të lartë, përveçse në Kushtetutë parashikohet ndryshe”.
Pra, ankimimi si një e drejtë themelore kushtetuese nuk duhet të privohet.
Edhe në vendimin unifikues Nr. 1, datë 30. 01. 2003 të Kolegjit të Bashkuar të Gjykatës së Lartë në pjesën arsyetuese, në pikën 4/2 kolegjet e bashkuara konfirmojnë ushtrimin e të drejtës kushtetuese të ankimit bazuar në nenin 43 të Kushtetutës, duke konkluduar se, “vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë për njohjen e një vendimi penal të një gjykate të huaj mund të ankimohet në rrugë të zakonshme të ankimit si gjithë vendimet e tjera”.
Përfaqësuesit e të dënuarit, rivendosjen në afat të ankimit e kërkojnë për vetë faktin se megjithëse i dënuari ka dhënë pëlqimin e tij për ekstradimin, kjo nuk do të thotë që ai është dakord me masën e dënimit, e cila është njohur nga Gjykata e Faktit Lezhë me vendimin Nr. 11, datë 14. 04. 2003, pasi sipas tyre me këtë vendim është rënduar pozita e të dënuarit, pasi ka pasur dy vendime e Gjykata ka njohur vetëm njërin, vendimi penal i huaj përmban disponime në kundërshtim me parimet e rendit juridik të shtetit shqiptar. Pra, shkaqe këto për të cilat përfaqësuesit kërkuan rivendosjen në afat të ankimit.
Mbi sa sipër, Gjykata çmon se i duhet pranuar kërkesa të dënuarit Arben Ndoka, pasi ajo është një e drejtë kushtetuese e bazuar në prova dhe në ligj.

Vëren
Se Prokuroria e Shkallës së Parë e Rrethit Gjyqësor Lezhë me kërkesë drejtuar Gjykatës ka kërkuar njohjen e vendimit penal Nr. 6358, datë 18. 12. 1996 të dhënë nga Gjykata Penale Romë Itali ndaj shtetasit shqiptar, Arben Ndoka.
Nga hetimi gjyqësor rezultoi se:
Me vendimin penal të Gjykatës Penale të Romës, Itali Nr. 11998/95 është dënuar shtetasi shqiptar, Arben Ndoka për krimin e parashikuar nga nenet 112 CP-neni 3n.6 dhe 8 dhe neni 4.Nn.1 dhe ligji i datës 20.2.58n75, pasi në bashkëpunim me persona të tjerë si nxitës dhe organizator kanë nxitur shtetasen Suela Gj. të vinte nga Shqipëria në Itali me qëllim ushtrimin e prostitucionit. Gjithashtu, kanë favorizuar dhe shfrytëzuar prostitucionin e Suela Gj., duke e shoqëruar në vendin e punës e duke e vëzhguar dhe duke bërë që fitimi i punës së saj të shkonte tek Raduloviç. Aktin e kanë kryer me anën e kërcënimit me vdekje dhe me dhunë, që ka konsideruar në rrahjen e vajzës dhe akuzuar për krimin e parashikuar nga nenet 110-605 K. P. për dhunimin e lirisë personale të Suela Gj., duke e mbajtur të mbyllur me çelës në banesën e……Piazza D’Armi, n.10 në Spoleto, ku për veprën e parë është dënuar me 3 vjet e gjashtë muaj burgim dhe për veprën e dytë 4 vjet burgim. Përfundimisht shtetasi shqiptar, Arben Ndoka është dënuar me 7 vjet e 6 muaj e 27 ditë. Vendimet kanë marrë formë të prerë më datë 18. 12. 1997, dhe datë 9. 3. 1999.
Nga shqyrtimi i akteve që ju paraqitën Gjykatës rezultoi se, shtetasi Arben Ndoka është banor i qytetit të Lezhës dhe në vitin 1995, ai ka qenë në shtetin italian si emigrant.
Më datën 1 shkurt 1995 shtetësja shqiptare, Suela Gj. siç është deklaruar nga ajo, në moshën 20-vjeçare ka ikur në Itali, ku ndodhej i fejuari i saj, shtetasi Kujtim Ndoka, i cili është vëllai i shtetasit Arben Ndoka, aktualisht i dënuar dhe objekt i këtij vendimi, me shpresën e gjetjes së ndonjë pune. I dënuari Arben Ndoka dhe vëllai i tij, Kujtim e çuan shtetasen Suela Gj. të prostituonte. Më vonë, ata e transferuan atë në Romë, ku Suela Gj. njohu një klient të quajtur Margheri Mario me të cilin pati marrëdhënie sentimentale, ku si rezultat i këtij veprimi ka ardhur dhe vendimi i denoncimit të ish-të fejuarit të saj, Kujtim Ndoka, për shfrytëzim prostitucioni, ku ky i fundit u arrestua dhe më pas ai është liruar.
Më datën 9 shkurt, Suela Gj. po udhëtonte me një veturë që drejtohej nga shoku që bashkëjetonte me të, Mario Margheti, kur mjeti është ndaluar nga një veturë “Golf” ku gjendej ish-i fejuari i Suela Gj., shtetasi Kujtim Ndoka, bashkë me tre shqiptarë të tjerë, e kanë detyruar Suela Gj. të zbriste nga makina e italianit dhe të shkonte me të te një avokat, para të cilit të tërhiqte akuzat në ngarkim të shtetasit Kujtim Ndoka, pasi ky do të gjykohej pas disa ditësh nga Gjykata e Romës për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në dëm të vajzës. Në makinë ishin shtetasit Kujtim e Arben Ndoka dhe shtetas të tjerë shqiptarë. Vetura është drejtuar në drejtim të Milanos, ku shtetësja Suela Gj. do t’ju besohej disa shqiptarëve të tjerë. Mëngjesin e ditës tjetër, në Bollate, pasi ka hyrë në një bar me bashkëkombësit e saj, shtetësja Gjoni ka arritur të flasë me një kameriere, të cilës i ka kërkuar të lajmëronte karabinierët, ku më pas me ardhjen e tyre aty, ajo ka bërë denoncimin e saj. Ajo ka dëshmuar se ishte bërë objekt goditjeje nga ana e Kujtimit dhe kërcënimesh nga ana e dy vëllezërve Ndoka.
Edhe dëshmitari Margheri, ka dëshmuar para Gjykatës se makinës së tij i kishte prerë rrugën “Golfi Diesel” dhe kishin zbritur dy djem, ku njëri nga ata ishte shtetasi i dënuar Arben Ndoka, të cilët me kërcënimin e një pistolete që linte të kuptohej që e mbanin në xhep, kishin detyruar vajzën të zbriste e kishin nxjerrë nga makina dhe duke e mbajtur për krahu e kishin hipur në “Golf”.
Për të gjitha këto veprime të kundërligjshme, shtetasi shqiptar Arben Ndoka është deklaruar fajtor për krimin e parashikuar nga nenet 81, 110, 48, 61 n. 2 në referim të nenit 372, 605 të Kodit Penal dhe përfundimisht është dënuar me 7 vjet e gjashtë muaj burgim ndalimi në zyrat publike prej 5 vjetësh dhe lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për këtë dënim, ku vuajtja e dënimit nga data e burgimit është dt. 31. 05. 2002.
Në vështrim të kërkesave të nenit 514 të Kodit të Procedurës Penale shqiptare, vendimi i dhënë ka marrë formë të prerë pa u ankimuar dhe është bërë i ekzekutueshëm, si dhe për të gjithë veprat penale që akuzohet i pandehuri Arben Ndoka parashikohen nga ligji shqiptar dhe pikërisht nga nenet 114/5 e Kodit Penal, 110 i Kodit Penal.
Për këto veprime të njohjes së vendimit penal italian ka dhënë pëlqimin dhe i dënuari Arben Ndoka.
Sa sipër u vërtetua me shpjegimet e palëve dhe provave të administruara në seancë gjyqësore dhe mbi bazë Gjykata arrin në konkluzionin se duhet bërë njohja e vendimit penal të Gjykatës Penale të Romës Itali, mbështetur dhe në Konventën Europiane “Për transferimin e personave të dënuar” të ratifikuar më 4 prill 2000, si dhe në nenin 512, pika 1 dhe 2 e Kodit të Procedurë Penale të Shqipërisë.

Për këto arsye
Gjykata bazuar në nenin 512, 514 e 516 të Kodit të Procedurës Penale


Vendosi
1- Njohjen e vendimit penal të formës së prerë Nr. 6358, datë 18. 12. 1996 të dhënë nga Gjykata Penale Romë në Itali ndaj shtetasit shqiptar Arben Ndoka, i cili është dënuar me këtë vendim me 7 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim si më poshtë.
a- Për veprën penale të shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese e në bazë të nenit 114/5 të Kodit Penal e dënon shtetasin Arben Ndoka me 7 vjet e 5 muaj e 27 ditë burgim.
b- Për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë të parashikuar nga neni 110 i Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 3 vjet e 6 muaj burgim.
c- Përfundimisht bazuar në kërkesat e nenit 55 të Kodit Penal dënimin e shtetasit Arben Ndoka me 7 vjet e 27 ditë burgim.
Ç- Vuajtja e dënimit i fillon nga dita e arrestimit dt. 31. 05.2 002.
2- Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të të dënuarit Arben Ndoka.
3- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim brenda afatit ligjor në Gjykatën e Apelit Shkodër.
– Të njoftohet për këtë vendim i dënuari Arben Ndoka.
U shpall në Lezhë më datë 14. 04. 2003.


Sekretare
Ardiana Krasniqi
Gjyqtar
Dedë Deda

 

Marrë nga Gazeta “Rilindja Demokratike” (RD)

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY