Ish-Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka qenë sot në Prokurorinë e Tiranës për t’u njohur me akuzat ndaj tij, të “shpërdorimit të detyrës” lidhur me skandalin e vjedhjes në bankë, ndërsa dosja në ngarkim të tij do t’i çohet Gjykatës së Tiranës javën e ardhshme.
Nga sot, ish-guvernatori është zyrtarisht i pandehur, ndërsa akuza për “shpërdorim detyre” është lidhur me vjedhjen e 713 milionë lekëve në thesar.
Procesi i hetimeve për ish-Guvernatorin zgjati më shumë se për të akuzuarit e tjerë për vjedhjen e 713 milionë lekëve nga Thesari i Shtetit, pasi Fullani u hetua jo vetëm për këtë skandal, por dhe për dhënien e disa ambienteve me qira gjatë kohës që ishte Guvernator, si edhe për shitjen e hotel “Dajtit”, pasi ka dyshime për mënyrën e shitjes se tij, jo me tender, por me prokurim të drejtpërdrejtë.
Për këtë rast u pyetën në Prokurori dhe dy anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ardian Fullani u arrestua në 5 shtator të vitit të kaluar për vjedhjen e Thesarit të bankës në vlerë 713 mln lekë.
Vetë Fullani, gjithmonë ka shprehur pafajësinë në lidhje me këtë vjedhje.
Më 20 maj Gjykata e Tiranës dënoi me 13 vjet e 4 muaj burg, Ardian Bitrajn ish-punonjës i Thesarit, dhe Mimoza Bruzian me 10 vite burg për akuzën e vjedhjes nga Thesari i Bankës së Shqipërisë, në qershor të vitit të kaluar.
Ardian Bitraj ka pranuar se ka kryer vjedhjen duke deklaruar se lekët i kishte humbur në pikat e lotove sportive ku ai luante rregullisht.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/