Përgjimi i celularëve tashmë me rregullore

Përgjimi i celularëve tashmë me rregullore

52
0
Shares

Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka kërkuar nga operatorët e tregut celular dhe më gjerë, që të marrin masat e nevojshme për të siguruar rrjetet e tyre.
Pak muaj më parë, ky institucion kërkoi nga operatorët që të detajonin në një raport masat që kishte secili prej tyre për të ruajtur privatësinë dhe integritetin e rrjetit.
Pas kësaj u hartua edhe rregullorja përkatëse, e cila është për konsultim publik.

Rregullorja
Operatorët do të duhet të lajmërojnë menjëherë AKEP-in, sa herë që ka raste të mohimit të shërbimeve elektronike, të komprometimit të sistemeve të informacionit, të manipulimit ose modifikimit të paautorizuar të të dhënave apo edhe software të dëmshëm, si viruse apo spam. Ky njoftim do të duhet të bëhet brenda tri ditëve.
Sakaq, lidhur me masat shtesë, operatorët duhet që të ngarkojnë të paktën një person të autorizuar që do të merret me çështjen e ruajtjes së të dhënave, duhet të marrë masa për t’i mbrojtur këto të dhëna nga humbja ose zbulimi i paautorizuar. AKEP u përcakton operatorëve edhe masat që duhet të marrin për të njoftuar pajtimtarët e tyre në rastet kur këta të fundit janë cenuar te privatësia.
“Kur një shkelje e të dhënave personale mund të ndikojë në privatësinë e pajtimtarit ose individit, sipërmarrësi, gjithashtu, njofton pa vonesë pajtimtarin ose individin për shkeljen. Pa paragjykim ndaj detyrimit të sipërmarrësit për të njoftuar pajtimtarët dhe individët në fjalë, nëse sipërmarrësi nuk e ka njoftuar pajtimtarin ose individin për shkelje të të dhënave personale, AKEP-i, pasi të ketë marrë parasysh ndikimin e shkeljes, mund të kërkojë që sipërmarrësi të njoftojë pajtimtarin”, thuhet në rregullore.

Përgjimet
AKEP i ka bërë të qartë kufijtë e lejuar për operatorët lidhur me informacionin që mund të mbajnë për pajtimtarët, si dhe për rastet kur lejohet përgjimi, që në fakt është e përcaktuar me ligj.
“Konfidencialiteti i komunikimeve dhe i trafikut të të dhënave në rrjetet e komunikimeve elektronike publike dhe/ose në shërbimet e tyre duhet të garantohet nga ofruesit e tyre. Operatorët në mënyrë specifike duhet të parandalojnë përgjimin ose interceptimin e thirrjeve telefonike ose format e tjera të përgjimit të komunikimeve dhe trafikut të të dhënave nga persona përtej atyre të përfshirë direkt në komunikim, me përjashtim të rastit kur diçka e tillë është ligjërisht e autorizuar”, përcakton rregullorja.

Konfidencialiteti i komunikimeve
1. Konfidencialiteti i komunikimeve dhe i trafikut të të dhënave në rrjetet e komunikimeve elektronike publike dhe/ ose në shërbimet e tyre duhet të garantohet nga ofruesit e tyre. Operatorët në mënyrë specifike duhet të parandalojnë përgjimin ose interceptimin e thirrjeve telefonike ose format e tjera të përgjimit të komunikimeve dhe trafikut të të dhënave nga persona përtej atyre të përfshirë direkt në komunikim, me përjashtim të rastit kur diçka e tillë është ligjërisht e autorizuar.
2. Përjashtohen nga detyrimi i përcaktuar në pikën 1 regjistrimet e autorizuara ligjërisht të komunikimeve, kur ndërmerren në kuadrin e praktikave të ligjëruara të biznesit për qëllimin e ofrimit të evidencës së një transaksioni komercial ose të ndonjë komunikimi tjetër biznesi.
3. Operatorët duhet të garantojnë përdorimin e mjeteve të duhura në sistemet e komunikimeve elektronike dhe në sistemet e procesimit të të dhënave për të mbajtur sekret komunikimet elektronike dhe të dhënat personale të përdoruesve, po kështu për të ndaluar aksesin e paautorizuar në këto sisteme.
4. Operatorët, personat e autorizuar, punonjësit, dhe çdo individ i përfshirë në sistemet e komunikimeve elektronike, pjesë e strukturave të operatorit janë përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e konfidencialitetit të të dhënave dhe komunikimeve.
5. Operatorët duhet të mbledhin të dhëna në lidhje me përdoruesit e tyre vetëm për qëllim dhe deri në shkallën e nevojshme për të kryer detyrën e tyre të ofrimit të shërbimeve të komunikimeve publike.
6. Operatorët duhet të informohen në lidhje me mesazhet ose të dhënat e transmetuara përmes rrjetit të tyre vetëm deri në shkallën e nevojshme për të kryer detyrën e tyre të ofrimit të shërbimeve të komunikimeve publike.
7. Marrja, regjistrimi, publikimi dhe përdorimi i të dhënave dhe mesazheve të transmetuara nga rrjetet e komunikimit publik dhe që nuk janë të destinuara për publikun, po kështu edhe shpërndarja e tyre te njerëz të paautorizuar janë të ndaluara, nëse nuk parashikohet ndryshe nga legjislacioni në fuqi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY