Gjykata e Matit ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me dy vjet burg shtetasin Skënder Xhomara, ish-agjent postar i Posta Shqiptare sh. a, i akuzuar se ka vjedhur paratë që u takonin për muajin nëntor 2014 rreth 90 personave në formën e pensionit të invaliditetit.
Në konkluzionet përfundimtare, Prokuroria kërkoi dënimin e tij me 5 vite burgim. Nga hetimi i prokurorisë së Matit, ka rezultuar se shtetasit Xhomara, në muajin nëntor 2014, pasi ka marrë rreth 1.2 milionë lekë (të reja) nga filiali i postës Mat për t’i shpërndarë tek përfituesit që banonin në fshatrat e komunës Rukaj, është larguar drejt Italisë me shumën e parave të vjedhura. Pak para se të nisej për në Itali, i pandehuri i ka telefonuar një mikut të tij, ku i ka kërkuar që në makinën e tij të merrte disa dokumente dhe t’ia dërgonte shefit të financës të filialit të Postës. Pasi dokumentacioni u administrua nga filiali, rezultoi se për muajin nëntor ishin paguar vetëm 6 persona, të cilët përftonin pensionin e paaftësisë, ndërkohë që pjesa tjetër e parave nuk ishte kthyer nga i pandehuri.
Pasi u konstatua vjedhja, drejtuesit e filialit të Posta Shqiptare sh. a., Mat, kanë dorëzuar kallëzim penal kundër ish-punonjësit Xhomara. Prokuroria zhvilloi hetimet dhe ka dërguar për gjykim kërkesën kundër shtetasit Skënder Xhomara, i akuzuar për veprën penale të “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, parashikuar nga neni 135 i Kodit Penal. Ndaj të pandehurit është në fuqi masa e sigurisë “arrest në burg” në mungesë.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/