“Denoncojmë me shumë forcë këtë rast si veprim banditesk dhe ndërhyrje në jetën e një brezi të ri, të cilit i thuhet se ju nuk keni të ardhme, në qoftë se s’lidheni me ne, në qoftë se s’bëni pazar dhe nuk ndërtoni marrëdhëniet me ne…”
Koordinatori i PD-së në zgjedhjet lokale për Bashkinë Kamëz, Jemin Gjana, ishte sot para mediave për të denoncuar përdorimin e administratës dhe veçanërisht të mësuesve dhe maturantëve të shkollave të mesme për zgjedhjet e 21 qershorit nga kandidati i PS-së, Safet Gjici, dhe Zyra Arsimor Kamëz.
Në prononcimin e tij Gjana tha se, “Çështja që duam të denoncojmë ka të bëjë me maturantët. Kamza dhe Paskuqani së bashku kanë gjashtë shkolla të mesme, një shkollë private po të mesme, një shkollë profesionale të mesme dhe gati 1700 – 2000 maturantë gjithsej. Sot ne duam të denoncojmë veprimin arbitrar me maturantët e shkollave të mesme, ku teste të gatshme po u jepen maturantëve bazuar mbi bindjet politike të familjarëve në mënyrë krejt të turpshme. Këto teste ose u janë dhënë që jashtë pa hyrë në provim, ose u janë çuar me telefona ku maturantëve të përzgjedhur nga ata nuk u është ndaluar përdorimi i tyre. Kjo është një praktikë e shëmtuar, është bërë në provimin e letërsisë dhe vazhdoi futja testeve të zgjidhura edhe me provimin e matematikës tek maturantët, me qëllim për të përfituar vota prej maturantëve dhe familjeve të tyre. E dyta që duam të denoncojmë është praktika që kanë ofruar provimet para datës 21 qershor dhe po u ofrojnë para për mbrëmjen e maturës brenda datës 20 qershor, me qëllim përsëri për të ndikuar për një grusht votash”.
Pyetjes së gazetarit nëse do t’i denonconin këto raste, sepse përbëjnë shkelje, Gjana iu përgjigj se, “Natyrisht që ne kemi përgatitur dosje dhe po përpiqemi të çojmë te misionet e vëzhgimit të OSBE/ODIHR-it, sigurisht po përgatisim dosje për të denoncuar veprimtari të paligjshme. Në aktivitetin e fëmijëve më 1 qershor duket qartë që Zyra Arsimore Kamëz është angazhuar në mbështetje të Gjicit ku në foto duket drejtoresha e shkollës 9-vjeçare ‘Hillari Klinton’ dhe përgjegjësja e kopshtit Qendër-Kamëz etj. Dënojmë me ashpërsi përdorimin e administratës dhe presionin ndaj saj për të qenë në aktivitete elektorale të Safet Gjicit si veçanërisht fort përdorimin e fëmijëve për fushatë dhe kërkojmë që t’i jepet fund kësaj praktike”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/