Artan Fuga apelon: Kërkohet Solidaritet! Firmosni Memorandumin kundër projektligjit të Arsimit të...

Artan Fuga apelon: Kërkohet Solidaritet! Firmosni Memorandumin kundër projektligjit të Arsimit të Lartë!

57
0
Shares

Nën okelion “Kërkohet Solidaritet!” dhe lutjen “Firmosni Memorandumin (Ju lutem)”, Akademiku Artan Fuga  ka adresuar një ftesë publike, bashkë edhe me tekstin e Memorandumit, drejtuar drejtueve më të lartë të shtetit, si dhe insititucioneve ndërkombëtare, ku kërkohet mbështetje dhe shprehen kundërshtitë për projektligjin e Arsimit të Lartë.

Apeli i Artan Fugës
Kërkohet Solidaritet! Firmosni Memorandumin (Ju lutem)

Për:
një reformë të vërtetë të sistemit universitar,
për ta mbrojtur arsimin kombëtar publik,
kundër politizimit të universiteteve,
kundër arsimit thjesht për të mbushur xhepat e mashtruesve,
kush ndan këto vlera me ne,
është i lutur t’i bëjë një “like”, këtij Memorandumi me rëndësi kombëtare, përpjekjes sonë dyvjeçare
te faqja facebook:
“Forumi pёr Liritё Universitare”
https://www.facebook.com/notes/forumi-p%D1%91r-lirit%D1%91-universitare/memorandum/102740323395535

FORUMI PER LIRITE UNIVERSITARE
Një klikim ju ndan ne!

 

MEMORANDUM


Zotit Ilir META
Kryetar i Kuvendit


Zotit Edi RAMA
Kryetar i Këshillit të Ministrave

Kryetarëve të të gjitha grupeve parlamentare

Kryetarit të Komisionit të edukimit dhe mediave

Përfaqësive të Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës, SHBA-së dhe vendeve të tjera të akreduara në Republikën e Shqipërisë

Ne, pedagogë të universiteteve publike,
–          Duke qenë të përgjegjshëm për detyrën tonë për të ruajtur dhe zhvilluar vlerën kombëtare të dijes universitare dhe formimit universitar të brezit të ri,
–          Duke parë se Kuvendit të Shqipërisë po i paraqitet për aprovim një projektligj krejt i papërshtatshëm dhe i gabuar në thelbin e vet, dhe që nuk është aspak në përputhje me standartet bashkëkohore dhe statusin e universiteteve në një shoqëri demokratike,
–          Duke konstatuar se megjithë përpjekjet tona dhe të grupeve aktive studentore, si edhe të këshillave të profesorëve të mjaft fakulteteve, për të paraqitur komente dhe sugjerime konstruktive për përmirësimin e ligjit, kemi rënë në veshin e shurdhër te Ministrisë te Arsimit dhe Sporteve,
–          Duke shpresuar se Kuvendi i Shqipërise, shumica dhe opozita parlamentare sikurse edhe Qeveria do të kuptojnë thelbin e shqetësimeve tona shumë serioze,
Po u drejtohemi me këtë memorandum:
Mendimi ynë është se arsimi i lartë ka nevojë për reformim të thellë dhe të plotë. Megjithë boshllëqet e konstatuara ai ka arritur të transformojë sistemin e dijeve universitare brenda dy dekadave duke krijuar një brendi dhe forma të hapura e demokratike dijesh dhe pedagogjie universitare. Por, ky projektligj nuk u përgjigjet pritshmërive tona dhe mbi të gjitha përgatitjes së një kuadri tërësor juridik që do të krijonte mundësitë për integrimin e dijes universitare në shoqëri dhe krijimin e një shoqërie të dijes, të emancipuar, ku kërkimi dhe shkenca, njerëzit e përgatitur me nivelet më të mira të njohurive shkencore do të mund të gjenin vendin e tyre në shoqëri. Përkundrazi, projektligji anashkalon zgjidhjen e problemeve të tilla të mprehta sikurse janë papunësia midis të diplomuarve, prapambetja në sistemin e mekanizmit eknomik të funksionimit të institutcioneve të arsimit të lartë, mungesa e kritereve të përpunuara të matjes së cilësisë të kërkimit shkencor, kushtet e punës dhe të mësimdhënies të profesoratit, kushtet e jetesës dhe të drejtat studentore për një akses të drejtë në vlerat e dijes universitare apo në të drejtat e tyre sociale.
Mbi të gjitha, projektligji në fjalë e përkeqëson kuadrin e tanishëm juridik në fuqi duke rrezikuar zbehjen dhe zhbërjen e shumë arritjeve mbi bazën e të cilave ngrihet një sistem universitar në shoqëritë e përparuara demokratike. Asnjëherë, nuk na tregohet se në cilin model është mbështetur ky projektligj, cilat përvoja konkrete të zhvilluara dhe demokratike mban parasysh. Eklektizmi I theksuar ka karakterizuar platformat e paraqitura të projektligjit, të pambështetura në asnjë studim të thelluar e konkret të realitetit shqiptar, cka na jep shqetësimin e improvizimeve subjektive dhe nën influencën e lobingjeve të interesit privat.
Po vihet në rrezik parimi kushtetues i cili thekson se “Autonomia e institucioneve të arsimit të lartë dhe liria akademike garantohet me ligj.” Kjo duket në të gjithë frymën e projektligjit të paraqitur, dhe sidomos nëpërmjet kontrollit të parashikuar në të, ushtruar nga ana e agjencive të ndryshme nën autoritetin e Ministrise së Rrsimit, mbi institucionet e arsimit të lartë. Autonomia e këtyre institucioneve mbaron në castin kur anëtarë të bordit administrativ të institucioneve të arsimit të lartë, si persona të deleguar në këto funksione nga Ministria e Arsimit, parashikohet të kontrollojnë të gjitha aspektet thelbësore të jetës universitare. Projektligji nëpërmjet një radhe nenesh i jep ministrit të arsimit kompetenca të mjaftueshme për të ushtruar një autoritet të skajshëm mbi institucionet e arsimit të lartë në kundërshtim me parimet e autonomisë së tyre, sikurse është përshembull shfuqizimi prej tij i akteve që ai i quan të paligjshme.
Institucioneve të arsimit të lartë u hiqet e drejta e regjistrimit të studentëve duke i kaluar QSHA, e privuar këto institucione nga të ardhura të rëndësishme si edhe duke centralizuar në mënyrë të gabuar kriteret e pranimit në universitete.
Projektligji nuk shprehet hapur dhe drejpërdrejt për garantimin e një sere lirish dhe vlerash demokratike të arsimit tonë universitar si edhe krijon rreziqe për drejtimin koherent të institucioneve të arsimit të lartë, të sektorit të arsimit të lartë në përgjithësi, duke e thërmuar këtë drejtim në duart e shumë agjencive të konceptuara në forma burokratike, si edhe duke e  divergjuar drejtimin e institucioneve të arsimit të lartë në praktika  që krijojnë potenciale të sigurta bllokimesh institucionale.
Nëpërmjet këtij projektligji Ministria e Arsimit dhe Sporteve i jep një goditje të fortë sistemit të vlerave profesorale duke fshirë krejtësisht rolin  drejtues në kërkimin shkencor dhe në mësimdhënie të trupës së profesoratit, eliminohen këshillat e profesorëve, këshillat e fakulteteve, si edhe juritë e ngritura prej tyre për vlerësimin e drejtimin e punës shkencore dhe kualifikimin shkencor të punonjësve.
Vihet në rrezik financimi i pagave dhe i shpërblimit për personelin duke mos shpallur të drejtën për të pasur grantin e pakushtëzuar dhe duke e vendosur universitetin publik përpara dilemës që ose të ngrejë cmimin e tarifave të studimit për studentët, ose të pranojë të vegjetojë në një varfëri mjetesh dhe mundësish materiale dhe financiare. Prandaj, ne vendosim në vëmendjen tuaj të domosdoshmërise për një financim të plotë, të barabartë, të drejtë që u lejon studentëve të kenë akses në arsimin universitar, si një e drejtë  themelore  e qytetarit, dhe të lejojë institucionet e arsimit të lartë për ta kryer si duhet dhe me cilësi misionin e tyre shumë të rëndësishëm përpara shoqërisë.
Nga konstatimet tona rezulton se projekligji krijon një peisazh konkurrencial krejtësisht të pabarabartë midis institucioneve publike të arsimit të lartë dhe atyre private në favor të dukshëm të këtyre të fundit, duke rrezikuar të krijojë një arsim të lartë me pabarazi të theksuara shoqërore në dëm të qytetarëve dhe të mbarë shoqërisë. Thërmimi i buxhetit publik në një numër tipologjish universitetesh publike shkon krejt në kundërshtim me prirjen e sotme te krijimit të poleve universitare të integruara. Ndërkaq, parashikimi për të financuar institucionet private të arsimit të lartë në kushtet e liberalizimit të tarifave që ato ushtrojnë, jo vetëm krijon një padrejtësi sociale rrënqethëse, por edhe lejon shpërdorimin e parasë publike. Ndërkaq, konstatojmë se institucionet e pavarura publike nga ndërtimi dhe funksionimi i tyre janë në thelb kamuflime te qepura keq të interesit privat të ushqyer krejtësisht me paratë publike.
Nisur nga këto konsiderata të cilat janë shprehur dhe analizuar në detaje dhe sipas neneve përkatëse, duke marrë parasysh gjithashtu besimin tonë se ligjvënësit shqiptarë me ndërgjegjen e detyrës përpara kulturës kombëtare dhe fateve të edukimit të brezave të rinj, do të sensibilizohen nga reagimi ynë kolektiv, kërkojmë dhe bëjmë apel qytetar dhe profesional,  që ky projektligj te rikonceptohet, të ndjekë procedurat e konsultimit me aktorët e interesuar, nga e cila jemi mënjanuar tërësisht, duke mos lejuar interferime të rënda me konflikt interesi, duke marrë parasysh mendimet zyrtare të shprehura nga këshillat e profesorëve dhe senatet, nga organizatat shoqërore dhe personalitete të ndryshme akademike dhe universitare, si edhe nga lëvizjet aktive studentore.
Në vijim të kontributit të trupës universitare për përmirësimin e projektligjit bashkëngjitur me këtë memomrandum ju dërgojmë gjithashtu vërejtjet dhe propozimet nen për nen që departamentet, këshillat e fakulteteve, senati i UT-së si dhe Forumi për Liri Akademike dhe Autonomi Universitare ia ka përcjellë  Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve e cila nga ana vet nuk i ka marrë parasysh. Urojmë që aktorët që kanë në dorë në këtë fazë përmirësimin e ligjit, kryesisht deputët e Kuvendit të Shqipërisë të njihen me ekspertizën tonë dhe ta shfrytëzojnë  atë për përmirësimin e projekt ligjit.

Me respekt,

(Vazhdojnë firmat e nënshkruesve)

 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY