Artan Fuga: Urbanizim që ka nevojë për polic në çdo kryqëzim

Artan Fuga: Urbanizim që ka nevojë për polic në çdo kryqëzim

58
0
Shares

Unaza nga Ekspozita deri te Pallati me Shigjeta si kur hyn edhe kur del ta sjell në majë hundës. Pastaj nga 21 dhjetori deri te Sheshi Willson duhet të kesh nerva celiku për të qarkulluar. Merr kthesën për t’u ngjit te Kodra e Diellit duke kaluar rrugën Komuna e Parisit, të nxihet jeta nga bllokimet. Kthehesh majtas dhe hyn nga Sheshi Willson për të dalë në Bulevard, vajte – kthim, një ferr i vërtetë. Nga Bulevardi kthehesh te Kryeministria për të dalë te Rruga e Elbasanit zëre se ke shkuar në ndonjë vrimë të zezë që bllokon lëvizjen. Lëre pastaj nga Rruga e Elbasanit për të ec drejt Kuvendit e dalë te Partizani i panjohur, duhet të jesh me mëndjen e kërmillit për ta duruar. Do të shkosh te sheshi, duhet t’i biesh rrotull Pallatit të Kulturës pa kulturë. Rruga e Durësit i ngjan Rrugës të Kavajës si ulluk lavamani i zënë. Mos flasim për unazën e madhe nga 21 dhjetori te Dogana, vajtje – ardhje, tmerr e ferr. Dil nga rrethrrotullimi te Casa Italia për të hyrë në rrugën dytësore te Hygea, duhet të kesh aftësitë e Shumakerit për të lëvizur.
Të vjen ta hedhêsh veturën a ta përdorësh për gjë tjetër duke marrë bicikletën, por je me kokë në trastë amà. Del nga shtëpia por nuk e di nëse kthehesh.
Bëj shaka të futesh në rrugicat e vogla të qytetit dhe zëre se duhet ta futësh veturën në brimë të gjilpërës.
Dil aty te Stacioni i trenit dhe merr unazën përpjetë dhe tatëpjetë, do të shohësh tmerr me sy. Zëre se duhet ta vozitësh veturën në një gtreg Gabi gjigand. Hajde urbanizim hajde. Fuori Strada Mitsubishi dhe brekë të vjetra gabi që pështillen me njeri tjetrin nga monumenti i Mbretit tonë të parë dhe të fundit deri te Medreseja.
Por nuk e kanë fajin rrugën. Puna është se dendësia e banesave dhe e popullsisë është e tillë që gjithmonë e më shumë problemi i qarkullimit rrugor do të përkeqësohet. E ka fajin planifikimi i territorit që nuk ka menduar për qarkullimin rrugor. Tirana është bllokuar si hale e prishur edhe në hyrje edhe në dalje edhe brenda vetes. Duhen përpjekje titanike për ta korrigjuar gabimin e këtyre 20 viteve. Hyrje-daljet janë bërë si dyer burgu.
Semaforët nuk punojnë sinkron dhe bllokojnë edhe më keq trafikun. Ti nisesh në jeshile dhe normalisht duhet të kesh dritë jeshile edhe në semaforin e radhës, por jo, është e kuqe. Dreq!!!
Benzinë harxhohet, edhe naftë, nerva njerëzore, ndotet mjedisi, cmimet e produkteve rriten nga shpenzimet në transport. Shërbimet urgjente bllokohen. Tmerr.
Të vjen keq për të shkretët policë që në vapë e në shi, me ca si vrasëse mizash në duar ngrehin krahun e djathtë lart dhe u bëjnë me shënjë shoferëve të ecin. Cfarë bëjnë aty mor jahu??? Ne shohim dritën jeshile, përse duhet edhe të na e bëjnë edhe me dorë që të ecim sikur të jemi idiotë. Lodhen ata, qeshim edhe ne me hidhërim.
Kur do të vijë ajo ditë që edhe në Tiranë si në cdo qytet europian, të madh apo të vogël, të mos duket këmbë polici rrugor në kryqëzime. Pamje e vjetër, rudimentare, arkaike. Tregon dhe bën radioskopinë e urbanizmit dhe mendësive rregulluese autoritariste tona.
O Zot cfarë urbanizmi, duhet një polic në cdo udhëkryq lagjeje dhe sirena makinash policie për të sjellë shoferat e shkretë në vete. Urbanizim që pa dhunën e shtetit prodhon kaos në cdo cast. Puna është se këtë urbanizim e ka prodhuar e konceptuar pushteti.
Shteti korrigjon me policë punët e pushtetit të bëra me militantë.
Përse rri polici i shkretë në diell e në shi???
Sepse cdo aksident i vogël mund të prodhojë sherre gjigande e krime, sepse siguracionet e vetyrave janë në hall. Sepse do të kalojë i forti, ose ai që nga forca e tij rrezikon të bjerë në burg, ose ai që ka aq shumë forcë saqë fut të tjerët në burg. Sepse nga casti në cast mund të iki energjia elektrike dhe trafiku bëhet një lëmsh që nuk shkokolepset më kurrë.
Si zgjidhet e gjitha kjo kur nyjet e qytetit janë zënë njëherë e mirë!!!

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY