Një tjetër incident shënohet, këtë herë në Elbasan, në prag të nisjes së fushatës elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit. Një nga pjesëtarët e stafit elektoral të Ardian Turkut, kandidatit të PD për bashkinë e Elbasanit, është rrahur nga disa persona duke I shkaktuar plagë në fytyrë dhe trup.
Ardian Turku e ka bërë publike ngjarjen duke bërë përgjegjës për këtë kundërshtarin e tij politik Qazim Sejdini.
“Është një klimë aspak e qetë në Elbasan ku persona të panjohur kanë ushtruar presion ndaj stafit tim në disa raste. Por ekstreme ka qenë rrahja e një prej pjesëtarëve të stafit tim të ngushtë dhe unë po bëj një denoncim publik për të reaguar strukturat e shtetit”, tha Turku.
Ai shtoi se për ngjarjen ka njoftuar edhe Sjedinin por ai i kishte thënë se, “nuk ka dijeni”.
Turku nga ana tjetër iu përgjigj edhe deklaratës së kryeministrit Rama sipas të cilit ai është njeri i mirë, por është për të ardhur keq se është me PD.
“Unë e kam nder që kam qenë jam dhe do të jem me PD dhe më vjen keq përse shqetësohet kryeministri”, tha Turku në reagimin e tij.
Nga ana tjetër Turku tregoi bindjen se do jetë ai fitues në garën për bashkinë e Elbasanit për shumë arsye por më e rëndësishme është se “modeli që unë kam krijuar kur dikur drejtoja bashkinë e Elbasanit ka qenë ai i demokracisë lokale, ndryshe si po qeveris sot Qazim Sejdini”, tha Turku.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/