Nisi me një shtrëngim të gjatë duarsh e me dhurata kuptimplote, takimi i Papës Françesku me Presidentin e Kubës, Raul Catro Ruz, që u prit sot në Vatikan sepse, siç deklaroi para gazetarëve, deshi ta falënderojë Papën për rolin aktiv në favor të përmirësimit të marrëdhënieve ndërmjet Kubës e SHBA-ve. Castro i paraqiti Françeskut ndjenjat e popullit kuban, që përgatitet ta presë Atin e Shenjtë në ishullin karaibik, shtatorin e ardhshëm.
Të veçanta, deklaratat e Castro-s për gazetarët, me të cilët bisedoi pas takimit të dytë, atij me kryeministrin italian Renzi.
“Mbeta shumë i prekur nga urtia e modestia e Papës. I lexoj të gjitha fjalimet e tij. Nëse Papa do të vijojë kështu, edhe unë, që jam komunist, do të rikthehem në Kishën Katolike”.
Kjo ishte mbresa e fuqishme, që i la Papa, Raul Castros
“Do të rifilloj të lutem. Kur Papa të vizitojë Kubën, premtoj se do t’i ndjek të gjitha meshët, që do të kremtojë”, shtoi më tej Castro
Presidenti kuban e quajti takimin me Papën të këndshëm dhe kujtoi se të dy u edukuan nga jezuitët.
Gjithnjë duke folur me gazetarët për Kubën dhe për marrëdhëniet e saj me SHBA-të, pohoi se, “Nuk duhet të ishim radhitur kurrë në listën e vendeve terroriste”.
Në vijim, uroi që të dalin brenda majit nga blacklist (lista e zezë), në të cilën emri i Kubës është shkruar që në kohën e Presidentit amerikan Reagan.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/