Ishpresidenti Rexhep Meidani e cilëson Rilindjen një slogan elektoral. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, zoti Meidani shprehet se edhe premtimi elektoral për përkujdesjen shëndetësore, apo për 300.000 vende pune, kanë qenë vetëm premtime elektorale dhe në shumë raste të paargumentuara.
Ishpresidenti i kërkon qeverisë të jetë më afër qytetarit, më e ndjeshme, më sociale, më humane e tolerante, tërësisht e drejtë, dinjitoze dhe e kujdesshme, sepse në të kundërt sipas tij, përmasat e eksodit mund të jenë në të ardhmen shumë herë më të mëdha.
Në lidhje me dekriminalizimin, ishpresidenti në analizën e tij kërkon të gjejë përgjegjësit që kanë çuar në përfshirjen në politikë të personave të inkriminuar, ndërsa e shesh përzgjedhjen e tyre, por dhe të kandidatëve për kryetarë bashkish, tërësisht zgjedhje personale të kryetarëve të partive, duke injoruar forumet dhe format demokratike “një anëtar, një votë”. Për ish-presidentin Meidani, mungesa e zgjedhjeve në PS dhe mbledhja e forumeve drejtuese është një ecuri jo demokratike. Ai shpreh habi për pozicionin që po mbajnë në PS drejtuesit e vjetër të saj, të quajtur “senatorë”, të cilët vetëm heshtin ndaj çdo shkeljeje të statutit. Sipas tij, statuti tashmë e ka humbur peshën e tij, ndërsa e cilëson të pandershme pretendimin e Kryeministrit që në vend që t’i përgjigjet statutit, tregon “novela” alla britanike, alla gjermane etj.
Lidhur me sulmet që i bëhen Ben Blushit se nuk ka gjetur kohën e duhur përtë shprehur shqetësimet e tij për qeverisjen, zoti Meidani shprehet që “kjo tregon se mungon forca, guximi e kuraja për të analizuar shqetësimet dhe të vërtetat e tij, që në shumicën e tyre janë dhe shqetësime të qytetarëve”.
Sipas tij, debati për mendime të ndryshme mund të bëhet në çdo kohë, pavarësisht fushatave zgjedhore.
Ishpresidenti Meidani i cilëson zgjedhjet e 21 qershorit, më shumë si zgjedhje politike se sa me karakter vendor.
Duke folur për dy kandidatët që garojnë për bashkinë e Tiranës, zoti Meidani vlerëson kandidatin e opozitës Kosova si person që nuk njihet për deklarata të mëdha, ndërsa për kandidatin e maxhorancës, Erion Veliaj, vlerësoj përpjekjet e tij pak vite më parë për të përfshirë dhe emigrantët shqiptarë në votim, përpjekje që sipas tij në këto dy vite nuk është përmendur asnjëherë…
Zoti Meidani, kemi hyrë de facto në fushatën zgjedhore për pushtetin vendor. Si i vlerësoni kandidatët në përgjithësi dhe ata për Tiranën, Erion Veliaj dhe Halim Kosova?
Mesa shihet, po tentohet, sot, që të kalohet nga zgjedhje vendore apo administrative në zgjedhje politike. Në fakt, në rastin e zgjedhjeve vendore, ka një vlerë të dorës së parë personaliteti i kandidatit, morali dhe respekti i tij për fjalën dhe veten, vetë integriteti i tij. Sepse, për mendimin tim, ai duhet të shfaqet si udhëheqës, që duhet të bëjë gjërat e duhura në bashkëpunim me segmente opozitare apo me prirje të kundërta në bashki e këshillin e saj; ai duhet të jetë frymëzuesi i ndryshimit pozitiv në zbatimin e programit të votuar. Por, ai, si menaxher, duhet t’i bëjë dhe gjërat siç duhet, që të jetë i aftë që të sjellë përmirësime në cilësi e sasi për shërbimet ndaj qytetarëve. Për më tepër, duhet të mishërojë kapacitete konkrete, si vizion për të ardhmen, aftësi planifikimi e buxhetimi, komunikim, administrim e organizim stafi, motivim e frymëzim, monitorim në zgjidhjen e problemeve.
Pra, udhëheqja dhe menaxhimi janë dy tipare të ndryshme dhe plotësuese të njëri tjetrit, madje që një kryetar të jetë i suksesshëm, ai duhet t’i mishërojë të dyja këto aspekte.
Nisur nga ky konceptim vetjak, orientimi im konkret, në rastin e pyetjes suaj, nuk është fare politik e partiak, por thjesht njerëzor e intelektual. P.sh., dr. Halim Kosovën e kam njohur shumë kohë më parë. Me të kam pasur kontakte, por dhe vlerësim të plotë të punës së tij si profesionist i talentuar dhe si administrator korrekt gjatë ushtrimit të mandatit tim si kryetar shteti. Megjithëse tepër i suksesshëm në kryerjen e detyrës së tij, ai nuk u dallua asnjëherë në atë kohë, për llafe e “pompë”, as për ndonjë fanatizëm e servilizëm ndaj ndonjë individi apo grupimi. Edhe futja në politikë (në radhët e PDsë), e z. Kosova nuk duket se e ka prekur apo e deformuar atë, aq më pak ta përkulë karakterin e tij ndaj ndonjë urdhri të gabuar politik. Të paktën, ky është perceptimi i sotëm publik. Ndërsa, për z. Veliaj, kontaktin e parë e kam pasur disa vjet më parë, në një aktivitet të organizuar nga “Mjaft”, ku së bashku me z. Moisiu morëm pjesë për të dhënë mbështetjen tonë në një projekt të kësaj OJQje për të mundësuar përfshirjen e shqiptarëve në emigracion, në procesin zgjedhor. Ai, në atë kohë, shfaqej si tepër entuziast për diçka të tillë. Por, tani, në këto dy vjet qeverisje, ai e kishte mundësinë që ta realizonte atë ide, nëse ajo ishte realisht bindje e tij. Nuk e di nëse ai e humbi atë entuziazëm, apo ai u përpoq, por nuk u dëgjua nga shefi i tij. Dhe, së fundi, mesa ndijohet nga media, sidomos nga ajo sociale, ai duhet të bëjë përpjekje serioze për përmirësimin e perceptimit të tij publik.
Dy partitë janë angazhuar për një proces dekriminalizimi të politikës, ndërkohë ambasadori amerikan Donald Lu ka kërkuar largimin nga lista të kandidatëve me të kaluar të dyshimtë kriminale. Si i vlerësoni qëndrimet e partive dhe rolin e ndërkombëtareve?
Ky është një problem shqiptar dhe duhet të zgjidhet po nga shqiptarët, nga vetë politika shqiptare, nga statutet e partive, nga legjislacioni dhe institucionet e shtetit shqiptar. Prandaj, mua nuk më duket se kjo është punë ambasadorësh! Por, ama, është fare normale, që si brenda, ashtu dhe jashtë Shqipërisë, të ngrihet pyetja: si është arritur deri këtu?!…
Në gjykimin tim, gjithçka ka lindur nga deformimet e njëpasnjëshëm në jetën partiake, nga heshtja apo mbyllja e syve ndaj shkeljeve të demokracisë së brendshme, në mosrespektimin e statutit të partisë dhe të gjithë sistemit rregullator të saj. P.sh., në rastin e PSsë, në vitet e fundit, në vend të vendimmarrjes kolegjiale ka dominuar urdhri i kryetarit, centralizimi i pushtetit të tij. Po ashtu, në vend të proceseve zgjedhore në strukturat partiake, përfshirë dhe zbatimin e parimit demokratik “një anëtar, një votë”, është praktikuar përzgjedhja e përfaqësuesve të ndryshëm prej vetë kryetarit të partisë ose imponimit të plotë prej tij. Edhe, në rastin e përzgjedhjeve të fundit, pavarësisht deklarimeve apo “shfaqjes” me deputetë, ndodhi po e njëjta gjë. Dhe, përgjithësisht, kjo jo vetëm nuk është demokratike, por as nuk prodhon cilësi e integritet, aq më pak që ajo të bazohet në kontribute individuale, në meritokraci dhe avancim karriere politike.
Nga ana tjetër, kjo mund të shoqërohet edhe me futjen në lojë, me shfaqjen ose rekrutimin e papritur të personave të dyshimtë apo me “letra problematike”. Ka dhe diçka që më duket akoma më e çuditshme. Nën trysninë e grupit që mbështeti kandidimin tim në kongresin e 2003, u vendos, në atë kongres, që të ndërtohej dhe një Komision i Etikës. Funksioni dhe qëllimi i tij ka qenë, pikërisht, për të mos lejuar daljen në drejtimin e partisë, por dhe në përfaqësimin vendor e qendror, të personave me probleme të natyrës etike, jo më të atyre me të kaluar korruptive ose kriminale!
Atëherë, si shpjegohet diçka e tillë? C’ndodhi? Cili është përgjegjës për këtë situatë?
Nuk ka dyshim se përgjigja është evidente dhe nuk ia vlen që ajo të komentohet më tej, aq më tepër që për këtë çështje ju keni botuar një reagim timin shumë më të detajuar me titull “Qyrku i fajit” (“Panorama”, 8 prill 2015)…
Deputeti Ben Blushi, në një analizë të gjatë për qeverisjen në këto dy vite, arrin në përfundimin se Rilindja ka “vdekur” dhe se ai po asiston në funeralin e saj. Keni një vlerësim për Rilindjen e këtyre dy viteve?
E kam lexuar shkrimin e Blushit në Aleksandri, në Egjipt, ku unë isha për një mbledhje të Bordit të Besuarve (Board of Trustees) të Bibliotekës së Aleksandrisë. Në fakt, më bëri shumë përshtypje. Si reagim është një reagim i fortë, një shpërthim individual i fuqishëm, por që, në njëfarë mënyrë, mund të jetë dhe për “larje shpirti” pas zhgënjimit. Në gjykimin tim, që diçka të vdesë, fillimisht duhet të lindë. Dhe, më tej, pas vdekjes në mënyrë “mistike” mund të flitet edhe për rilindje apo për ringjallje! Prandaj, me që bëhet fjalë për ringjallje apo rilindje, unë nuk e kam besuar asnjëherë atë. Por, pa e zgjatur me
sofizma, në leximin tim, Rilindja nuk ka qenë gjë tjetër veçse një slogan elektoral, që në vende të tjera ndeshet me terma të afërt apo të ngjashëm elektoralë si “reformë e thellë”, si “ndryshim i madh” (p.sh., slogani i Obamës “change, we can believe in”) etj. Në këtë kuptim, edhe premtimi rilindës për përkujdesjen shëndetësore, ai për 300.000 vende pune etj., kanë qenë vetëm premtime elektorale… në shumë raste të paargumentuara. Madje, në rastin e shifrës së punësimit, ndaj reagimit tim të asaj kohe, të bazuar në shifra konkrete, kundër tij, u fut në lojë “makineria” e kryetarit (jo vetë kryetari) për të më “gozhduar” në mungesë, në kongres. Por, vitet e fundit, sulme të tillë, pa emër të përveçëm apo me emra të shumëfishtë, në median sociale, janë bërë të zakonshëm!…
Personalisht kam besuar dhe vazhdoj të besoj që Shqipëria ka pasur dhe ka nevojë për një reformë të thjeshtë, që e nxjerr shoqërinë nga depresioni. Përndryshe, ky eksodi i kohëve të fundit nuk do të jetë asgjë para asaj që mund të ndodhë në një kohë tjetër të afërt! Madje, për të mos e lejuar thellimin e tij dhe pasojat e dhimbshme të tij, qeverisja, në kushtet shqiptare, duhet të jetë sa më sociale, sa më humane e tolerante, tërësisht e drejtë, dinjitoze dhe e kujdesshme, shumë afër qytetarit dhe halleve të tij. Pikërisht, për një ndjeshmëri të tillë, ishte dhe reagimi im, kohët e fundit, nisur nga humbjet e mëdha të jetëve njerëzore (“Reformë e vërtetë është ajo që nxjerr shoqërinë nga depresioni?”, Panorama, 16 mars 2015), por që eksodi i fundit, më dëshmon, se ndjesia ime ishte tërësisht e drejtë…
Një tjetër kritikë e fortë e Blushit është dhe mungesa e demokracisë në PS, ku zgjedhjet për kryetarin nuk bëhen, ndërsa forumet nuk mblidhen. Madje edhe kandidatët për kryetarë bashkish nuk u kaluan nga Kryesia e PS, siç e kërkon dhe statuti. Ndani edhe ju të njëjtin mendim për çështjen e demokracisë së brendshme?
Është një zhgënjim, një ecuri jodemokratike. Dhe për to jam prononcuar shumë kohë para Blushit. Për më tepër, unë çuditem sidomos me miqtë e dikurshëm, me të ashtuquajturit “senatorë” të PSsë. Ata, më parë, të hidheshin në fyt për çdo shkelje statuti, apo për çdo vonesë në zbatimin e tij, kurse sot po heshtin dhe vetëm heshtin. Nuk e kuptoj ose nuk dua ta kuptoj arsyen! Ata, atë bënë dhe në vitin 2009, pas humbjes së zgjedhjeve. Por, në lidhje me PSnë, ashtu si Blushi, si në atë kohë ashtu edhe sot, unë kam qenë dhe mbetem partizan i zbatimit të plotë të sistemit rregullator. Është bindja ime që një gjë e tillë duhet të respektohet me fanatizëm për çdo organizëm, qoftë ai shtet, kuvend, qeveri, parti etj. Në këtë kuptim, në rastin e PSsë, sot, nuk është më thjesht puna e afateve kohore, por e gjithë bazamentit të saj demokratik, e garantimit, respektimit dhe zbatimit të tij. Parë me këtë sy, aty, thelbësore është zgjedhja demokratike e strukturave drejtuese dhe, mbi të gjitha, zgjedhja e kryetarit të partisë, me mandat të përcaktuar, apo dhe e përzgjedhjes së përfaqësuesve të partisë për në pushtetin vendor dhe atë qendror. Por, mesa duket, statuti tashmë e ka humbur peshën e tij! Dhe e bukura (në fakt, e pandershmja apo e turpshmja!) është se, në vend të tij, tregohen “novela” alla britanike, alla gjermane, etj.
Por përgjigja që Blushi ka marrë si reagim, ka qenë se kritika të tilla nuk bëhen në fushatë zgjedhore, pasi në këtë mënyrë i jep avantazh opozitës. Mendoni se momenti kohor është defekti i kritikave?
Në gjykimin tim, çdo debat e shkëmbim mendimesh, në mënyrë publike apo në strukturat partiake, duhet të jetë gjithmonë i mirëpritur, pse jo dhe i nxitur dhe i mbështetur, sepse nëpërmjet rrahjes së mendimeve, në mënyrë konstruktive e parimore, jeta partiake bëhet më e shëndetshme, rezultatet më të dukshme. Dhe, kur e tillë është kjo jetë partiake, po aq e shëndetshme bëhet dhe jeta institucionale, në nivel qendror dhe vendor. Nisur nga kjo, pavarësisht momentit, kritika dhe autokritika, përballimi i drejtpërdrejtë i mendimeve të ndryshme, korrigjimi i orientimeve e gabimeve apo hapja, serioziteti e transparenca e çdo debati, vetëm e fuqizon partinë, strukturat e saj, vetë anëtarësinë e saj, pse jo i jep dhe shpirtin e vërtetë një fushate zgjedhore.
Në rastin e reagimeve të fundit të Blushit, unë nuk e di se si janë konsideruar ata apo është trajtuar ai, nëse ai është goditur ose jo nga “shtabi i medias sociale”, por disa pohime analistësh, oborri ose jo oborri, më lanë një shije të hidhur.
Nëse Ben Blushi qenka kritikuar për kohën e zgjedhur, atëherë, kjo tregon, se mungon forca, guximi e kuraja për të analizuar shqetësimet dhe të vërtetat e tij, që në shumicën e tyre janë dhe shqetësime të qytetarëve. Rrugëdalja nuk është heshtja (sikur nuk ka ndodhur asgjë), as ndonjë sulm i orkestruar ndaj pohimeve të tij, aq më keq të vazhdohet plot “krenari” rruga sa josociale, po aq dhe arrogante e deritanishme, por të njihet dhe të pranohet realiteti, siç është sot, duke hequr dorë, më së fundi, nga stili i gabuar, tashmë pa efekt, I “shatërvanëve të propagandës” në kushte “gropash” realiteti…
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/