Ben Blushi: Rilindja ka vdekur. Funerali i saj: mediokritet, rënie e lirë...

Ben Blushi: Rilindja ka vdekur. Funerali i saj: mediokritet, rënie e lirë e hipokrizi

102
0
Shares

Analiza e deputetit të PS për qeverisjen: Nuk po qeveris PS

“Rilindistët sot janë ndarë tipologikisht në dy degë: Të parët janë krenaristët dhe të dytët janë kanabistët që e përdorin PS-në për të numëruar votat në zgjedhje”

Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, në një analizë të tij për qeverisjen dhe mazhorancën, shprehet se po asiston në funeralin e Rilindjes. Sipas tij, Rilindja që fitoi bujshëm zgjedhjet e 2013, po e “gropos” mediokriteti, hipokrizia, neveria, duke krijuar një gropë që sa vjen e zmadhohet. Sipas tij, Rilindja ka rezultuar të ishte vetëm ambalazh që nuk kishte brenda ilaçin që do të shteronte ekonominë shqiptare dhe vendin, siç kishte premtuar me bujë. Si një filozofi pa ideologji, Rilindja, sipas Blushit kishte vetëm një ambicie, ardhjen në pushtet. Për ta saktësuar përcaktimin e tij, Blushi thotë se Rilidja është vetëm kasta qeverisëse dhe jo Partia Socialiste, e cila luftoi për votat, por nuk erdhi asnjëherë në pushtet. Për Blushin, me Rilindje nuk mund të kuptojmë Partinë Socialiste, pasi Rilindja nuk ka statut, rregulla, zgjedhje, por vetëm emërime, prandaj, sipas tij nuk mblidhen Asambleja Kombëtare dhe kryesia e PS. Sipas Blushit, Rilindja nuk ka rregulla dhe programe, por vetëm ambicie. Blushi arrin përmes analizës së tij të dallojë dy lloje rilindistësh të cilët, sipas tij, besojnë në diçka që nuk e njohin. Ai i ndan rilindësit në krenarisë dhe kanabistë. Të parët, për deputetin socialist. Krenaristët, gjatë një viti e gjysmë të qeverisjes, ishin krenarë për çdo gjë, edhe për dështimet dhe mosarritjet e tyre, madje ata, sipas Blushit habiten se si shqiptarët nuk i shohin dhe nuk i kuptojnë arritjet e tyre. Kategoria tjetër brenda rilindistëve, sipas Blushit, janë kanabistët, të cilët duan të fitojnë vetëm me ndihmën e shtetit. Kanabistët, për Blushin, dolën si ideatorë në momentin kur krenaristët dështuan me rritjen e vendeve punës, të uljes së taksave dhe të luftës ndaj polarizimit të shoqërisë. Blushi shprehet në analizën e tij se legalizimi i kanabisit nga mbështetësit e tyre u propozua jo mjekim, por si reformë ekonomike, që do të dyfishonte buxhetin, do zgjidhte krizën në bujqësi dhe do ulte kriminalitetin.
“Me këmbënguljen e rilindistëve, me besimin e krenaristëve në përjetësinë e Rilindjes, me dehjen e paimitueshme të kanabistëve, të gjithë po marrim pjesë në funeralin e Rilindjes”, përfundon Ben Blushi analizën e tij për gjendjen në të cilën po kalon qeverisja e Rilindjes.

 

Analiza e plotë e deputetit të PS-së, Ben Blushi

Zakonisht i evitoj funeralet, megjithëse jam i pafuqishëm që të mos i përshkruaj. Gjatë muajve të fundit më është dukur sikur po marr pjesë në një funeral; Që vazhdon; Është një funeral ku nuk mungoj dot. Për mua, ky është funerali i Rilindjes, në të cilin jemi ftuar të marrim pjesë. Çudia është se Rilindja akoma nuk e di që janë mbledhur ta përcjellin. Nëse kjo është për të qeshur, është e vetmja pjesë komike e kësaj drame politike. Nëse sheh çfarë po ndodh me Rilindjen, kauzën që kërkoi besim dhe u votua përpara 22 muajsh, kupton se ajo është kthyer në një institucion të paadministrueshëm.
Rilindja nuk ka më kontroll mbi veten dhe prandaj nuk parashikon dot pasojat që po afrojnë. Rënia e lirë është tipari i saj më i dukshëm. Mediokriteti është pesha e papërballueshme që e tërheq poshtë. Hipokrizia është shkëlqimi që shohim në ajër. Neveria është shija e saj. Vrima është gjurma. Zbrazëtia është zhurma.
Rilindja nuk ka frymë, nuk ka organizim, nuk ka motivim, nuk ka mobilizim, nuk ka ide, nuk mbrohet, nuk mendohet, nuk pendohet, por vetëm rrëzohet dhe bie. Bie në gropën e vet ideologjike, e cila ishte e dukshme që ditën që u krijua. Rilindja ishte ambalazhi i një kutie, që koha provoi se ishte e mbushur me ujë fiziologjik, që vlen vetëm për të pastruar veshët, hundët dhe lëkurën, por meqë është vetëm ujë, derdhet dhe prandaj zbrazet.
Rilindja nuk kishte ideologji, nuk kishte parime, nuk kishte personalitet, por kishte vetëm ambicie fizike për të ardhur në pushtet. Dhe ia arriti të bjerë në gropën e pushtetit, të cilën po e zgjeron. Me shpejtësi dhe këmbëngulje. Sepse këmbëngulja e Rilindjes për të shkuar në vetëvrasje është e paqortueshme. Shpejtësia për t’u mbuluar me dhé është e pakonkurrueshme. Megjithëse është për të ardhur keq për të gjithë ata që e besuan kur lindi dhe u krijua, ky ishte një funeral i parashikueshëm. Dhe ja pse. Për shkak të detyrimit për të fituar, Partia Socialiste bëri koalicion. Ia la pushtetin Rilindjes. I dhuroi organizimin dhe i huazoi zgjedhësit. Por, megjithëse fitoi zgjedhjet, Partia Socialiste nuk qeverisi asnjë ditë. Që nga dita e parë qeveris Rilindja. Qeveris ambalazhi dhe jo kutia. Prandaj sot nuk ka zgjedhje në Partinë Socialiste. Rilindja ka rregullat e veta. Ajo nuk zgjidhet. Ajo emërohet. Rilindja nuk votohet. Ajo nuk ka arsye të zgjidhet nga një parti tjetër. Nuk ka asnjë motiv të respektojë statutin dhe normat e një partie, që sipas saj kishte dhe ka vetëm një punë: të numërojë votat sa herë ka zgjedhje kombëtare. Por zgjedhje brenda partisë nuk ka dhe s’ka pse të ketë, sepse Rilindja nuk është parti. Ajo është pushimi, pushtimi, pushteti dhe shteti i një partie. Prej dy vitesh, në Partinë Socialiste askush nuk mblidhet dhe askush nuk zgjidhet, megjithëse sipas ligjit të kësaj partie zgjedhjet janë një herë në katër vjet, Asambleja mblidhet një herë në tre muaj dhe Kryesia të paktën, një herë në muaj. Por Rilindja nuk ka statut, nuk ka norma, nuk ka ligjësi dhe nuk ka forume. Ajo ka vetëm ambicie. Ajo nuk është çadra që duhej të ishte. Rilindja është vetëm shi. Vetëm ndëshkim. Dhe çdo gjë që nuk është rilindje, Rilindja e quan krim. Përfshi edhe vetëvrasjen e saj, për të cilën duhet ndihmuar.
Natyrisht edhe rilindistët kanë tiparet e Rilindjes. Rilindistët kanë dhuntinë e njerëzve që bëjnë sikur besojnë në diçka që nuk e njohin. Për ta, Rilindja, si frymë është epokale, si model është unikale dhe si mekanizëm është industrial. Energjia e saj është rrezatuese, fuqia e saj është riprodhuese, shpejtësia e saj është transportuese. Rilindja, sipas rilindistëve, është një epidemi pozitive, nga e cila vuajnë vetëm ata që nuk pranojnë të infektohen. Nëse rilindistët mërziten, kjo ndodh vetëm kur të tjerët thonë se nuk e shohin atë që ata bëjnë sikur e shohin. Meqë ra fjala, rilindistët nuk besojnë në asgjë. Besimi i tyre është pushteti, kauza e tyre është defekti i të tjerëve, instrumenti i tyre është efekti mbi të tjerët. Si të gjitha speciet, rilindistët kanë gjuhën edhe simbolet e tyre. Gjuha e tyre është një kollare që tundet në televizor. Rilindistëve u duket si flamur dhe i përulen. Simboli i tyre është një papagall që bën selfie. Atyre u duket si një shqiponjë dhe prandaj ia japin flokët për t’i bërë pupla që të rrijë në ajër. Në 22 muajt e fundit, rilindistët nuk janë shtuar.
Ata janë degëzuar. Sot janë ndarë tipologjikisht në dy degë: Të parët janë krenaristët dhe të dytët janë kanabistët.
Gjatë vitit të parë, kur Rilindja mendonte se punët po shkonin mirë, se papunësia po ulej, se taksat po mblidheshin dhe se Shqipëria i mbështeste, ishin krenaristët ata që dukeshin më shpesh. Tipari kryesor i krenaristëve është aftësia për të qenë krenarë edhe në humbje. Krenaristët janë krenarë për gjithçka edhe kur punët shkojnë keq, edhe kur s’ka punë, edhe kur s’ka reforma, edhe kur s’ka progres. Krenaristët janë më shumë, kur shqiptarët janë më pak. Megjithëse deri më sot s’kam parë asnjë krenarist bindës, ata nuk dorëzohen. Ata mund të përpiqen të të bindin se edhe kaosi që kanë shkaktuar prej 18 muajsh është i organizuar. Krenaristët nuk janë një qenie e panjohur, megjithëse mbeten një qenie e papritur, pra njerëz që besonim se nuk do t’i takonim më. Një krenarist do ishte krenar edhe në kushtet kur gjithë nxënësit e një shkolle mbeten në klasë. Në këtë rast, krenaristi do thoshte: ne jemi krenarë që të gjithë nxënësit kanë mbetur në klasë, sepse kjo ka ndodhur me forcat tona. Në regjimin e kaluar të gjithë e kalonin klasën, sepse paguanin mësuesit. Prandaj jemi krenarë që kemi zhdukur korrupsionin dhe asnjë notë nuk është e pamerituar. Ja pse jemi krenarë!! Si ka mundësi që ju nuk jeni? Krenaristët nuk kuptojnë se kjo është njëlloj sikur një ekip të humbte me autogol dhe trajneri të krenohej se e kishin humbur ndeshjen me forcat e veta. Këta janë krenaristët. Ata janë krenarë për çdo gjë që bëjnë dhe madje habiten se si ne të tjerët nuk jemi krenarë për ta. Ne duhet të jemi krenarë për çdo dështim, për çdo rrënim dhe për çdo teprim. Krenaristët kanë vetëm një dyshim: nëse shqiptarët kanë aftësinë dhe inteligjencën e duhur për t’i kuptuar, por, edhe nëse nuk i kuptojnë, ky nuk është faji i tyre. Sërish ata mbeten krenarë për injorancën e shqiptarëve. Sepse krenaristët janë një idiotësi riprodhuese. Dega tjetër e rilindistëve janë kanabistët. Sot ata janë më të dukshëm, më të zhurmshëm dhe më të vendosur.
Kanabistët janë rrethi i dytë i rilindistëve. Ata nuk qeverisin direkt, por mbështesin krenaristët në çdo dështim. Duken më të freskët dhe më të motivuar ditët e fundit, kur vetë Rilindja e ka zbehur krenarinë për krenaristët. Kanabistët kanë një tipar të cilin nuk e fshehin dhe prandaj janë të sinqertë, çka bie menjëherë në sy. Ata duan të fitojnë vetëm me ndihmën e shtetit. Shteti është banka, shteti është prona, shteti është sipërmarrja, ndërmarrja, huamarrja dhe pengmarrja e tyre. I quaj kanabistë, pasi në kushtet kur reformat e krenaristëve nuk prodhuan dot më shumë vende pune, më pak taksa, më pak polarizim, më pak injorancë dhe më shumë kohezion social, ata dolën në sheshin e ideve dhe propozuan atë që në letërsi quhet “deus ex machina”. Pra, një ndërhyrje të papritur, një dorë Zoti, një instrument të befasishëm, që ndryshon gjithçka që ka qenë dhe gjithçka qe do të jetë. Dhe, megjithëse e dinë se në krahasim me krenaristët, teknika e tyre ka shumë defekte, janë krenarë që papërgjegjshmëria e tyre është perfekte. Kanabistët, pra, propozuan legalizimin e kanabisit. Jo si një mjekim, por si një shpëtim. Jo si kurë, por si ekonomi. Ata duan që ne të besojmë se legalizimi i kanabisit është një reformë ekonomike që do dyfishojë buxhetin, do hapë vende pune, do shtojë investimet e huaja, do zgjidhë krizën e bujqësisë, do ulë kriminalitetin dhe do t’i shtyjë studentët të mësojnë më shumë për shkak të frymëzimit që shkakton tymosja e pacensuruar. Në të vërtetë, ata nuk kuptojnë se ky propozim shtoi edhe një dyshim. Çështja e legalizimit të kanabisit, e shtruar si reformë ekonomike, e bëri edhe më të dukshëm dyshimin popullor mbi mungesën e ideve ekonomike të Rilindjes. Imagjino sikur gjithë qeveritë e Europës, shumica e të cilave janë në krizë, të bënin propozime të ngjashme për daljen nga kriza. Fushat e Rusisë, Rumanisë, Serbisë, Bullgarisë, Ukrainës, Moldavisë do na vinin në siklet, sepse ngastrat tona bujqësore do dukeshin si peceta para tapeteve të tyre të mbjella me kanabis. Por, edhe nëse është kështu, kanabistët nuk thonë se Europa nuk e mbjell, nuk e kultivon, por vetëm e blen dhe e përdor kanabisin. Dhe, nëse e legalizon, legalizon përdorimin, por jo mbjelljen.
Prandaj, nëse droni kanabist do vërtitej mbi Europë me flatrat e krenaristëve, nuk do gjente askund një fushë të mbjellë me lule kanabisi, sepse Europa ka politikanë që përdorin kanabis, por nuk ka kanabis që përdoret për politikë. E megjithatë, kanabistët sërish mbrohen njëlloj si krenaristët, pasi kjo është tipike për të gjithë rilindistët. Ata thonë se megjithëse edhe të tjerët mund t’i mbjellin fushat e tyre me kanabis, sërish ne do kemi avantazh njerëzor, pasi, siç thonë kanabistët, populli shqiptar ka aftësi të pakonkurrueshme në mbjelljen dhe kultivimin e kanabisit dhe fshatarëve europianë do t’i duhen vite për të arritur nivelin e mjeshtërisë sonë të lindur. Nuk është çudi që ndonjë ditë t’i nxjerrin gjyshet e lodhura të Lazaratit të demonstrojnë truket e tharjes së kanabisit, njëlloj si gratë kubane që i fërkojnë purot mbi kofshët e tyre. Nuk është fare çudi! Kanabistët kanë fantazi. Dhe, nëse idiotësia e krenaristëve është riprodhuese, ndërsa paturpësia e kanabistëve është prodhuese, vetëvrasja selfuese e të dy palëve është vetëdhuruese. Kështu pra, me këmbenguljen e rilindistëve, me besimin e krenaristëve në përjetësinë e Rilindjes, me dehjen e paimitueshme të kanabistëve, të gjithë po marrim pjesë në funeralin e Rilindjes. Fatkeqësisht nuk mund të mungojmë dot, megjithëse shumë prej nesh e miratojnë atë. Edhe unë pa dyshim. Dhe, nëse do duhej të mbaja një fjalim, ky do ishte fjalimi im.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY