Opozita protestë madhështor “Meta ik, Rama ik”

Opozita protestë madhështor “Meta ik, Rama ik”

140
0
Shares

Qytetarë e gjitha Shqipëria marshuan sot nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, për të protestuar kundër qeverisë së majtë dhe për të kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta. Marshimi i demokratëve, i kryesuar nga kryetari Lulzim Basha dhe deputetë të PD-së, nisi rreth orës 11:00, për të kulmuar para godinës qeveritare. Protestuesit mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Meta ik”, “Jepe dorëheqjen”, “Jashtë kriminelët nga Kuvendi”, “Poshtë mafia në pushtet”, “Stop Metastazat”, ndërsa në kor brohorasin: “Poshtë komunizmi”, “Meta ik” etj. Përpara Kryeministrisë ishin vendosur një kordon me police femra, ndërsa përballë tyre qëndrojnë vajzat e Forumit Rinor të PD-së.
Kryetari i PD-së i cili e mori fjalën i fundit përsëriti thirrjen për largimin e Ilir Metës dhe të Edi Ramës.
Kryetari i PD-se Lulzim Basha nis fjalimin ne podiumin para kryeministrisë duke deklaruar: “Dëgjoni thirrjen e shqiptarëve të bashkuar. Meta e Rama ik”.
Më pas protestuesit thirrën në kor: “Rama ik, Meta ik. O sot o kurrë”.
“Shqiptarët kanë nevojë për një ofertë të re dhe ju jap fjalën se Shqipëria do të ketë ofertën e re. Nuk ndalemi derisa të ketë ligj e drejtësi, dhe më të mirët e bijve tonë të marrin më të mirën vendin. Nuk ndalemi derisa të shporrim të keqen dhe Ilir Meta e Edi Rama të largohen” deklaroi Basha.

Arben Ristani: Krimi dhe mafia nuk mund të jenë bashkudhëtarë në rrugën tonë
I pari që mori fjalën nga foltorja e protestës, ishte Sekretari i Përgjithshëm i PD-s, Arben Ristani
“Qytetarë, bashkatdhetarë sot në këtë bulevard jemi të shumtë në numër, të vendosur dhe të indinjuar se kemi nevojë të protestojmë të na dëgjojmë, të na respektojnë. Na takon dhe e meritojmë një jetë më të mirë. Pushtetarët tanë janë një bandë kriminale, oligarkësh që duan të mbushin xhepat me paret e korrupsionit. Jetë është shtrenjtuar, nuk ka punë, në zyrat e administratës nuk ka shërbejnë më mirë, jeta e përditshme është e frikshme nga shpërthimet e tritolit, na shembin pronat dhe pasuritë pa asnjë copë letër, i kanë mbushur burgjet me shqiptarë të pamundur. Kanë në mendje të shtojnë vetëm pasuritë e tyre, Rama e Meta zhvatin ç’ju del përpara. Të protestojë fuqishëm t’ju tregojmë bandës sa të vogël janë, t’ju tregojmë që krimi dhe mafia nuk mund të jenë bashkudhëtarë në rrugën tonë. Të mos e lëmë Shqipërinë të kthehet në diktaturë banditeske. E ardhmja është e jona jo e banditëve!”, përfundoi Ristani

Edi Paloka: Gjithë Shqipëria do t’i çojë aty ku e meritojnë Ramën dhe Metën
Më pas, Edi Paloka, kryetari i Grupit parlamentar të PD-së, u shpreh se, nuk mund të vazhdojmë më të flenë me kriminelë dhe paradite fut në burg qytetarët e thjeshtë.
“Ikni një orë e më parë se ne nuk ju duam.  Jemi këtu ti themi Ramës zhduku se kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më”.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha se, “qytetarët kanë mbushur sot bulevardin kryesor të Tiranës, pasi padrejtësia ka arritur atje ku nuk mban më. Sipas Palokës, ka ardhur koha që Rama dhe Meta të japin dorëheqjen dhe kjo qeveri të largohet sa më parë. Sot jemi këtu më shumë se kurrë, sepse padrejtësia ka arritur atje ku nuk mban më. Jemi më shumë se kurrë për tu treguar atyre se nuk mund të vazhdojmë më me kriminelë. Jemi këtu për t’i thënë Metës ik, Ramës zhduku, sepse kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më. Këta duhet të ikin një orë e më parë. Sot fillojmë të gjithë bashkë, nesër e gjithë Shqipëria do t’i çojë aty ku e meritojnë”, deklaroi Paloka.

Lulzim Basha: Bashkimit i shqiptarëve mbylli sot parlamentin dhe pushoi Metën nga detyra e kryetarit të kuvendit
“Vëllezër dhe motra, bota e pa Shqipëria e pa se si pamja e bashkimit të shqiptarëve mbylli sot parlamentin dhe pushoi Metën nga detyra e kryetarit të kuvendit”.
Kështu e nisi kryetari i opozitës, Lulzim Basha fjalimin para mijëra qytetarëve të mbledhur në mitingun para kryeministrisë nën moton, “Meta ik”.
Sipas Bashës, Rama dhe Meta me veprimet e tyre kanë ndërhyrë harbutërisht në dinjitetin e cdo shqiptari duke u kthyer në makthin më të keq.
“Të dashur qytetarë jemi mbledhur sot këtu në këtë miting madhështor më të bashkuar se kurrë sepse në jetën tonë, në jetën e cdo shqiptari në rrugën me shumë mund e përpjekje në dëshirat tona për të pasur këtë dinjitet, duke na kthyer në makthin më të keq kanë ndërhyrë harbutërisht Ilir Meta dhe Edi Rama që kanë përmbysur gjithçka, Sot çdo familje shqiptare është rrënuar, çmimet janë rritur, energjia, varfëria është thelluar, qindra familje mezi mbijetojnë, kokulur, se nuk blejnë dot librat për shkollë të fëmijëve, nuk blejnë dot ushqimet, paguajnë dritat”.
Basha theksoi se, në 1 vit qeverisje, dyshja arrestoi 38 mijë qytetarë.
“Kanë arrestuar 38 mijë qytetarë në një vit të vetëm, njerëz të braktisur nga qeveria e tyre që nuk gjen një minutë kohë për t’i dëgjuar, por këta oligarkët po bushin xhepat, zyrat e qeverisë janë kthyer në pasigurinë e jetës”.
Sipas kryetarit të opozitës shqiptare nuk mund të ketë rend e siguri kur krimi ka kapur qeverinë.
“Nuk mund të ketë rend e siguri kur vjen në qeveri me krim. Kurrë më parë krimi nuk ka pasur lidhje më të forta. Bandat e Edit, Saimirit janë bërë të paprekshëm, nuk kuptojmë më ku mbaron krimi dhe ku fillon shteti. Bandat kanë arritur deri në parlament. Na del se kryetari i parlamentit, është porositës i vrasjes së dy deputetëve, dhe akuza vjen nga një mik i Ramës, nga një super-deputet, ortak i bizneseve dhe aferave. Për 6 muaj Meta e Rama kanë mbajtur të fshehur krimin, me dorëzanin, me shënjestrën, me oborrtarin, me sekserin, dhe gjithë këtë mesele donin t’ia faturonin opozitës”
Në vijim të fjalës, Basha u përqendrua në çështjen Doshi.
“6 muaj të zhytur në krim, duart me gjak, në zyrat e parlamentit, kryeministrit, ministrit të Brendshëm është bërë shantazh me jetën e 2 deputetëve. Jemi sot të tronditur nga kjo ngjarje e rëndë, vetëm se kumbarët në pushtet nuk vendosën dot paqe, nuk u morën vesh për koncesione, shpërndarje të privilegjeve, pazari nuk u arrit dhe ujërat dolën sheshit e qelbën kudo. Ja sot, kryeministri ka dijeni për vrasjen, kryeparlamentari porositës vrasjeje, ministri i brendshëm sekser, janë mbledhur si një sekt mafioz nxjerrin, nuk dinë kujt ti puthin dorën më parë, Don Ramës apo Don Metës”.
Basha i bëri thirrje Prokurorisë të mos ndalet para shantazhit, ndërsa apeli ndaj Metës ishte të mos ushtronte presion ndaj organit të akuzës. Kryetari i PD u shpreh se opozita është e gatshme të ngrihet dhe t’i dalë zot vendit.
“I bëjmë thirrje Metës të përballet me akujat si porositës për vrasjen e dy deputetëve, të të ndalë presionin ndaj prokurorisë. Ndërsa kësaj të fundit i bëjmë thirrje ta çojë ministrin e brendshëm për ndjekje penale. Garantojmë nga ky bulevard mbështetje ndaj prokurorisë, kërkojmë zbardhje të akuzave, jemi këtu për fuqinë e pathyeshme të bashkimit popullor, jemi gati, në këmbë të gatshëm të ngrihemi dhe ti dalim zot vendit me çdo mjet demokratik ti dalim zot demokracisë sot, të çuar buzë greminës si asnjëherë tjetër, këta oligarkë pa din dhe pa iman. Ti dalim zot të ardhmes sonë dhe të fëmijëve tanë të kërcënuar seriozisht nga varfëria dhe krimi i ngritur në sistem për këto jemi mbledhur sot dhe qëndrojmë të bashkuar deri në fitore”.

 
 

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY