FISK FARE/ I njëjti gjyqtar, dy vendime të ndryshme për të njëjtën...

FISK FARE/ I njëjti gjyqtar, dy vendime të ndryshme për të njëjtën pronë

573
0
Shares

Një gjyqtar ka dhënë tre vendime me të njëjtin objekt padie, duke nxjerrë dy pronarë për të njëjtën pronë, pikërisht për dy dyqane, ka transmetuar sonte Fiks fare ne Top Channel.

Tre gjyqet janë zhvilluar në një hark kohor prej tetë muajsh nga gjyqtari i vetëm Albano Çepele, ndërkohë që në tria rastet, palë ka qenë Enti Kombëtar i Banesave, për të cilin është ankuar edhe qytetari Ded Preka në Fiks Fare.

Në gjyqin e parë, fitues ka dalë Ded Preka, i cili deklaron se nuk ka bërë kurrë padi dhe nuk e dinte se kishte fituar një gjyq për dyqanet që ka në përdorim prej 20 vitesh. Në gjyqin e dytë, i paditur rezulton një person i cili nuk ekziston, ndërsa në gjyqin e tretë, ka fituar një ish-anëtar i këshillit bashkiak në Shkodër.

Pra, për të njëjtin objekt, gjyqtari Albano Çepele ka nxjerrë dy fitues në dy vendime të ndryshme, ndërkohë që të dyja këto vendime, tashmë janë në fuqi.

Qytetari Ded Preka ka rrëfyer historinë në Fiks Fare, e cila ka nisur vetëm pak vite më parë, kur kanë ardhur t’i sekuestrojnë shtëpinë, që sipas pretendimeve ishte në përdorim të një personi, i cili nuk ekziston fare.

Dedë Preka thotë për Fiks Fare se që në vitin 1996 është vendosur në lagjen Skënderbeg, ku ka marrë një apartament dhe ka përdorur dy dyqane në katin e parë të pallatit. Fillimisht, dyqanet kanë qenë në gjendje të mjerueshme dhe ai ka investuar në to, duke kërkuar t’i privatizojë, meqë ishin në pronësi të Entit të Banesave, dega Shkodër. Madje, ai ka kërkuar që në fillim që t’i blejë, por ende nuk kishte dalë ligji për shitjen e tyre. Ai tregon se për këtë i ka ofruar ndihmë Drejtori Rajonal i Entit të Banesave, Lulzim Karini, por meqë i kishin kërkuar shumë para, ai nuk kishte rënë dakord.

Disa muaj pas mosmarrëveshjes, zyra përmbarimore i ka shkuar te prona që kishte në përdorim dhe i ka kërkuar që ta lirojë, pasi Kol Mark Gjeloshi i kishte humbur këto prona në gjyq me Drejtorinë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave. Pasi e kanë nxjerrë jashtë nga dy dyqanet, ai është interesuar se kush ishte Kol Mark Gjeloshi dhe si kishte pretenduar pronat e tij, pasi ai i dispononte që në vitin 1996, duke i vërtetuar edhe me kontratën e dritave dhe dokumente të tjera.

Duke kuptuar se ky ishte një gjyq fiktiv, ai është lejuar sërish të përdorë dyqanet deri në vitin 2015, kur i ka ardhur një tjetër urdhër ekzekutimi nga përmbarimi. Këtë herë nga një tjetër fitues për të njëjtën pronë, pikërisht Mhill Prroni, i cili i kishte lënë peng këto prona tek një tjetër person për shkak të një borxhi. Në këto kushte, ai i është drejtuar organeve të drejtësisë për të hetuar mbi këtë çështje, por deri më sot nuk ka gjetur asnjë zgjidhje, duke pretenduar se falsifikimet janë bërë nga ish-drejtori i EKB, Lulzim Karini.

Pas denoncimit në Fiks Fare të Ded Prekës, gazetarët u interesuam për të zbuluar historikun e kësaj prone dhe kush janë personat që e kanë fituar këtë prone. Nga inestigimi rezultoi se për të janë realizuar tre gjyqe nga i njëjti gjyqtar, ku palë në secilin gjyq ka qenë Enti Kombëtar i Banesave, ndërkohë që ky gjyqtar ka nxjerrë tre pronarë të ndryshëm për të njëjtën pronë.

Gazetarët  kërkuan pranë institucioneve dokumentet përkatëse mbi këtë pronë nga ku rezultuan fakte edhe më të rënda për sistemin e drejtësisë. Gjatë harkut kohor të tetë muajve, gjyqtari Albano Çepele ka zhvilluar tre gjyqe me të njëjtin objekt padie, duke nxjerrë tre pronarë të ndryshëm.

Gjyqi i parë është zhvilluar pikërisht 28 shkurt 2012, ku fitues ka dalë paditësi Ded Preka, i cili është ankuar në Fiks Fare dhe i paditur ka qenë Enti Kombëtar i Banesave. Objekti i padisë ka qenë “fitim i pronësisë me parashtrim fitues” për dy prona të EKB Shkodër, pikërisht 10-16-N1 dhe 10-16-N2, në zonën kadastrale 8592, pra dy dyqanet e lartpërmendura.

Por, pavarësisht se ka dalë fitues, Ded Preka deklaron se nuk ka bërë kurrë një padi të tillë dhe nuk ka ditur që ka pasur një vendim në favor të tij. “Ai gjyq nuk është bërë nga unë, por është zhvilluar nga drejtori, Lulzim Karini, pasi më kishin thënë se do ta kalojmë ne pronën dhe nuk e kam ditur sesi do të realizohej ky proces”, tha Preka.

Por menjëherë pas këtij gjyqi, një tjetër është realizuar më 14 maj 2012, pra rreth tre muaj më vonë për të njëjtën pronë po nga gjyqtari Albano Çepele.

Këtë herë, paditës dhe fitues ka qenë Drejtoria Rajonale e Entit Kombëtar të Banesave në Shkodër. Ky institucion ka dërguar në gjykatë një shkresë, ku Kol Mark Gjeloshi pretendonte se pronat e lartpërmendura, por edhe disa të tjera ishin me tapi pranë ZVRPP-së Shkodër në emër të tij, prandaj ai kërkonte privatizimin.

Kol Mark Gjeloshi nuk është paraqitur në asnjë seancë dhe në këto kushte, EKB ka fituar pronësinë e këtyre pronave. Por, nga verifikimi i kryer nga Fiks Fare rezulton se Kol Mark Gjeloshi, me të dhënat e paraqitura sipas shkresës së dërguar në EKB, dega Shkodër nuk ekziston. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile deklarohet se ky person nuk është i regjistruar, duke sjellë kështu dyshime të forta se kjo shkresë e disponuar nga EKB ka qenë false.

Historia nuk mbyllet me kaq. Disa muaj më vonë, pikërisht më 8 tetor të vitit 2012 vjen një tjetër vendim nga gjyqtari Albano Çepele, ku palë është sërish Enti Kombëtar i Banesave, dega Shkodër. Edhe ky gjyq ka të njëjtin objekt, por ndryshon paditësi. Këtë herë, paditës është Mhill Prroni, i cili ka pretenduar dhe fituar pronën me të njëjtit numra pasurie.

Pra, e njëjta pronë, herën e parë është fituar nga Ded Preka, në një gjyq që ai nuk ka qenë. Herën e dytë është fituar nga EKB në një gjyq me një pretendues Kol Mark Gjeloshi, person i cili nuk ekziston dhe herë e tretë me fitues Mhill Prronin. Të tre gjyqet janë zhvilluar nga Albano Çepele dhe të tria vendimet janë në fuqi, duke nxjerrë tashmë dy pronarë për të njëjtën pronë.

Për tre vendimet e dhëna brenda një harku kohor prej tetë muajsh, ku aktualisht kanë dalë dy pronarë për të njëjtën pronë, gazetarët e Fiksit takuan edhe gjyqtarin Albano Çepele, i cili vijon detyrën e tij në gjykatën e Shkodrës.

Gjyqtari u pyet për dy fakte, e para për gjyqin e Ded Prekës, për të cilin ai pretendon se nuk ka ngritur asnjë padi dhe nuk dinte të kishte fituar një gjyq dhe e dyta për dy vendime me të njëjtin objekt padie, ku kanë dalë dy fitues.

Për gjyqin e Ded Prekës, gjyqtari thotë se mund të ketë bërë ndonjë gabim, pasi mund t’i kenë ardhur njerëz në mirëbesim nga qytetari Ded Preka, ose ai thotë se mund t’i kenë paraqitur një kartë identiteti, pasi ai është nuk është në gjendje ta dallojë vërtetësinë e saj, por nuk ka bërë gabim me dashje.

Ndërsa për faktin se ka nxjerrë dy fitues për të njëjtën pronë, ai thotë se të tjerët mund të kenë përfituar dhe mund të ketë bërë ndonjë gabim pa dashje, ndërkohë që dyshon edhe te firma e tij, por nuk mund të jetë i sigurtë. Ai shpjegon se në një rast, firma e tij është më e hapur se zakonisht.

Përballë kësaj situate, qytetari kërkoi takim me ish-drejtorin e EKB Shkodër, Lulzim Karini, si të dyshuar se ka kryer këto veprime.

Gjatë një bisede mes Ded Prekës dhe Lulzim Karinit, ky i fundit i thotë qytetarit se nuk mban mend se çfarë ka ndodhur, as kur e ka takuar dhe asgjë tjetër. Për këtë arsye, ai mund t’i drejtohet organeve të drejtësisë, pasi ka kaluar shumë kohë dhe nuk di se çfarë është bërë me atë pronë.

Aktualisht, kjo çështje, tashmë ndodhet në Gjykatën e Durrësit, pasi Ded Preka ka kërkuar të ndiqen penalisht, ata që kanë falsifikuar dokumentet mbi këtë çështje.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY