Heroida ka ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty” te “E Diela Shqiptare”, moderuar nga Ardit Gjebrea, për të kërkuar vëllain e saj nga ana e të atit, pasi prej 36 vitesh nuk janë parë.
Sikurse e thërrasin miqtë, Lida rrëfen se e ka patur gjithmonë pasion muzikën, por familja e saj nuk e lejonte, ndaj ajo shkonte e këndonte fshehurazi në festivalet e pionerëve. Por në moshën 14 – vjeçare ata e zbuluan dhe e dhunuan fizikisht, duke e larguar edhe nga shkolla. I vëllai e rrahu me rrip, ndërsa e ëma i preu flokët dhe e mbylli në dhomë, duke e “burgosur”. Kjo sjellje erdhi si pasojë e shpifjeve të vëllezërve të saj, të cilët pretendonin se ajo nuk shkonte për të kënduar dhe se ishte e shthurur.
“Unë ika nga shtëpia, ika nga familja. Në orën 16:15 ikte treni nga Elbasani për Durrës. Kam hipur në tren pa biletë, pa lekë, pa asgjë prej gjëje. Vajta në Durrës, ngela ku do veja. Te gjyshja nuk veja dot se kisha frikë e as te dajat. Kisha dëgjuar në familje që kisha një vëlla me gruan e parë të babait. Kisha dëgjuar që kishte emrin e gjyshit, Abedin Lufta dhe thashë të veja ta takoja e të kërkoja një strehë te ky. Nëqoftëse nuk do më pranonte, nuk e dija se si do përfundonte jeta ime.”
Lida shkoi në shtëpinë e të vëllait dhe familja e tij sëbashku me të ëmën pranuan ta strehonin.
“Kam ardhur këtu që vetëm e vetëm t’i kërkoj falje sepse në atë moshë që vajta unë i rashë derës së atij, ai mund të përfundonte në burg për mua. Ai as më njihte, as unë s’e njihja, as nuk isha rritur me të, as nuk kisha jetuar me të. I kam krijuar shumë debate edhe me gruan, por unë isha fëmijë dhe nuk dija. Pasioni im ishte vetëm të këndoja vetëm që të isha një vajzë e shkathët.”
Kur Lida ishte 16 vjeç njohu një djalë, për të cilin s’kishte asnjë informacion, vetëm pamja e jashtme i bëri që të dashuroheshin e më pas të martoheshin. Familja e djalit ishte e internuar prej shumë vitesh në Fier, por duke qenë se i ati i Lindës ishte sekretar partie në Elbasan, e detyruan të ndahej.
“Më mori babai, të them të drejtën më gënjeu. Nuk më tha të drejtën kur më mori. Më tha që i kishte marrë malli se u bënë shumë vite që s’më kishin parë. Unë meqë isha e martuar, të them të drejtën vajta se thashë çfarë do më bëjnë tani. Kur më ka marrë për herë të parë babai isha shtatzënë 3 – muajshe me Rozalindën. Ndenja 1 javë dhe pastaj më hapi babi këtë bisedë. Më tha: ‘Po më do mua, nuk do shkosh më në Fier.’ Jo, i thashë unë, ai është burri im dhe unë kam jetën atje”.
Por kur lexoi letrën nga komiteti, që i kishin dërguar të atit, qau dhe vendosi që të mos i ndodhte ajo çka i kishte ndodhur asaj, të privohej nga ajo që donte. Lida vendosi të ndahej nga bashkëshorti, por divorci duhej të bëhej pasi të lindte foshjen. Ferizi nuk donte të ndaheshin dhe ka kërkuar disa herë takim me Lidën.
“Mori gocën në krahë, qante e thoshte: ‘Pse? Çfarë i kam bërë unë kësaj jete?’. Nuk i ndërpreva lidhjet me Ferizin. Kur m’u bë vajza 5 vjeç e kam takuar prapë, fshehurazi. Kjo ishte hera e fundit që u takuam se pastaj më martuan”.
Përsa i përket të vëllait, Lida thotë se e ka kërkuar shumë, por nuk ka mundur dot ta gjejë, ndaj i është drejtuar rubrikës “Ka një mesazh për ty”.
“Ta shikoj tani nuk e mbaj mend. Kam pësuar dhe një disfatë shumë të madhe, më ka humbur memorja. Dhe këto gjëra që mbaj mend, nuk e di se si … Janë ngulitur shumë thellë në memorjen time”.
Stafi i “E Diela Shqiptare” mundi të gjejë vëllain e Lidës, Abedinin, i cili pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”. I pyetur nga Ardit Gjebrea se kush mund të jetë personi që e ka ftuar, ai me humor shprehet se vetëm Arditi dhe Zoti e dinë.
Abedini – Unë pres kush të jetë, më ka lënë pa gjumë gjithë natën.
Arditi – Çfarë mendoje, ku të shkonte mendja?
Abedini – Ku nuk shkon mendja. Ne shqiptarët gjithmonë mendojmë shumë dhe plakemi shpejt. Unë s’kam menduar ndonjëherë gjatë gjithë jetës sa kam menduar për këtë të sotmen.
Në ekranin e murit ndarës vëllai shikon motrën pas 36 vitesh dhe arrin ta njohë.
Abedini – Kjo është motra më duket. Më duket se është ajo se kam vite pa e parë. E kam parë një herë të vogël, një herë më fëmijë, pastaj s’e kam parë më. Ka qenë në Greqi.
Lida – Abedin mirë se erdhe! Shumë faleminderit! E para kam ardhur të të kërkoj falje, të kam futur shumë në bela. Kam ardhur kam trokitur në derën tënde në një moshë shumë të vogël dhe më ke pranuar, më ke futur brenda. Ju jam shumë mirënjohëse, megjithëse je gjaku im, je vëllai im!
Abedini – Ajo nuk diskutohet.
Lida – Kam bërë luftë të madhe dhe me vëllezërit e tjerë dhe motrën që ju të takoheni, të flisni. Doja t’i sillja dhe këtu në emision, por nuk pranuan. Dashi është në Amerikë, Kujtimi në Itali. Mbrëmë kam folur me Lolën dhe më tha: “Nuk e donte nëna dhe babai, as unë nuk do ta dua derisa t’i shkoj atyre afër”. Babai na vdiq në ’99-ën.
Abedini – E di. Një javë pasi kam martuar unë gocën.
Lida – Mamaja më vdiq para 2 vjetëve. Kisha shumë dëshirë t’ju takoja, megjithëse kam patur dhe unë shumë halle. Kam qenë dhe unë gati një vit në spital se bëra karambol me makinë. Jam bërë dhe unë gjyshe.
Abedini – Urime! T’i kesh me jetë.
Lida – Dëshira ime, ëndrra ime… Ju kam kërkuar shumë, por ju keni ikur nga shtëpia që kam jetuar edhe unë. Më kanë thënë t’ju kërkoj në Gjendje Civile, por koha ime ka qenë shumë e pakët. Nuk kam asnjë fotografi tënde … Kjo më ka bërë që dhe të vij këtu. Si ika nga shtëpia juaj pa marrë një fotografi.
Abedini – Ishte gjë e shpejtë ajo që ike ti.
Lida – Nuk e di. Juve ndoshta ju ka kërcënuar babai ose Kujtimi ose Dashi, nuk e di se ç’keni patur në atë kohë.
Abedini – Unë s’kam patur me asnjë, asnjë gjë. Unë kam qenë gjithmonë në pritje. S’ka patur rezultat. Le t’i ngeli atyre, unë jam ndarë që 11 – muajsh.
Lida – Tani nuk do ndahemi më nga njëri – tjetri.
“Edhe pse lidhja e tyre humbi për 36 vite, gjaku përsëri thërret”, e përmbyll Ardit Gjebrea, duke i lënë mundësinë motrës dhe vëllait të përqafohen.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/