Hetimet e Policisë së Tiranës, në lidhje me dy personat e arrestuar për transportimin e tri bombave artizanale të përgatitura me celularë, janë zgjeruar në trekëndëshin Tiranë – Elbasan – Vlorë.
Burime nga policia thanë për TV Klan se hetimet janë përqendruar në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet.
Nga pyetja e Jurgen Muhos, si dhe Eraldo Kataroshit, policia ka zbuluar se bombat ishin marrë në Elbasan nga Jurgon Muho, me porosi të Kataroshit.
Vetë Muho u ka pohuar hetuesve se kishte pranuar të bënte transportin e një pakoje që nuk e dinte ç’kishte në të. Pak momente pasi mbërriti në “Unazën e Re”, policia ndaloi Muhon, bashkë me tri bombat.
Po ashtu u arrestua edhe organizatori Eraldo Kataroshi. Ky i fundit nuk ka pranuar të rrëfejë për policinë lidhjet, kush i ka prodhuar apo kush do t’i blinte.
Dyshimet e hetuesve janë se bombat artizanale janë prodhuar në Vlorë, nga një person për të cilin burimet e policisë thonë se kanë informacione konkrete dhe e mbajnë nën vëzhgim.
Burimet e policisë thonë se Kataroshi kishte biseduar për të shitur bombat për 3 mijë euros, por më vonë kishte pranuar ulje të çmimit nga 1200 në 1500 euro.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/