FOTO GALERI/ Itali, Presidenti Ilir Meta pritet nga homolgu Sergio Mattarella

FOTO GALERI/ Itali, Presidenti Ilir Meta pritet nga homolgu Sergio Mattarella

142
0
Shares

Në kuadrin e vizitës zyrtare në Itali, Presidenti i Republikës, Ilir Meta u prit sot nga Presidenti i Republikës ItalianeSergio Mattarella, në Sheshin e Nderit të Pallatit Quirinale. Pas interpretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan bisedimet zyrtare ku i pranishëm ishte edhe Ministri i Jashtëm i Italisë, Angelino Alfano.
Presidenti Meta shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e gjithanshme që Italia i ka dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në 25 vitet e fundit dhe duke iu referuar kësaj vizite të parë jashtë vendit, që pas marrjes së detyrës së Presidentit të Republikës, vlerësoi në mënyrë të veçantë mikpritjen e demonstruar nga Italia dhe italianët për shqiptarët, si më shumë se pesë shekuj më parë, ashtu edhe në fillim të viteve ’90.
Të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve e dy popujve dhe ndanë mendimin se këto marrëdhënie duhet të marrin më shumë substancë dhe të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar. Në këtë drejtim u theksua interesi për një prezencë më të madhe të kompanive italiane, veçanërisht në sektorët strategjikë.
Presidenti Meta theksoi se Italia ka qenë e do të mbetet një partner i gjithanshëm dhe i pazëvendësueshëm për Shqipërinë.
Presidenti Meta i kushtoi një rëndësi të veçantë çështjes së arritjes së marrëveshjes me autoritetet italiane në fushën e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Itali, si dhe afirmimit të vlerave dhe kontributeve të tyre në rritje në jetën ekonomike, shoqërore e politike italiane.
Të dy Presidentët konsideruan komunitetin arbëresh në Itali si vlerë dhe themel mbi të cilin ngrihen marrëdhëniet historike, njerëzore, politike mes dy vendeve dhe popujve tanë dhe ranë dakord për mbështetjen, promovimin dhe ruajtjen e vlerave historike e kulturore të tij, si përmes iniciativave të përbashkëta ndërshtetërore, ashtu edhe për përfshirjen në listën e trashëgimisë evropiane dhe asaj botërore të UNESCO-s.
Në këtë kuadër të dy Presidentët vendosën të zhvillojnë së afërmi një vizitë të përbashkët në një nga zonat e komunitetit arbëresh.
Një vëmendje të veçantë të dy Presidentët i kushtuan bashkëpunimit për çështjet e sigurisë dhe të rendit, duke theksuar nevojën e rritjes së koordinimit dhe të bashkëveprimit mes institucioneve ligj-zbatuese për të luftuar me efikasitet krimin e organizuar, terrorizmin, trafiqet e paligjshme në Mesdhe dhe në dy anët e Adriatikut, në veçanti atë të narkotikëve si rrezik jo vetëm për Shqipërinë e Italinë, por edhe për Evropën.
Të dy Presidentët ndanë mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi, do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në efikasitetin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe në afrimin e shpejtë të vendit me Bashkimin Evropian.
Roli konstruktiv i Shqipërisë, bashkëpunimi rajonal, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë e të mirëkuptimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe angazhimi i Italisë për paqen, stabilitetin dhe integrimin e vendeve të këtij rajoni në Bashkimin Evropian, zunë një vend të veçantë në bisedimet mes dy Presidentëve.
Presidenti Mattarella e siguroi Presidentin Meta për vijimin e mbështetjes së Italisë për Shqipërinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në atë të integrimit në Bashkimin Evropian. Presidenti Mattarella nënvizoi se: Shqipëria është shumë e rëndësishme për stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit dhe përcaktuese me rolin konstruktiv që ajo luan.
Në kuadër të angazhimeve të partneritetit strategjik dhe institucionalizimit të takimeve periodike mes dy krerëve të shtetit, Presidenti Meta e ftoi Presidentin Mattarella për një vizitë shtetërore në Shqipëri, ftesë që u mirëprit me kënaqësi.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY