Pasditen e ditës së tetë të qëndresës së qytetarëve në sheshin e protestës të thirrur nga opozita shqiptare, kryetari Lulzim Basha bashkëbisedoi me gazetarë për lirinë e fjalës në media. Frrok Çupi, kryeredaktori i parë i gazetës së parë opozitare, ndau me të pranishmit opinionin e tij lidhur me gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria sot, por edhe mënyra e përçimit të këtij realiteti në ekran. Pjesmarrës në bashkëbisedim ishte edhe analisti Fitim Zekthi.
Për Frrok Çupin, gjendja e luftës së shpallur ndaj shtetit sot, nuk duket e ndryshme nga ajo e 26 viteve më parë.
“Ishim në luftë dhe në luftë jemi. Ky është një moment tepër i rëndësishëm, kauza juaj është kauza e protestës popullore. Eshtë një moment kyç për kombin, pasi me protestën tuaj ju po e ngrini atë në rangun e kombeve të përparuara.”
Një paralelizëm e solli në kuadër të politikës së ditës.
“Kur lindi Rilindja Demokratike njësoj si sot, policia thoshte do arrestoj kryetarin e opozitës. Qeveria Rama është qeveria e një gangsterllëkut pafund.”
Për Fitim Zekthin, gjendja e vendit është mjaft dramatike.
“Aktiviteti kryesor i qeverisë është shfaqja televizive. Eshtë një qeveri që rri nga mëngjesi në darkë në televizion, për të mos lënë të thuhet gjë tjetër. Gjëja e parë që bën një qeveri që kërkon ta përdorë pushtetin për interesa private, është shtënia në dorë e pushtetit të medias”
Për Fitim Zekthin, qeveria sot është kryeredaktori kryesor i mediave në vend dhe shumica e titujve krijohen brenda mureve të Kryeminsitrisë.
Kryedemokrati Lulzim Basha, presionin e ushtruar ndaj mediave sot, e sheh si vazhdimësi të procesit të fasadave të kësaj qeverie.
“Katër pushtete thotë teoria. Pushteti legjislativ, pushteti ekzekutiv, pushteti gjyqsor dhe media, si pushtet i katërt. Pushteti legjislativ, parlamenti, çfarë është? Eshtë fasadë. Kjo është qeveria fasadë dhe parlamenti fasadë që rri në këmbë për shkak të një drejtësie fasadë, prej gjyqtarësh dhe prokurorësh të korruptuar, të cilët nuk kanë guximin të veprojnë kur kryeministri dhe ministrat shkelin ligjin. Kjo është e vërteta që dini ju.Të vetmit që nuk e dinë këtë, të vetmit që nuk e thonë këtë, janë pushteti i katërt fasadë”.
Për Lulzim Bashën demokracia mund të vijë përmes medias së lirë dhe vetëm media e lirë mund të ketë guxim në demokraci.
“Ne jemi këtu për ta shkulur këtë fasadë dhe për të ndërtuar së bashku diçka të re, të vërtetë me media të vërteta, të dekriminalizuara. Me media jashtë konfliktit të interesit dhe transparente për financimin e tyre. Me gazetare dhe gazetarë dhe operatorë, dhe punonjës të medias, të cilët garantohen me ligj për statusin e tyre në mënyrë që të mos jenë skllevër të pronarit, por ushtarë të interesit publik të shqiptarëve”.
Kjo për Lulzim Bashën ka vetëm një mënyrë, të cilës i ka ardhur koha.
“Po, ka ardhur koha t’i japim fund edhe fasadës së medias. Po, ka ardhur koha për transparencë të financimit të medias, ka ardhur koha për dekriminalizimin e medias shqiptare, jo si shërbim ndaj opozitës, por si shërbim ndaj Shqipërisë dhe brezave që do të vijnë”.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/