Punimet për ndërtimin e Korridorit të Jugut janë ndërprerë prej një muaji. Zyrat e firmës që fitoi projektin janë braktisur.
By Passi i Fierit dhe ai i Vlorës prezantojnë një panoramë të shkretë. Nuk po punohet prej një muaji ndërsa zyrat e “Serenisima construzioni” janë boshatisur.
Në kantierin e Levanit në Fier afati i punimeve është fshirë nga tabela pasqyruese e investimit.
Në Vlorë, By Passi duhej të kishte përfunduar por zvarritja e punimeve çoi në shtyrjen me një vit. Punimet janë ndalur dhe zyrtarët e “Serenisima construzioni” nuk ndodhen në kantier.
Punimet për dy autostradat kanë nisur në vitin 2013. Zvarritja e tyre po lë pezull lidhjen mes dy akseve kryesorë të jugut atë Levan-Vlorë me Vlorë-Sarandë. Zvarritja pa fund e punimeve po e bën jetën e banorëve të padurueshme si rasti i familjes Rexhepi në Mbrostar.
Burime nga “Serenisima construzioni” thonë se kompania i ka shitur aksionet e saj te një kompani spanjolle. Nga ministria e Transportit dhe autoriteti rrugor shqiptar nuk ka asnjë sqarim për pezullimin e punimeve. “Serenisima construzioni” e fitoi tenderin për të ndërtuar dy autostradat lidhëse të jugut të vendit duke ofruar 20 milionë euro më pak.
Dy vjet pas nisjes së punimeve në dhjetor të vitit 2015, nënkontraktorët shqiptarë e çuan “Serenisima construzioni” në gjyq për mos shlyerje të detyrimeve duke përfshirë këtu edhe pagat e punonjësve. Konflikti pezulloi punimet për afro një vit. Në tetor të vitit 2016 “Serenisima construzioni” kontraktoi firma të tjera shqiptare duke rifilluar punimet. Prej një muaji puna është ndalur. Me këto ritme punimet për By Pass-in e Fierit nuk dihet se kur mund të mbyllen ndërsa By Passi i Vlorës duket se do të përfundojë vetëm pas atij të Fierit.
By Pasi i Fierit është i gjatë 22 klm dhe për realizimin e tij janë vënë në dispozicion 60 milionë euro. Ai lidh autostradën Lushnje-Fier me Levan-Vlorë duke shërbyer si nyje lidhëse mes veriut dhe jugut të vendit.
By Passi i Vlorës ka një gjatësi prej 30 km dhe bën lidhjen mes autostradës Levan-Vlorë dhe Vlorë-Sarandë. Për realizmin e tij janë ofruar 30 milionë euro.
Te dyja veprat i ka marrë përsipër kompania italiane “Serenisima construzioni”. Investitorët janë Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/