FOTO GALERI/ Mjerimi i shërbimit zjarrfikës, lufta me flakët me fshesa dhe...

FOTO GALERI/ Mjerimi i shërbimit zjarrfikës, lufta me flakët me fshesa dhe lopata

106
0
Shares
“Fiks Fare” denoncoi situatën katastrofike në të cilën ndodhet Shërbimi i Zjarrfikësve në vend.

Në njërën dorë kazmën dhe në tjetrën fshesën, heronjtë pa uniforma kundër zjarrit, dolën maleve të shuanin vatrat e zjarreve që “mbinin” si kërpudhat pas shiut. Kjo situatë konfirmoi atë që “Fiks Fare” pasqyroi disa muaj më parë, degradimin total të këtij shërbimi.
“Fiks Fare” bëri një vëzhgim ku pasqyroi momente të vështira me të cilat u përballën zjarrfikësit në Shkodër, Elbasan, Laç, Lezhë, Krujë, Librazhd e Prrenjas. Kudo tabloja ishte e njëjtë: automjete të dala jashtë funksionit dhe as mjetet më elementare që duhet të ketë një zjarrfikës. Armët e vetme të tyre ishin kazmat, lopatat, fshesat dhe degët e pemëve.
Flakët nuk kursyen as vendet e shenjta, teksa i afroheshin Kishës së Shna Ndout dhe dhjetëra banesave përreth, Forcat e Shpëtimit dhe Mbrojtjes ndaj Zjarrit nuk ndërhynë dot, pasi automjeti i tyre nuk kishte ujë. Zjarrfikësit, në një bisedë jashtë kamerave treguan vështirësitë që has ky shërbim në dhënien e ndihmës .
“Nuk kemi ujë, po presim një autobot privat të na sjellë, por sapo u njoftuam se edhe ai ka mbetur rrugës. Kjo është situata, ç’të themi! Ne kemi vite që nuk marrim uniforma, imagjino të tjerat”, shprehet një prej zjarrfikësve.
Zjarrfikësit pohuan gjithashtu se paguheshin me paga minimale 30 mijë lekë në muaj dhe kushtet në të cilat ata punojnë janë nën standardet minimale.
“Ne kemi vite pa marrë uniformë. Edhe këto rroba që kam veshur i kam blerë më lekët e mia, vetëm këpucët më ka dhënë shteti”, shprehet njëri prej tyre, teksa janë në pritje të autobotit privat për të sjellë ujë. E ndërsa flakët shtoheshin punonjësit e policisë dhe ushtrisë në mungesë të mjeteve për të ndërhyrë, ngrinin supet teksa qëndronin në një bar-kafe duke pritur ndihmën e kërkuar nga ajri.
Situata e rënduar rrezikoi edhe kurorën e gjelbër të qytetit të Laçit, por falë ndërhyrjes së Emergjencave Civile flakët u vunë nën kontroll pas 24 orëve.

Zjarri në rezervatin e Velipojës, shefi i zjarrfikësve: Nuk i veshëm veshjet kundër zjarrit se ishte vapë
Një tjetër rast i evidentuar nga “Fiks Fare” ishte ai i rezervatit të Velipojës. Zona e mbrojtur e kategorisë së 5, që përfshin pyje, kafshë dhe shpendë të rralla rrezikoi të digjej. “Fiks Fare” vëzhgoi në vendngjarje aksionin e Zjarrfikëses së Shkodrës, që me dy automjete të amortizuara të viteve ‘70 e pati të pamundur të përballonte e vetme situatën. Veç ndërhyrjes së kërkuar nga ajri, zjarrfikësit u ndihmuan edhe nga forcat e policisë dhe të ushtrisë, të cilët së bashku arritën ta vinin situatën nën kontroll pas 9 orësh.
Duke luftuar me kazma dhe lopata, pa uniforma dhe të ndihmuar me ujë nga një autobot i Ujësjellës-Kanalizimeve Shkodër, u arrit të shpëtohej kjo zonë e mbrojtur që njihet për shumëllojshmërinë e bimëve dhe shpendëve. “Kemi ardhur me dy automjete të vjetra të viteve ‘70 si dhe me një autobot me ujë nga Ujësjellës-Kanalizimet e Shkodrës. Ishte e pamundur ta vinim vetë situatën nën kontroll. Kërkuam ndihmë nga ajri si dhe nga ushtria dhe policia, pasi mund të rrezikohej gjithë rezervati prej 640 hektarësh”, u shpreh Agim Dibra, shef i Shërbimit të Zjarrfikëses Shkodër.
Gazetarët e “Fiksit” iu drejtuan Ministrisë së Punëve të Brendshme për të marrë një informacion të plotë mbi sipërfaqen e djegur në rang vendi dhe për mënyrën se si është përballuar kjo situatë.
Sipas kësaj ministrie, në rang vendi ende nuk dihet sipërfaqja e saktë e hektarëve të djegur, pasi përllogaritja ende nuk është bërë nga Ministria e Mjedisit dhe pushteti vendor. Përsa i përket përballimit të situatës, në shkresën zyrtare theksohet se kapacitetet teknike kanë qenë të pamjaftueshme. Në shumë raste është ndërhyrë me helikopter, që ka kushtuar jo pak, por 2500 euro ora.

Pas shkrumbimit, çelen tenderat
Nga situata e krijuar ndodhi dhe çudia, pasi gjithçka u bë shkrumb e hi, bashkitë çelën tendera. Disa njësi të qeverisjes vendore, edhe pse mund të kenë pasur para’ mënjanë për të përballuar zjarret e kësaj vere, ato kanë menduar të investojnë në shërbimin zjarrfikës vetëm pasi zjarret kanë ardhur në shtëpitë e tyre.
Janë pikërisht pesë bashki të cilat kanë hapur tendera vetëm në muajin gusht, pra muajin e fundit të nxehtë të verës për të blerë zjarrfikëse dhe uniforma. Madje, disa prej tyre kanë tentuar nga dy herë.
E para që është kujtuar për mbrojtjen nga zjarret është Bashkia e Fushë-Arrëzit, e cila ka tentuar dhe dy herë në korrik dhe dy herë në gusht të blejë një mjet zjarrfikës. Por, në të katër rastet, asnjë subjekt nuk ka paraqitur ofertë për thirrjen e tyre.
Edhe Bashkia Prrenjas ka tentuar dy herë të blejë një zjarrfikëse, por në të dyja herët, pikërisht më 11 dhe 23 gusht, procedura është anuluar për mungesë konkurrence, ndërkohë që prej disa vitesh vuajnë mungesën e tyre.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe me Bashkinë Divjakë, e cila ka hapur procedurën më 3 gusht, por dhe me 25 gusht. Në rastin e fundit procedura është anuluar, pasi konkurrenti i vetëm i paraqitur nuk plotësonte kriteret e përcaktuara në formularin e kushteve teknike.
Kurse Bashkia Këlcyrë ka hapur tenderin për mjet zjarrfikës më 23 gusht, ndërkohë që është mbajtur në fillim të muajit shtator, kur filluan edhe shirat.
Ndërkohë, Bashkia Shkodër, pavarësisht se disponon mjete të dhuruara, ka mungesë të uniformave për zjarrfikësit, megjithëse autoritetet vendore pretenduan se nuk i veshin se është vapë.
Pavarësisht këtij pretendimi, më 29 gusht, Bashkia Shkodër ka njoftuar hapjen e tenderit për blerje uniformash për punonjësit e Drejtorisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, duke vënë në dyshim deklaratën e drejtuesit vendor dhe ngritur pikëpyetje nëse uniformat nuk i veshin se është vapë, apo ka mungesë të tyre. TCH

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY