Analiza e brendshme e PS: Çfarë ndikoi negativisht dhe çfarë pozitivisht në...

Analiza e brendshme e PS: Çfarë ndikoi negativisht dhe çfarë pozitivisht në rezultatin e 25 qershorit

115
0
Shares

Pavarësisht fitores në zgjedhjet e fundit, PS arriti objektivin e saj vetëm në gjysmën e qarqeve. Roli i pushtetit lokal, perceptimi për një fitore të lehtë por edhe fenomene si premtimi i votës në këmbim të favoreve apo punësimit, janë disa prej faktorëve që socialistët mendojnë se kanë ndikuar negativisht në rezultatin e tyre më 25 qershor. Këto të dhëna janë pjesë e një raporti të brendshëm të PS-së, të cilin ABC News e disponon, ku analizohet e gjithë puna, nga qendra në bazë e kësaj force politike.

Organizimi zgjedhor është evidentuar nga Partia Socialiste si faktori me peshën më të madhe në rezultatin e kësaj force politike në zgjedhjet e 2017, në nivel kombëtar, sipas vlerësimit të kryetarëve të Organizatave Socialiste. Këto të dhëna janë pjesë e raportit të brendshëm të PS që analizon funksionimin e kësaj partie në zgjedhjet e fundit parlamentare, nga qendra në bazë, të cilin ABC News e disponon.
Fryma e përgjithshme politike është renditur e dyta në rang kombëtar me 25.41%, si një faktorët që ndikuan në realizimin e objektivit, ku spikasin qarqe si Berati dhe Gjirokastra, ku sipas organizatave socialiste, ky faktor është ndjerë më shumë.
Faktori i tretë, me 22.97%, është roli i pushtetit vendor. Ky i fundit sipas PS ka ndikuar më shumë rezultatin në Qarkun e Elbasanit dhe në atë të Dibrës, ndërsa pushteti vendor në Kukës dhe Berat rezulton me peshë të papërfillshme në rezultatin e PS në këto qarqe.
Pozitivisht ka ndikuar tërheqja në kutitë e votimit e zgjedhësve të evidentuar si pranë PS-së e që votonin për herë të parë. Falë sistemit të patronazhit, PS ka arritur të nxjerrë në votime 74.26% të votuesve të kësaj kategorie. Berati dhe Kukësi janë qarqet me efiçensën më të lartë në këtë proces, ndërsa Vlora dhe Korça rezultojnë me efiçencën më të ulët në patronazhin e zgjedhësve që votojnë për herë të parë.
PS duket se ka arritur të tërheqë edhe një pjesë të votuesve të saj që nuk morën pjesë në garën elektorale të 2013-ës. Identifikimi i tyre si burim potencial për të përmirësuar rezultatin, në nivel kombëtar, ka funksionuar realitivisht mirë, thekson raporti. Vetëm nga puna për afrimin e këtyre dy grupimeve të fundit, PS mendon se ka përfituar rreth 60 mijë vota.
Një pjesë e mirë e atyre që nuk votuan në 2013, sipas PS, janë emigrantë, pjesëmarrja e të cilëve në këto zgjedhje konsiderohet nga socialistët si një tjetër kontribut pozitiv për rezultatin. Nga Greqia erdhën të votojnë mbi 23 mijë emigrantë. Shumica absolute e tyre votuan Partinë Socialiste, çka përmbushi objektivin jo vetëm për pjesëmarrjen por sidomos për votën për PS, thekson raporti i analizës zgjedhore. Ndërsa nga strukturat e degës së PS Itali, kanë ardhur për të votuar afër 9000 emigrantë.
Pavarësisht këtyre, vetëm gjysma e qarqeve arritën të realizojnë objektivin elektoral. Kukësi dhe Lezha ishin qarqet që e tejkaluan më shumë se të tjerët këtë objektiv. Të dyja këto qarqe kishin gjithashtu edhe përqindjen më të lartë të organizatave socialiste që tejkaluan objektivin elektoral të vendosur nga PS. Nivelin më të ulët të OS-ve që realizuan objektivin elektoral e kishin qarku Tiranë me 24.96% dhe qarku Korçë me 26.90%.
Efektin negativ më të madh në mos realizimin e objektivit, sipas analizës së brendshme të PS-së, e ka pasur pushteti lokal. Niveli i ulët i pjesëmarrjes në votim ka rezultuar të ketë pasur gjithashtu një efekt negativ për rezultatin e PS në këto zgjedhje.
Tjetër faktor që mendohet se ka ndikuar negativisht është edhe perceptimi për një fitore të lehtë të PS-së kundrejt forcave të tjera politike pjesëmarrëse në garë, perceptim që mbizotëroi – thekson raporti – edhe pas regjistrimit të opozitës në zgjedhje.
“Pasqyrimi i këtij perceptim ishte niveli i ulët i angazhimit të mbështetësve të PS në fushatën elektorale. Vetëm 60% e mbështetësve të PS u bënë pjesë aktive e fushatës së PS”, evidenton analiza e brendshme e kësaj force politike.
“Angazhimi i pakët i pushtetit lokal në fushatë, fenomene si premtimi i votës në këmbim të favoreve apo punësimi, u shfaqën si barriera kryesore në mos arritjen e objektivave elektoralë”, evidenton raporti i PS-së.
Analiza post zgjedhore e disa qarqeve evidenton edhe një element tjetër si ai i nivelin të ulët të pjesëmarrjes në zgjedhje.
Mos zbatimi me përpikëri i skemës së patronazhimit dhe indiferenca e një pjesë të anëtarësisë dhe strukturave për takimet derë me derë me qytetarët, ka ndikuar gjithashtu negativisht.
Gjithsesi, shumica e Organizatave Socialiste nuk e shohin të nevojshëm ndryshimin e rregullores së organizimit të PS, thekson raporti i brendshëm i PS, i disponuar nga ABCNews. Në nivel kombëtar, 71.30% e OS-ve mbështetin rregulloren aktuale të organizimit, ndërsa 28.70% mendojnë që ndryshimi i rregullores është i nevojshëm.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY