HISTORIA/ Gruaja kërkon shpëtim në gjykatë që të mos ketë të njëjtin...

HISTORIA/ Gruaja kërkon shpëtim në gjykatë që të mos ketë të njëjtin fund me Fildesin

83
0
Shares

“Ai më tha, mos shko në polici. Mos dil nga dera e shtëpisë, se e shikon çfarë të gjen pastaj”.
Kërcënimi është pjesë e rrëfimit rrëqethës të bërë nga një grua e divorcuar në Gjykatën e Tiranës, gjatë seancës për marrjen e një urdhri mbrojtjeje.
Sipas saj, ky kërcënim ishte vetëm një nga dhjetëra të tillë në vazhdimësi, nga ana e ish-bashkëshortit, me të cilin ishte divorcuar për shkak të dhunës që ushtronte ndaj saj. E gjendur e pafuqishme para kërcënimeve të vijueshme të shtetasit G. D., babait të tre fëmijëve të saj, gruaja me iniciale Gj. M. ka trokitur në Gjykatë për të marrë një urdhër-mbrojtje.
Shqyrtimi është bërë gjatë muajit gusht dhe në përfundim, Gjykata ka miratuar kërkesën e saj, duke i dhënë mbrojtje dhe urdhëruar ish-bashkëshortin, të paditurin të mos e kontaktojë, kërcënojë, apo afrohet më afër se 100 metër distancë. Referuar vendimit të Gjykatës, historia e Gj. M. ka shumë pika takimi me atë të gjyqtares Fildes Hafizi, e cila përfundoi tragjikisht dy ditë më parë, duke u vrarë me armë zjarri nga ish-bashkëshorti, Fadil Kasemi.
Sipas vendimit, paditësja Gj. M. i ka thënë gjykatës se i padituri ishte ish-bashkëshorti i saj, me të cilin kishte tre fëmijë. “Ai më ka dhunuar gjatë gjithë kohës dhe për këtë shkak kam kërkuar zgjidhjen e martesës në Gjykate.
Gjykata ka vendosur që fëmijët të qëndrojnë me mua, ndërsa ai ka të drejtë t’i takoje dhe të paguajë detyrimin ushqimor. Për shkak të dhunës që ai ushtronte mbi mua, unë jam larguar nga shtëpia bashkë me fëmijët dhe jetoj te shtëpia e një familjarit tim. Gjate gjithë kësaj kohe ai nuk na lë të qetë.
Ai vjen e te shtëpia ku po rri dhe më kërcënon që do të më marrë djalin e vogël. Ai më shan dhe më kërcënon duke prishur qetësinë e familjes e familjarit që po më strehon. Kam kërkuar urdhër mbrojtjeje në gjykatë, në maj të këtij viti, por çështja u mbyll në gjykatë, sepse vëllai im nuk erdhi që të dëshmonte.
Ai përsëri vazhdon që të vijë te shtëpia ku rri dhe më kërcënon, duke kërkuar që ai të vijë të jetojë me mua aty ku rri. Edhe kur i merr fëmijët për takim, sipas vendimit të gjykatës, ai dhe familjaret e tij më kërcënojnë dhe më bëjnë presion psikologjik për faktin që unë u ndava nga bashkëshorti im. Po kështu, edhe kunati im më ka kërcënuar duke më thënë që bëj prove edhe ndahu dhe do ta shikosh”, ka pohuar para gjykatës gruaja e kërcënuar nga ish-bashkëshorti.
Një nga episodet e fundit të kërcënimeve, sipas saj, ka qenë ai i 18 korrikut, kur ish-bashkëshorti i ka çuar në banesën ku ajo rrinte me djalin e vogël.
“Ish-bashkëshorti im ka sjellë djalin dhe më ka thënë që ai është djali i vogël dhe më takon mua që ta mbaj. Ai më tha mos shko në polici. Mos dil nga dera e shtëpisë se e shikon se çfarë të gjen pastaj. Ai gjatë gjithë kohës kërkon që të vijë të banojë në shtëpinë ku po jetoj. Ai është i alkoolizuar dhe nuk e di se çfarë bën. Mua më kanë strehuar për të më ndihmuar, por me veprimet e tij me ka shqetësuar, edhe mua, edhe familjen ku rri, që nuk ka asnjë lidhje me të. Më kanë thënë që duhet të rregulloj këtë situatë, në të kundërt nuk mund të na strehojë”, vijonte rrëfimi i të kërcënuarës.
Në përfundim, ajo i kërkonte gjykatës mbrojtje, duke pohuar se nuk kishte asnjë mundësi tjetër se ku të shkonte, pasi nëse do të vijonin shqetësimet e ish-bashkëshortit, mund të mbetej në rrugë të madhe.
“Unë nuk kam mundësi që të shkoj diku tjetër dhe ngelem në rrugë të madhe dhe pa asnjë ndihmë bashke me fëmijët, prandaj kërkoj që të më ndihmoni që ai të mos më shqetësoje më. Kërkoj urdhër mbrojtjeje nga gjykata pasi ndihem e kërcënuar nga pala e paditur, sepse ai më ngacmon vazhdimisht”.

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY