Është më shumë se koklavitje, zbërthimi i saktë i frazeologjisë për ministrinë e re ideuar nga Kryeministri Rama për qeverinë e ardhshme; “Ministër shteti për shqiptarët jashtë kufijve”.
Edhe caktimi i Pandeli Majkos, megjithë staturën e tij prej politikani përgjithësisht të pëlqyeshëm, vetëm sa e ngatërron më shumë perceptimin pa llogaritur këtu terminologjinë “ministër shteti”, që mesa duket arnon më së miri mangësitë e emërimeve të mëhershme “ministër pa portofol”.
Nuk duhet aq shumë guxim për të ngritur pikëpyetjen se a ka vërtet (pra a do të ketë) ministri për diasporën?
Duket e mirëllogaritur nga kryeministri Rama një strategji e tillë, që hiç më pak apo më shumë na kujton të famshmin Samit i Diasporës, që sot e kësaj dite askush nuk mund të numërojë një produkt, arritje, sukses përveçse lakimeve nëpër lajmet e atyre ditëve. (më pat çu nana me la gojën)
Megjithëse kryeministri ka premtuar, (për të disten herë) se këto zgjedhje do të jenë të fundit në të cilat emigrantët të mos kenë të drejtën e votës, duket se ka një aspekt që do i heqë çdo “justifikim” të gjendur katër vite më parë, kur premtoi të njëjtën gjë, por që na doli se mërgata shqiptare nuk na paskërka qenë e regjistruar.
E bash për këtë punë duket se kryeministri, për kijamet nuk kumtoi lajmin e madh për diasporën në deklarimin e tij dhe mjegulla për këtë post u shtua me hutimin e Majkos që u bë lajm nëpër protal-shmëritë shqiptare.
Mbetet e kuptueshme edhe përkujdesja e disa mediave për të plotësuar risinë e kabinetit të ri, duke e quajtur ekskluzivisht Majkon si ministër të Diasporës, duke bërë që të vërshojnë përshëndetjet që erdhën nga mërgimtarët, të cilët shikojnë tek Majko shpëtimtarin e çështjes së tyre, njësoj siç bartnin çantat e kuqe të Samitit të Diasporës nëpër rrugët e Tiranës.
Rikthimi i Pandeli Majkos në postet ekzekutive me patjetër që përbën lajm jo vetëm për nostalgjikët, apo shqiptarët e matanë Drinit. Më optimistët do të mund ta shohin “ministrin e ri” si koordinator të punëve të shqiptarëve në Ballkan, çka do të ishte vërtet një mision historik në vetvete. Mbase Majko nuk do të mund t’i japë fund “harresës reale” së Tiranës zyrtare për shqiptarët që jetojnë në trojet e tyre në Ballkan, por së paku do të mund të shmangen rastet kur në zyrën e Ramës do të nënshkruheshin marrëveshje siç ndodhi me shqiptarët e Maqedonisë, që do të vazhdojnë të përmenden më tepër si gafa diplomatike. Se sa hapësira do të ketë dhe a do të mundet Majko të jetë një kujdestar i mirë, kjo do të mbetet të shihet.
Pesimistët do e shikojnë Majkon si një lloj sekretari të Ramës, të pafuqishëm për të marrë vendime që më shumë do të gjeneronin konflikt të brendshëm brendapartiak, sesa punë konkrete, ku mund t’u jepet fund sukseseve me fotot e bukura në tavolinat e mirëstolisura të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive shqiptare, apo gjysëm shqiptare në rajon.
Përsa i përket diasporës Majko duhet të nisë punën me themeli, pasi as ai as shefi i tij, nuk kanë kë të fajësojnë qoftë edhe për mos-bërjen e asgjëje për diasporën në katër vitet e kaluara. “Të bërit shtet” asesi nuk mund të perceptohet pa diasporën, thjeshtësisht si zbatimin i nenit 8 të Kushtetutës së Shqipërisë. Regjistrimi i diasporës mbetet sfidë në vete dhe “diplomacia e leshtë” nuk mund të zhveshë gëzofin e vjetëruar dimëror në ndërmarrjen e nismave, qoftë ato ekonomike pa emigrantët, pra shqiptarët që deri më sot në pjesën më të mirë të tyre, nuk kanë arritur të depërtojnë muret korruptive të zyrtarëve që “duan kafenë”, qoftë edhe për të investuar në atdhe. (Mbase nuk duhet “reklamuar” shumë shifra frikësuese e mbylljes së bizneseve në Shqipërinë e etur për investime).
A po e çon Rama-Majkon “me la gojën” me diasporën?
Mbetet kryekëput zhgënjyese “Ministria e Shtetit për Shqiptarët jashtë”, pasi eksperimentet e mëparshme si ministri rezultojnë të dështuara dhe mbase kurrkush nuk ka mundur që në mbamendjen e tij, të ketë rezervuar qoftë edhe ndonjë lajm apo bëmë nga Ministret e Shtetit; Harito (Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike) , apo Felaj (Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin e Republikës së Shqipërisë).
Nëse do të shihej me seriozitet diaspora, jo vetëm që do të kishte Ministri të Diasporës, por do shikohej me prioritet nga kryeministri qoftë në buxhet, departamente, staf etj.
Kurrsesi Majkon nuk mund ta perceptojmë si zogun shëtitës nëpër folezat shqiptare nëpër botë, sesa themeluesin e strategjive që do të krijojë hapësirat dhe mundësitë e bashkëpunimit me spektatorët e mëdhenj, me të harruarit e mëdhenj. Diaspora pret tashmë që t’i këputet laku i mos-vëmendjes, anashkalimit, harresës dhe të jetë së paku si vendet fqinjë; pra të ketë të drejtën e votës në vendet ku jeton. Kjo mbetet imperative.
Nëse terminologjia “Ministër shteti për shqiptarët jashtë kufijve” mbetet mbulojë e përkryer e kryeministrit Rama, një pyetje do të jetë non-stop e ngritur mbi karrierat e reja dhe të vjetra. A do të mund të jetë Majko Ministër i Diasporës?
Gjithçka mbetet për t’u parë, por Majko duhet të vetëdijesohet se diaspora është shumë më shumë se një karrierë ministri cilido qoftë ai, shumë më shumë se një fjalim demagogjik ose jo në parlament… Diaspora është histori.
Mbetet e papranueshme qasja e deritanishme apo qoftë edhe “ngatërresa e fundit”, ku nuk u bë një ministri eksluzivisht për diasporën, aq më tepër kur të merret vesh se buxheti i kësaj ministrie, do të jetë më i vogël se ai i një OJQ-je shqiptare në Londër.
Një gjë është e sigurtë. Nga ministri Majko dhe qeveria pritet shumë, pasi tashmë s’do të mund ta ketë fajin as Saliu as hisetarët e tepsisë dhe do të jetë i papranueshëm çdo lloj justifikimi i Ministrit të ri për barutin e lagur…
Kurrsesi nuk do të donim që ta shikonim atë si diellin “që shumë po shndrit e pak po nxeh”…
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/