Ilir Seci kujton Ditën Ndërkombëtarëve të të Zhdukurve dhe rrëfen një histori...

Ilir Seci kujton Ditën Ndërkombëtarëve të të Zhdukurve dhe rrëfen një histori nga jeta…

151
0
Shares

Për disa vjet çdo 30 Gusht nëpër botë perkujtohen të zhdukunit në ditën që asht shpalle si Dita Nderkombëtare kushtue atyne qe jane zhduke pa pasë as edhe vorr ndokund. Kjo ditë asht caktue ditë për me tërhjekë vëmendjen e njerezimit mbi fatin e personave të burgosun në kushte dhe rrethana të paqarta, të panjoftuna për të afërmit e të zhdukunve.
Nji vendim i drejte ky me kujtue te zhdukunit sepse tragjedia e atyne jeteve te shueme, atyne njerezve te zhdukun, mundet me krijue nji Oqean Lotesh ne planetin tone. Nji Oqean thellësia e te cilit asht shtue dhe nga lotet e pareshtuna te sa e sa Nanave shqiptare.
Jam rrite me imazhin e nje Nane te tille, Nanalokes tone, Gjyshes tone, e cila shkoi ne ate jete me pengun që kurrë s’mund ia gjet eshtnat djalit te madh, Tarçuk Shpendit, mixhës, (xhaxhait), vllaut të babës tem.
Mixha jem Tarçuk Shpendi ka qenë ushtar në Shkodër, thirrun nën arme në vjetën 1945 dhe ka krye sherbimin ushtarak të detyrueshem simbas ligjit te asaj kohe. Kreu sherbimin ushtarak por per fatin e keq te tij, kur dikatori Enver Hoxha nderroi partner duke braktisur Titon per Stalinin, në Republiken e Shqipnise nga regjimi u perhap nje frike e paqenë per gjoja “sulm jugosllav ndaj Shqiperise” dhe ushtareve nën sherbim asokohe iu njoftua zgjatja e sherbimit ushtarak edhe per nje vit pas afatit te parashikuar per lirim. Mixha me ushtaret tjere ndejten një vit si iu kerkue. Por edhe mbas nje viti sherbim shtesë, nuk i liruen por u thanë se do ua shtyjne sherbimin edhe një tjetër vit… Zemerthyem, siç mund ta marrim me mend të tanë, (cili i ri nuk do që të lirohet sa ma shpejt nga ushtria), ushtarët protestojnë, të tanë bashke, komandanti i togës, kapteri bashkë me krejt ushtaret protestojne per vitin e dyte shtesë. I arrestuan si togë me akuzën “Kundërshtim të urdherit të komandantit te pergjithshem Enver Hoxha”. Oficeri dhe kapteri u pushkatuan pa gjyq, ndersa krejt toga u denuan me nga 25 vjet burg. Mixha mbas dy vjetëve në burgun e Shkodrës sëmuret randë nga tuberkulozi. Shkojne Gjyshi me Nanëloken nga Markajt deri në Shkodër, per me kqyrë ne djalë. Udhëtimi bahej ne kambë ne atë kohë, dy ditë ba me ecë sa te mundesh nëpër Qafën e Agrit deri ne Shkoder. Nanalokja diftonte se kishin shite dy lope ne ate kohe per me ble dy penicilina, ilaçi ma i shtrenjte atehere!
– “Ua çova atyne te drejtoria e burgut tue iu lutë e tue i shti ne bè ne Amanet, me m’ia ba ato gjylpana drites se syve e mos me ma lane me dekë djalin” – mes lotësh na diftonte Nanalokja, – “po ata kurre nuk ia kishin pasë ba ato gjylpana Lokjo! Si mësuem ma mbrapa nga doktori i spitalit, atij kurre nuk ia kishin pasë dhane ato gjylpana që në ate kohe kushtonin shume shtrenjte!”.
Sa herë e kujtoj Nanaloken tue kallzue këtë ngjarje, kujtim qe me asht ngurtesue ne mbamendje se si e hiqte shamine e bardhe prej kreje e nëmte me rubë në dorë
– “Eu ty more Enver Hoxha ta huptë Zoti farën si ma mbytët djalin!”.
Per traditen malesore Nëma me Shami te kresë në dore ishte ma e randa mbi dhe…
Prej asaj kohe Nanalokja gjithmone na thoshte:
– “Krejt këta gjindja qe flasin gjuhen e Radies e Televizionit rrejnë e flliqin tokën!”.
– “Eh moj Nanaloke” – fshante, – “Kta ta vjedhin edhe Amanetin!”.
…U vjen fjala se djali ka dekë në burg. Shkojne te dy Gjyshi me Nanloken ne ate kohe me kerkue trupin e tij por u thonë se nuk u jepet trupi “sepse nuk ka kryer plotësisht denimin”.
Nuk ua dhane atë trup atëhere e nuk ua dhane as eshtnat mbas 25 vjetesh kur supozohej me pasë krye dënimin. Në vjetën 1974, kur jane plotësue 25 vjetët e denimit sipas ligjit, Baba jem ka shkue në Tirane me pyetë si me ia gjetë eshtnat të vllaut dhe punonjesi i Ministrise së Brendshme ia pret shkurt:
– “Kërkon eshtrat e armikut? Mos do që të shpiem edhe tyja atje ku e kemi shpënë dhe atë!”.
I kena kerkue eshtnat e tij mbas vjetes 1991 por na asht thanë se “per ata qe kane vdekur para vitit 1956, nuk ka dokumentacion dhe per pasoje nuk dihet se ku jane hedhur trupat e tyre”.
Deri me sot nuk dihet…
Nanalokja e shkretë tanë jetën e saj thoshte:
– “Kur te vdes kam me e takue djalin tem Lokjo se Zotit të madh me zor si kemi lè!”.
Edhe ne shtrat te dekës e ka përmende pengun ma te madh te jetes se saj…Djalin qe hupi e treti e s’mund ia bani nje vorr ne rogë te Markaje…

/DRONI.al/

Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/

loading...
Loading...

LEAVE A REPLY