Nga shërbimet Policisë Kufitare në Muriqan, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, mësohet se sot u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, ku u arrestua në flagrancë Zeqir Rrapi, 29 vjeç, banues në Vlorë.
Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të detajuar, të ushtruar në vijën e dytë nga shërbimet e Policisë Kufitare, (në dalje të Republikës së Shqipërisë),automjeti tip Renault me targë AA 419 RX me drejtues mjeti Zeqir Rrapi, u konstatua se poshtë sediljeve të pasme, në shasinë e automjetit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 20 pako, me peshë rreth 19 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sattiva.
Gjithashtu nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Narkotikeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit të lartpërmendur u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një tjetër sasi lëndë narkotike Cannabis Sattiva.
Nga veprimet hetimore të kryera, rezulton se ky person kishte si destinacion Italinë.
Materialet proceduriale iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë të Krimeve të Rënda Tiranë, për veprën penale, “Trafikimi i narkotikëve”, i parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal.
/DRONI.al/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "DRONI.al - Agjencia Kombëtare e Lajmeve" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI DRONI.AL: https://www.facebook.com/groups/426976918158037/